Ndërlidhjet

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë Nikolla Todorov, ka kumtuar se dikasteri që drejton ai, do të rregullojë mënyrën e veshjes dhe të sjelljes së stafit mjekësor në institucionet shëndetësore publike.

“Mantel të bardhë do mund të vesh vetëm mjeku, infermierja do të vishet me mantel të kaltër, infermieri me ngjyrë të çelur të kaltër, kurse personeli teknik në mantel të kuq ose ngjyrë gështenje, me treguesin e qartë se bëhet fjalë për shërbim teknik".

"Është rregulluar edhe mënyra e komunikimit mjek-mbiemri, motra-emri, motra duhet ta paralajmërojë pacientin para se të hyjë te mjeku dhe menjëherë të dalë, pastaj ruajtja e fshehtësisë profesionale dhe afariste, respektimi i titullit”
, janë vetëm disa nga rregullat e reja të paralajmëruara.

Por mjekët, duket komentuar rregullat e reja që do të duhet të aplikohen për tre javë thonë se në këtë mënyrë tentohet të fshihen një varg problemesh serioze me të cilat përballet aktualisht shëndetësia e Maqedonisë.

Duke qenë të paaftë që t'i realizojnë premtimet e dhëna dhe reformat e parapara autoritetet shëndetësore merren me gjëra teknike të cilat nuk tangojnë dhe aq interesat e pacientëve. Duket qartë se reformat aq shumë të reklamuara nuk rezultojnë me sukses, madje në shumicën e institucioneve shëndetësore kryesisht klinikat shtetërore mungojnë dhe kushtet elementare".

"Si rrjedhojë e gjithë kësaj, kreu i dikasterit të shëndetësisë 'spinon' rregullore dhe rregulla të reja që zbukurojnë vetëm pamjen jashtme në paraqitjen e parë asgjë më shumë”, thekson Vlladimir Borozanov, mjek.

Ndërkaq, Kadri Haxhihamza nga sindikata e shëndetësisë, thotë se nuk është keq të vendoset kod pune, por megjithatë, dikasteri i shëndetësisë duhet të fokusohet më shumë në përmirësimin e kushteve dhe jo sjelljes.

“Pra do të duhet të fokusohemi në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore ndaj pacientëve, pra mundet më mirë të bëhet diagnostikimi, me aparate më të sofistikuara, mund më mirë t'i terapizojmë pacientët, pastaj duhet fokusuar në zgjerimin e ofertës barërave të cilët u jepen të sëmurëve kronikë pa participim shtesë ose me një pagesë minimale, etj. Pra, në të gjitha fushat ku veprojnë punëtorët shëndetësorë ka hapësirë që të përmirësohet kualiteti i punës”, nënvizon doktor Haxhihamza.

Edhe Spase Jovanovski thekson se në këtë mënyrë duke promovuar rregulla të reja në kushte të vështira dikasteri i shëndetësisë merret me çështje periferike duke anashkaluar problemet reale.

“Kjo që ndodh në një pjesë të spitaleve private është jashtë çdo kontrolli në aspektin profesional, madje në mungesë të aparateve bashkëkohore dhe kohëzgjatjes për të bërë kontrollet, shumë pacientë detyrohen të shkojnë në klinikat private duke paguar shifra aq të larta edhe pse kanë sigurim shëndetësor”, nënvizon Spaso Jovanovski, duke numëruar një varg problemesh me të cilat përballet problemi sektorit të shëndetësisë në Maqedoni.

“E para, të gjithë të punësuarit në dikasterin e shëndetësisë duhet të punësohen përmes konkurseve transparente ku nuk do të ketë aspak kompromis sa i përket përgatitjes profesionale të mjekëve."

"Pastaj në realizimin e reformave duhet të angazhohet një ekip profesional që njeh mirë sistemin shëndetësor, ngase e kam thënë disa herë dhe e përsëris, shëndetësia është një organizëm dhe nëse ka një organ të sëmurë dhembja është evidente kudo
”, thekson Spase Jovanovski, ish kryetar i odës së mjekëve të Maqedonisë.

Ndryshe, në muajin nëntor të vitit të kaluar, mjekë në Maqedoni u hodhën në grevë të përgjithshme kundër pagave të ulëta e një programi të kujdesit shëndetësor të zbatuar në shtatorin e 2012, me ç'rast, mjekët shprehen revoltën e tyre ngase i vihej më shumë theks numrit të pacientëve të vizituar sesa cilësisë së kujdesit të ofruar.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë, disa herë ka theksuar se në shëndetësi është investuar viteve të fundit më shumë seç ishte investuar 20 vite nga pavarësia e vendit.
XS
SM
MD
LG