Ndërlidhjet

Serbët e veriut nuk heqin dorë, nuk e duan marrëveshjen


Serbët e veriut të Kosovës e kanë kundërshtuar marrëveshjen e Brukselit të arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Daçiq, dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar, kanë deklaruar liderët e serbëve të veriut, pas takimit që e kanë pasur me 20 maj me zëvendëskryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.

Por, megjithatë, ata kanë theksuar se janë duke pritur që t’i shohin detajet e planit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

Përfaqësuesi i serbëve të veriut, Radenko Nedeljkoviq, i cili ka qenë pjesëmarrës në takimin e liderëve serbw të veriut të Kosovës me Vuçiqin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se çështja e marrëveshjes së Brukselit, nuk ka qenë fare temë e bisedës në këtë takim.

“Nuk është biseduar fare për marrëveshjen e Brukselit. Kemi biseduar për gjendjen momentale në veriun e Kosovës, si dhe me problemet e përditshme me të cilat ballafaqohen qytetarët. Kështu që, për marrëveshjen e Brukselit do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, theksoi Nedeljkoviq.

Por, lideri tjetër i serbëve të veriut, Milan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, gjithashtu pjesëmarrës në takimin e fundit me Vuçiqin, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në këtë takim është biseduar për të gjitha temat.

Sipas tij, qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen e Brukselit, por edhe qëndrimi i Beogradit zyrtarë, nuk kanë ndryshuar.

“Qëndrimet tona janë të njohura për marrëveshjen. Të njohura janë edhe qëndrimet e e qeverisë së Beogradit. Por, diferencat që i kemi dhe që njihen, nuk janë thelluar. Kryeministri Daçiq dhe bashkëbiseduesi kryesor janë në Bruksel për të biseduar për planin e zbatimit të marrëveshjes. Dihet mendimi ynë për këtë dhe interesat tona".

"Kështu që diçka që është e papranueshme për ne, nuk mund të pritet se do ta pranojmë dhe nënshkruajmë. Jemi marrë vesh me autoritetet e Beogradit që të flasim edhe më tej për marrëveshjen dhe për planin e zbatimit, por nuk i kemi detajet e tij. Kështu që nuk kemi mundur të flasim më thukët për të. Do të bisedohet pas kthimit të kryeministrit Daçiq nga Brukseli”, tha Ivanoviq.

Kundërshtimi i marrëveshjes së Brukselit nga serbët e veriut të Kosovës, kishte tensionuar raportet e tyre me Beogradin zyrtarë, duke krijuar një hendek mes tyre, të cilin përmes takimeve janë përpjekur që ta ngushtojnë.

Por, Nedeljkoviq ka theksuar se qëndrimi i serbëve të veriut për marrëveshjen është i qartë dhe i pandryshuar deri më tani.

Edhe më tutje konsiderojmë se marrëveshja e Brukselit është e dëmshme dhe se ajo nuk i garanton as parakushtet minimale për një jetë kualitative dhe mbijetesë të serbëve në Kosovë. Kështu që, qëndrimi ynë është i pandryshuar”, tha Nedeljkoviq.

Edhe Ivanoviq ka vlerësuar se serbët e veriut nuk mund ta pranojnë marrëveshjen e Brukselit dhe as zbatimin e saj, sepse, sipas tij, kjo do t’i rrezikonte interesat e tyre.

Por, megjithatë, siç thotë ai, duhet pasur kujdes që hendeku i krijuar me Beogradin të mos thellohet.

“Ne nuk dëshirojmë që ta thellojmë hendekun me autoritetet në Beograd, të cilët e gëzojnë mbështetjen e shumicës. E kuptojmë situatën e vështirë edhe në Kosovë, por edhe në Serbi. Megjithatë, ne kemi disa qëndrime dhe vija të kuqe tona, përtej të cilave nuk mund të kalojmë. Ne, pavarësisht dallimeve që kemi në interpretimin e marrëveshjes, ne duhet, duam dhe mundemi të punojmë me Beogradin dhe institucionet tona”, tha Ivanoviq.

Ndryshe, liderët serbë të veriut të Kosovës kanë dhënë për të kuptuar se nuk do të pajtohen me marrëveshjen e Brukselit edhe kur plani për zbatimin e saj do të bëhet i ditur në detaje.
XS
SM
MD
LG