Ndërlidhjet

logo-print
Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë një varg masash në bashkëpunim me institucionet tjera për parandalimin e azilkërkueseve dhe këto masa kanë dhënë rezultate të kënaqshme, që nënkupton se ka shënuar rënie të ndjeshme numri i personave që përmes formave të ndryshme tentojnë të keqpërdorimin e procesin e liberalizimit të vizave.

Kështu thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme, duke komentuar presionet nga disa shtete të BE-së, për rivendosjen e regjimit të vizave për shtetet e Ballkanit perëndimor, përfshirë këtu edhe Maqedoninë.

“Masat që ka ndërmarrë Ministria e Brendshme kryesisht janë të orientuar në dy drejtime që nënkuptojnë takime intensive me qytetarët për t'i njoftuar ata me regjimin e vizave si dhe masa të shtuar në vendkalimet kufitare pikat më të ndjeshme ku besohet se ka lëvizje të tilla të migrimit të jashtëligjshëm".

"Gjithashtu trupi koordinativ që drejtohet nga Ministria e Drejtësisë vepron edhe në drejtim të ndryshimeve ligjore, me të cilat, sjellja e këtillë e shtetasve të Maqedonisë sanksionohet si vepër penale”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Sipas tij, që nga fillimi i kontrolleve të rrepta, së paku 8 mijë persona nuk janë lejuar të kalojnë kufirin për shkak të dyshimeve se destinacioni i tyre nuk është për vizita apo qëllime tjera siç kanë deklaruar, por, kërkesa për azil në shtetin përkatës të BE-së.

Përveç kësaj, MPB-ja në bashkëpunim me institucione tjera kompetente vitet e fundit ka kryer rreth 450 kontrolle në 120 agjenci turistike dhe 38 ndërmarrje tjera transportuese dhe me këtë rast, 22 personave për shkak të dyshimeve se kanë organizuar grupe të azilkërkuesve të rrejshëm, u janë shqiptuar sanksione të ndryshme ndërsa disa po ndiqet edhe penalisht“, thotë Kotevski.

Ndërkohë, nga qendra maqedonase për arsimim evropian nuk përjashtojnë mundësinë që shtete të caktuara të BE-së, të aplikojnë sërish regjimin e vizave, por, sipas tyre, kjo masë do të ishte e përkohshme.

Bojan Mariçiq thotë se në rastin e Maqedonisë kjo edhe mund të mos ndodhë për shkak të masave të janë ndërmarrë kohëve të fundit, por, ato sipas tij, janë përcjellë edhe diskriminime të shumta në veçanti te popullata rome.

Është e tmerrshme ajo që po dëgjojmë se me qëllim të mbrojtjes së liberalizimit të vizave, po bëhen diskriminime të ndryshme, qytetarëve rom po u merren pasaportat për të parandaluar lëvizjen e tyre jashtë vendit. Këtë çështje nuk e themi vetëm ne, por, edhe përfaqësuesit e romëve në Kuvend e kanë ngritur si problem. Kjo çështje duhet të zgjidhet në forma tjera dhe jo përmes masave diskriminuese”, thotë Mariçiq.

Por, pretendimet e tij janë hedhur poshtë nga Ministria e Brendshme.

Ne vlerësojmë se ato kanë prapavijë të caktuar pasi MPB-ja nuk bën diskriminime të tilla apo nuk bën dallimin e qytetarëve në bazë të përkatësisë së tyre etnike apo fetare”, thotë Kotevski.

Çështja e rikthimit të vizave u ngrit në vitin 2009 nga Gjermania dhe Belgjika për shkak të numrit të madh të kërkesave për azil, para së gjithash nga Maqedonia dhe Serbia.

Ndërkohë, mediat transmetojnë edhe një deklararatë të eurodeputetes Tanja Fanjon e cila ka theksuar se institucionet evropiane po diskutojnë mekanizimin për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza, në bazë të një dokumenti të propozuar para tri viteve nga Komisioni Evropian.
XS
SM
MD
LG