Ndërlidhjet

Marrëveshja e Serbisë me NGP për Trepçën, s’ka peshë pa kosovarët


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Edhe nëse u nënshkrua marrëveshja mes New Generation Power (NGP) me qeverinë e Serbisë për një bashkëpunim teknik në minierat e veriut të Kosovës, ajo mund të mbetet veç në letër nëse nuk ka licencë nga autoritetet kosovare.

Kryetari i bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ahmet Tmava tha për Radion Evropa e Lirë, se krejt aktivitetet dhe eksploatimet që bëhen në dy minierat në veri të vendit, licencohen nga kjo agjenci.

“Resurset minerale janë kategori kushtetuese, është pronë e Kosovës. Dhe është e mbuluar plotësisht infrastruktura ligjore mbi mënyrën dhe aktivitetet minerare. në Kosovë nuk ndodh aktivitet minerar pa licencë të KPMM-së”, tha Tmava për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, në KPMM nuk dinë për marrëveshjen që nënshkroi firma amerikane NGP me ministrinë e Serbisë për miniera dhe resurset natyrore, përveç asaj që është shkruar në media.

Por sidoqoftë, punë në veri s’mund të bëhet pa bekimin e këtij komisioni.

Jo nuk mund të eksploatorët ajo xehe, sepse nuk mund të bëhet aktiviteti minerar ilegal. Pra këtu kemi të bëjmë me një minierë të përmasave që nuk është diçka që mund të kamuflohet, dhe në fund [të shitet] sikur ta zëmë një aktivitet minerar të ndonjë gurëthyesi apo eksploatuesi të rërës”.

Këtu kemi të bëjmë me një aktivitet minerar kompleks. Pa projekt të detajuar, pa raportime periodike, siç është e paraparë, pa mbikëqyrje të eksplozivit, nuk mund të bëhet aktiviteti minerar”, tha Ahmet Tmava për Radion Evropa e Lirë.

Ministri i Serbisë për miniera, Millan Baçeviq nënshkroi të premten, më 17 maj në Beograd, një marrëveshje për bashkëpunim teknik me New Generation Power LLC.

Me këtë dokument, kompanisë amerikane me seli në Chicago, i ofrohet mundësia që të investojë në minierat e Zinkut dhe Plumbit në Kosovë.

Pas kësaj lidhje, Ambasada Amerikane në Prishtinë thotë se “derisa ambasada e SHBA-ve në Prishtinë nuk është marrë me 'New Power Generation', zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Uashington, e kanë këshilluar këtë kompani, se Kosova është shtet sovran dhe se Qeveria e Serbisë nuk ka juridiksion mbi kompleksin e minierave të Trepçës”.

Administrata amerikane po ashtu ka inkurajuar këtë kompani që të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës për të diskutuar lidhur me investimin, që e ka propozuar për minierat në veri.

Prej pas luftës, Serbia ka pretenduar në asetet e Kosovës, ndërsa këtë pikë e ka përfshirë edhe në planin e saj për normalizim të raporteve me Kosovës.

Meqë Kosovën e pasluftës e administroi Misioni i Kombeve të Bashkuara me të gjitha pasuritë e saj, gjatë kohës sa shef i UNMIK-ut ishte Bernard Kouchner, kompleksi Trepça u nda në njësinë veriore dhe atë jugore.

Strukturat e Trepça Veriu-UNMIK vazhdon t’i menaxhojë Jovan Dimkiq, i cili i jep llogari Beogradit dhe Prishtinës.

Dimkiq ka thënë se minierat në veri prodhojnë 11 mijë tonelata koncentrat zinku dhe 8 mijë tonelata koncentrat plumbi.

Sipas drejtorit të NGP, Chirijeev Kathuria, kompania e tij synon që të pesëfishojë kapacitetet prodhuese të minierave në veri.

Në jug ndërkaq, drejtori i Trepçës, Halil Qelaj tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka qenë i informuar se para që ka qenë e nënshkruar kjo kontratë se çfarë interesimi ka kompania amerikane për minierat në veri.

Ai thotë të ketë mësuar nga kolegu i tij Jovan Dimkiq, që “po ka ndodh një nënshkrim, dhe kjo ka qenë e tëra.”

Por, sipas tij, gjërat kanë ndryshuar për katër ditë, pasi në fillim mendohej se Departamenti i Shtetit të SHBA-së, ka dhënë pëlqimin që marrëveshja të bëhet me Qeverinë e Serbisë, duke cenuar kështu integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

“Nuk besoj që do të ketë gjë nga kjo çështje [marrëveshja mes GGP dhe qeverisë së Serbisë]”, tha Halil Qelaj.

Ekonomisti Mirosllav Prokopijeviq i tha Radios Evropa e Lirë se Serbia po punon në mënyrë kontradiktore në raport me Kosovën.

“Kjo është ndarja sipas kritereve të Badinterit, që thotë se objektet fizike, resurset etj, të cilat janë në territorin e caktuar, janë në posedim të tij. Bazuar në këto kritere, minierat që janë në territor të Serbisë, janë pronë e Serbisë, kurse kompleksi që është atje në Kosovë, ato janë pronë e Kosovës, dhe gjërat këtu janë të qarta”, tha Prokopijeviq për Radion Evropa e Lirë.

Top liderët politikë në Serbi u angazhuan për nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë amerikane.

Nga presidenti Tomisllav Nikolliq, e deri te ministri për miniera Millan Baçeviq.
Për këtë arsye sipas Prokopijeviq, e gjithë afera rreth marrëveshjes me NGP, del të jetë marketing politik.

New Generation Power, sipas portalit zyrtar të kompanisë, prodhon 1430 Mega-Watt të energjisë së ripërtërishme në Serbi dhe Republika Serbska, të Bosnjës e Hercegovinës, të cilat i ka realizuar pas nënshkrimit të marrëveshjeve me qeveritë në Beograd dhe Banjallukë.

Por marrëveshja për Kosovën, sipas një ekonomisti tjetër nga Beogradi Danijell Cvjetiçanin, nuk do të mund të realizohet, kryesisht për shkak të pozicionit politik të Serbisë.
XS
SM
MD
LG