Ndërlidhjet

Kabashi: S'ka konfiskim të pasurisë së paligjshme, pa procedurë për vepër penale


Ismet Kabashi

Ismet Kabashi

Ne, si prokurorë, do të na konvenonte shumë më tepër që në atë ligj të parashihej mundësia e bartjes së provës së të dëshmuarit në të pandehurin, mirëpo ajo nuk është aprovuar me këtë ligj. Nuk mund të ketë konfiskime të pasurisë së një personi ose të pronave të tij, nëse paraprakisht ndaj atij personi nuk fillohet ndonjë procedurë për vepër penale, rezultat i së cilës do të duhej të ishte ajo dobi pasurore e fituar që duhet të konfiskohej, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryeprokurori i Përgjithshëm, Ismet Kabashi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kabashi, fillimisht, si e shihni funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend?

ISMET KABASHI
Sistemi i drejtësisë në Kosovë, sipas Kushtetutës përbëhet nga Gjykatat, Prokuroria dhe Avokatura. Gjatë vitit 2012 dhe më parë, sistemi i drejtësisë në Kosovë, sipas mendimit tim, gradualisht është duke shkuar në kuptim të përparimit të funksionalizimit të tij.

Faktikisht, është afruar Prokuroria më afër qytetarëve, për arsye se tani e kemi rajonin e Gjakovës, që nuk ka qenë më parë, Prokuroria e Qarkut tani është Prokurori Themelore me kompetencë për të gjitha lëndët në shkallë të parë dhe e kemi Prokurorinë e re në Ferizaj.

Ndërsa, këto pesë prokuroritë e tjera në Mitrovicë, Prishtinë Gjilan, Prizren dhe Pejë, janë ato ekzistueset. I kemi organizuar të gjitha resurset njerëzore dhe resurset materiale, kështu që prokuroritë faktikisht kanë filluar pa kurrfarë pengesash prej një janarit të vitit 2013 me strukturën e re.

RADIO EVROPA E LIRË
Si është duke funksionuar sistemi i drejtësisë në raportet Polici - Prokurori - Gjykata?

ISMET KABASHI
Me Policinë kemi raporte të shkëlqyera. Do të thotë, çdo herë informohemi me kohë, ashtu siç është e paraparë me ligj, për çdo vepër penale që kryhet në territor të Kosovës.

Prokurorët, në procedurën paraprake, ia japin udhëzimet e nevojshme Policisë në çfarë drejtimi duhet hetuar dhe hartuar kallëzimet penale për veprat e paraqitura. Kemi besim dhe në shumë raste, prokurorët e shfrytëzojnë mundësinë që oficerëve të policisë ua besojnë ndërmarrjen e veprimeve të caktuara hetimore, qoftë edhe dëgjimin e të pandehurve në disa raste, dëgjimin e dëshmitarëve.

Me Kodin e ri të procedurës penale janë rritur autorizimet e prokurorëve, kështu që tani duhet të kemi bashkëpunim edhe me Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, për arsye se tani ekspertët është i autorizuar t’i caktojë prokurori, që nuk ishte më parë me ligjin e mëparshëm...

RADIO EVROPA E LIRË
Po me gjykatat çfarë bashkëpunimi keni?

ISMET KABASHI
Me gjykatat ne jemi të ndarë. Faktikisht, ne me gjykata mund të bashkëpunojmë vetëm në drejtim të lehtësimit të punës së gjykatave, për arsye se jemi palë në gjykatë dhe nuk kemi kurrfarë lloj bashkëpunimi tjetër.

Bashkëpunimi i vetëm mund të jetë në atë drejtim që të harmonizohen oraret e gjykimeve, në mënyrë që prokurorët që janë në numër më të vogël dhe që përfaqësojnë më tepër gjykata të ndryshme, të harmonizohen oraret e shqyrtimeve gjyqësore, ashtu që gjykatat të përmirësojnë azhuritetin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Prokuroria Speciale është kritikuar disa herë lidhur me rezultatet, siç thuhet, minimale në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Cili është mendimi juaj në këtë rrafsh?

ISMET KABASHI
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është në kuadër të zyrës së kryeprokurorit të shtetit, mirëpo aktivitetet e veta i zhvillon nën udhëheqjen e kryeprokurorit, që momentalisht është nga radhët e prokurorëve të EULEX-it.

Është evidente që gjatë vitit 2012 Prokuroria Speciale ka treguar rezultate shumë më të mira sesa vitet e mëparshme dhe ajo prokurori gjej tani se është konsoliduar.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka aprovuar që të shtohet numri i prokurorëve dhe për pesë prokurorë në Prokurorinë Speciale dhe tani në qershor do të kemi prokurorë, të cilët i plotësojnë edhe kushtet formale për të qenë prokuror në atë Prokurori. Dhe, ne, pra Këshilli dhe unë, si prokuror, jemi të interesuar që ajo Prokurori të forcohet edhe më tutje për arsye se do ta ketë barrën kryesore në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, të ashtuquajtur, dhe në luftimin e krimit të organizuar.

Po ashtu, ka edhe shumë lëndë të krimeve të luftës, të cilat do të duhej të përfundoheshin sa më shpejt, në mënyrë që ose të akuzohen personat, ose të pushohet procedura ndaj tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Agjencia Kundër Korrupsionit, në vazhdimësi ka kritikuar prokurorët për mungesë rezultatesh në rastet që ky institucion ka dorëzuar në Prokurori. Si do t’u përgjigjeshit këtyre kritikave?

ISMET KABASHI
Nuk gjej se agjencia është autorizuar të komentojë se a e ka hedhur me bazë një kallëzim penal prokurori apo ka paraqitur ndonjë ankesë prokurori, apo nuk ka paraqitur ankesë prokurori. Qëndron fakti se mënyra e dërgimit të kallëzimeve penale të agjencisë deri tani ka qenë heterogjene. Disa kallëzime kanë shkuar drejtpërdrejt në Prokurorinë Speciale, ndërsa nuk kemi pasur informata si Prokurori e Shtetit.

Pastaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës prej këtij viti ka filluar të raportojë për punën e të gjithë prokurorëve me kërkesë të Këshillit prokuroria për arsye se më parë kemi pasur shumë pak informata për punën që punon Prokuroria Speciale, kryesisht për prokurorët e EULEX-it në Prokurorinë Speciale.

Me agjencinë i kemi harmonizuar statistikat, i kemi identifikuar të gjitha lëndët, të cilat i ka paraqitur dhe mund t’ju them lirisht se një numër të vogël të atyre lëndëve kemi arritur që t’i nxjerrim pranë gjykatës, për arsye se gjatë ndërmarrjes së veprimeve hetimore, ka pasur raste kur nuk është provuar se të paraqiturit e kanë krye veprën penale.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për korrupsion, Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me Vepër Penale, është parë si joefikas. Ju si e vlerësoni këtë ligj?

ISMET KABASHI
Ne i kemi pasur të mbuluara të gjitha çështjet lidhur me konfiskimin - nuk e kemi pasur të mbuluar çështjen e mënyrës së ruajtjes së sendeve të konfiskuara dhe menaxhimin e tyre. Tani është themeluar edhe Agjencia për Menaxhimi e Aseteve të Konfiskuara.

Ne, si prokurorë, do të na konvenonte shumë më tepër që në atë ligj të parashihej mundësia e bartjes së provës së të dëshmuarit në të pandehurin, mirëpo ajo nuk është aprovuar me këtë ligj. Nuk mund të ketë konfiskime të pasurisë së një personi ose të pronave të tij, nëse paraprakisht ndaj atij personi nuk fillohet ndonjë procedurë për vepër penale, rezultat i së cilës do të duhej të ishte ajo dobi pasurore e fituar që duhet të konfiskohej.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky ligj a e mundëson luftimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme?

ISMET KABASHI
Luftimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme mund të bëhet vetëm në atë mënyrë kur organet e ndjekjes vërtetojnë se një pasuri është fituar paligjshëm, është fituar me vepër penale, për arsye se ligji është për konfiskimin e dobisë pasurore të fituar me vepër penale dhe jo me veprime të tjera dhe sigurisht që nuk mund t’i konfiskohet askujt pasuria përpara se paraprakisht të shpallet fajtor për veprën e caktuar penale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kabashi, së fundmi keni qenë pjesë e delegacionit të Kosovës për të arritur pajtim për fillimin e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Si e shihni ju këtë marrëveshje në aspektin e funksionimit të sistemit të drejtësisë në veri?

ISMET KABASHI
Kanë folur për këtë çështje personat kompetentë, zëvendëskryeministri (Hajredin) Kuçi që ishte udhëheqës i delegacionit tonë. Pala kosovare ka shprehur gatishmëri që ta zbatojmë marrëveshjen në atë mënyrë që ajo marrëveshje është për eliminimin e strukturave paralel në veri të Kosovës dhe inkorporimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë dosje kriminale në sistemin gjyqësor të pjesës veriore të Kosovës dhe në numrin e nevojshëm të tyre edhe në Prokurorinë dhe Gjykatën e Apelit edhe në Prokurorinë e Shtetit dhe Gjykatën Supreme të Kosovës nëse ka vende të lira, sipas detyrimeve ligjore prej të paktën 10 për qind pjesëtarëve të minoriteve në të gjitha institucionet.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG