Ndërlidhjet

Cameron: Britania do të mbetet “e patundur” përballë terrorizmit


Vrasja në Londër - akt terrorist
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:08 0:00

Vrasja në Londër - akt terrorist


Britania e Madhe nuk do të dorëzohet kurrë ndaj terrorit apo terrorizmit, ka thënë kryeministri britanik, David Cameron, pas vrasjes së një ushtari në shërbim, të mërkurën pasdite në juglindje të Londrës.

Dy të dyshuarit për sulmin janë qëlluar dhe plagosur nga policia, ndërsa tani ndodhen nën arrest, në një spital. Në lidhje me identitetin e tyre, nuk janë dhënë shumë informacione.

Vrasja është kryer me thikë dhe hanxhar pranë një kazerme ushtarake. Sulmuesit e dyshuar nuk kanë bërë përpjekje të ikin dhe, madje, kanë inkurajuar kalimtarët t’i filmojnë ata dhe viktimën.

“Ajo çfarë ka ndodhur dje në Woolwich na ka sëmurë të gjithëve. Në televizionet tona natën e kaluar dhe në gazetat tona në mëngjes, kemi parë imazhe që janë vërtet shokuese. Njerëzit që kanë bërë këtë, kanë bërë përpjekje të na ndajnë. Ata duhet të dinë se një gjë e tillë vetëm na bashkon dhe na bën më të fortë”, ka thënë kryeministri Cameron.

Njëri nga sulmuesit e dyshuar është filmuar me hanxhar të gjakosur në dorë, duke bërë deklarata politike.

“U kërkoj falje grave që kanë parë këtë sot, por në vendin tonë, gratë tona shohin të njëjtën. Ju kurrë nuk do të jeni të sigurt. Largojeni qeverinë, asaj nuk i bën për ju”, ka bërtitur i dyshuari me ngjyrë.

Kryeministri britanik ka thënë se nuk ka asnjë justifikim në Islam për sulmet, të cilat “janë thjesht përgjegjësi e individëve të përfshirë”.

“Ky nuk ka qenë vetëm një sulm ndaj Britanisë dhe mënyrës britanike të jetës. Ka qenë, po ashtu, tradhti ndaj Islamit dhe komuniteteve myslimane, të cilat japin aq shumë për vendin tonë. Nuk ka asgjë në Islam që justifikon këtë akt vërtet të tmerrshëm”, ka thënë Cameron.

Ai ka mbajtur të enjten një takim urgjent me shefat e tij të inteligjencës. Duke folur jashtë rezidencës në Londër, Cameron po ashtu ka thënë se Britania do të mbetet “e patundur” përballë terrorizmit. Ai është zotuar se autorët e sulmit do të sillen para drejtësisë.

Mediat britanike raportojnë se së paku njëri nga të dyshuarit për krimin e së mërkurës është shtetas britanik, me prejardhje nigeriane.

Ato e kanë identifikuar atë si Michael Adebolajo, 28 vjeç. Policia thuhet të ketë bastisur shtëpinë e familjes së tij, në një fshat pranë qytetit britanik, Linkoln.

Viktima ka pasur veshur një bluzë me mbishkrimin “Ndihmë për heronjtë” – që është emri i një organizate të bamirësisë, të formuar për të ndihmuar veteranët e plagosur të Britanisë.

Mbretëria e Bashkuar ka trupa të vendosura në Afganistan qysh në vitin 2001. Në Irak ka qenë, po ashtu, e pranishme ushtarakisht në periudhën 2003-2009.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar sulmin dhe kanë shprehur mbështetje për familjen e viktimës dhe popullin britanik.

Këshilli Mysliman i Britanisë ka thënë se vrasja “është akt i vërtetë barbar, që nuk ka bazë në Islam”.

Disa orë pas sulmit, rreth 100 protestues të lëvizjes djathtiste "English Defense League" kanë dalë në rrugë për të protestuar - disa nga ta me flamuj të Anglisë në duar. Ata janë përplasur me policinë.

Ndërkohë, janë arrestuar edhe dy persona në lidhje me sulme të ndara në një xhami jashtë Londrës. Ky incident nuk ka regjistruar asnjë të plagosur.

Personelit të forcave të armatosura në Londër dhe gjetkë i është thënë të jetë më vigjilent. Siguria është rritur përreth të gjitha kazermave në kryeqytetin britanik.(v.tela)
XS
SM
MD
LG