Ndërlidhjet

Zvarritjet e pritshme në zbatimin e marrëveshjes


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Pajtimi në parim për planin e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nga zyrtarët qeveritarë në Kosovë, shihet si një hap i mirë drejt fillimi të zbatimit të marrëveshjes.

Mirëpo, ky proces është duke vazhduar pafundësisht, sipas disa përfaqësuesve të partive politike opozitare. Ata konsiderojnë se në këtë proces, Kosova është duke humbur derisa Serbia mund të dalë fitimtare.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nga subjekti politik Vetëvendosje, thekson se Qeveria e Kosovës ka fituar një varësi shqetësuese dhe serioze nga negociatat me Serbinë.

Konjufca thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia po përpiqet që të fitojë sa më shumë substancë politike në terren dhe të jetë faktor në implementimin e marrëveshjes dhe kjo, sipas tij, bën që edhe të ketë vonesa në implementim dhe zgjatje të procesit.

“Pra, këtu është lufta... Lufta po bëhet konkrete se kush të jetë bartësi kryesor ashtu që kur Serbia ta arrijë këtë, ta zbatojë marrëveshjen politike në mënyrë selektive, sepse kështu ka bërë edhe me planin e Ahtisarit. Plani Ahtisari është zbatuar vetëm aty ku ka dashur Serbia, ku nuk ka dashur nuk është zbatuar, për shembull në veri nuk është zbatuar. Edhe kjo marrëveshje do ta ketë këtë logjike”, thotë Konjufca për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, Ahmeti Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputet në Parlament, thekson se ekziston një zvarritje e procesit dhe një degradim i marrëveshjes që po bëhet nga ana e Serbisë. Kjo sipas Isufit, ndodh pasi që nga ana serbe nuk shihet gatishmëria për zbatimin e marrëveshjes.

“Shtyrjet kanë qenë të pritura për shkak se zbatimi i marrëveshje për Serbinë nënkupton eskivim të situatës dhe kohës dhe blerja në kohë është insistim i saj. Arritja e marrëveshjes në parim ka bërë që Serbia pastaj në implementim të jetë jo e angazhuar si duhet për shkak edhe të pengesave që janë në veri të Kosovës, sepse serbët nuk duan t’i përgjigjen kësaj marrëveshjeje”, thekson Isufi, duke shtuar se bashkësia ndërkombëtare është garantuese e kësaj marrëveshjeje dhe ajo duhet të bëjë trysni më të madhe në Serbi, në mënyrë që të realizohet marrëveshja.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxha, thotë se institucionet e Kosovës presin qe sa më shpejt të fillojë zbatimi i marrëveshje së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Plani që është ofruar dje është në përputhje me marrëveshjen e 19 prillit. Nuk është devijim i marrëveshjes. Është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ne shpresojmë që të fillojmë ta zbatojmë sa më shpejt”, shprehet Hoxhaj.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, një ditë më parë në Bruksel kanë arritur pajtueshmëri parimore për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.

Për marrëveshjen në parim profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, shpjegon se nuk ka ndonjë definicion që përcakton saktë se çfarë do të thotë marrëveshje në parim. Sipas tij, praktikat e deritashme të marrëveshjeve të tilla kanë treguar se një gjë e tillë nënkupton shprehje e vullnetit të dyanshëm për çështje të përgjithshme.

“Sa herë që kemi një marrëveshje, normalisht në kemi dakordim të vullneteve. Është praktikë ndërkombëtare se kur kemi marrëveshje gjithmonë si aneks të marrëveshjes duhet të kemi planin e veprimit ose planin e vënies në jetë të kësaj marrëveshjeje”.

“Mendoj që ka qenë domosdoshmëri që marrëveshja e 19 prillit ta ketë një agjendë ose një udhërrëfyes se si ajo do të vihet në jetë dhe kjo mendoj se është në rrugë e sipër për të ndodhur, ndërkohë se vonesat dhe shtyrjet eventuale janë pasoja ose konsekuenca të vullnetit politik të shprehur nga serbët që edhe më tutje në njërën anë promovojnë idenë ose dialogun për marrëveshje, në anën tjetër krijojnë vështirësi për zbatimin e tyre”,
konsideron Hoti.

Pas marrëveshjes së 19 prillit, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se puna kryesore ka përfunduar dhe se tani as Prishtina dhe as Beogradi nuk mund ta kthejnë më procesin prapa.
XS
SM
MD
LG