Ndërlidhjet

Kosova nderon viktimat e Holokaustit


Me një psalm dedikimi për shtëpinë, ku lartësohet Zoti që ka ngritur dhe frymëzuar njeriun, për mbijetesë, nisi fjalën e tij Rabini i Brukselit, Levi Matusof, në Prishtinë, gjatë ceremonisë solemne të zbulimit të memorialit për viktimat hebraike të Holokaustit.

Prijës fetarë islamë, të krishterë, ortodoksë dhe çifutë, bashkë me dhjetëra personalitete nga jeta institucionale e diplomatë në Kosovë, dëgjuan me vëmendje drejtorin e çështjeve çifute për çështje publike, teksa shpjegonte se si mbetën gjallë ata hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se si duhet mësuar mësimin që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës.

Në këtë pikë, u ndal edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se mund të reflektojë dhe marrë shembull se si mund të mësohet shumëçka nga populli izraelit, për pajtimin.

“Për çfarëdo pajtimi, duhet drejtësi. Duhet ndaluar dhe luftuar relativizmin dhe duhet luftuar për të vërtetën, jo vetëm se kush ishin viktimat, por edhe kush ishin fajtorët. Krime ka në çdo luftë, por kjo nuk do të thotë se gjatë luftës çdokush është fajtor. Të insistojmë në barabarësi të fajësisë, është krim po aq i madh, si edhe harresa e viktimave dhe arsyeve pse ata u viktimizuan”, tha Thaçi, derisa në prapavijë dëgjohej ezani, që u bënte thirrje besimtarëve myslimanë për falje.

Shefi i Qeverisë në Prishtinë kujtoi se qindra hebrenj gjetën kalim të sigurt nëpër Kosovë e Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi shqiptarët kishin dhënë besën për t’u dalë në ndihmë hallexhinjve më të mëdhenj të asaj kohe.

“Kosova doli faqebardhë duke u mundësuar [mbijetesën] së paku disa qindra familjeve - tragjikisht pak prej miliona që u zhdukën. Por, provimin e madh të njerëzimit, e kemi dhënë, dhe këtë nuk duhet harruar kurrë. Ndihemi shumë krenarë”, theksoi Thaçi, duke shtuar:

“Prandaj, jemi sot këtu, që pas 70 vjetëve, t’i mbajmë në mend qytetarët tanë që u zhdukën për të mos u kthyer më, emra të përveçëm, që hynë në historinë e njerëzimit si viktima të Holokaustit”.

Ngritja e memorialit në Kosovë për viktimat e Holokaustit, për Jason Steinbaum, shef i personelit të kongresmenit Eliot Engel, paraqet një hap më pranë miqësisë me çifutët dhe hap një derë për këtë popull në vendet e treta të botës.

“Mendoj se ky memorial tregon thelbin e asaj se kush është vërtet populli i Kosovës. Për popullin çifut [ky memorial] tregon se kjo është shtëpi për ta dhe se ky është një vend ku ata ishin të sigurt, dhe një vend ku ata mund të ndihen rehat e të sigurt, dhe se do të ketë një marrëdhënie të gjatë dhe të frytshme përjetë në të ardhmen”, deklaroi Steibaum për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, historia e drejtë se populli shqiptarë ka shpëtuar mijëra çifutë gjatë luftës kundër nazizmit, nuk është e njohur për shumë njerëz dhe se kjo paraqet një mision për të, që tregimin ta shpërndajë sa më shumë te komuniteti hebraik.

“Populli shqiptarë ka shpëtuar disa mijëra çifutë, në tërë këtë rajon, nga Shqipëria e deri këtu [në Kosovë]. Rrëfimi i besës [shqiptare] dihet nga pak njerëz, por për ata prej nesh që ndjekim zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri, ne e dimë këtë tregim. Ne po mundohemi ta rrëfejmë tregimin, dhe do ta përsërisim sa herë të jetë nevoja”, tha Baumstein për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo, personalisht, ishte shumë emocionuese për mua. Unë e shikoja ceremoninë përderisa ajo po zhvillohej dhe iu ktheva ministrit të Jashtëm të Kosovës, që qëndronte prapa meje, dhe i thashë thjesht: Faleminderit që po e bëni këtë!”, theksoi Baumstein.

Për pllakën përkujtimore në Prishtinë ka ardhur edhe ambasadori izraelit në Serbi, Yossef Levy, i cili tha se ndihet i nderuar që hebrenjtë po nderohen në këtë mënyrë nga kosovarët.

“Në emër të shtetit të Izraelit dhe më lejoni të them edhe në emër të popullit çifut, dua t’ju them dy fjalë e para Shalom, dhe e dyta Faleminderit!”, tha ambasadori Levy.
Diplomati izraelit tha se çifutët e vlerësojnë humanitetin dhe dinjitetin e të gjithë popujve që bënë çdo gjë në kohën e kapitujve më të errët të historisë, duke vënë në rrezik jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre.

“E kemi një thënie në hebraishte, që thotë se ata që shpëtojnë një jetë, është sikur të shpëtonin tërë njerëzimin. Dhe, në ish-Jugosllavi, veçanërisht territorin e Kosovës, si dhe në Shqipëri, njerëzit rrezikuan jetët e tyre dhe shpëtuan çifutët”, u shpreh Levy.
Sipas tij, këtë gjë shqiptarët e bënë për humanizëm.

“Sepse, ishin njerëz të mirë, sepse ishim myslimanë të mirë, sepse ishin krishterë të mirë, sepse kishin besën e tyre, dinjitetin dhe humanizmin. Ky kapitull i lavdishëm, se si shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri, shpëtuan qindra, ndoshta mijëra çifutë, nuk është [fakt] i njohur mjaftueshëm në Izrael, në botën çifute. Ne duhet ta mësojmë këtë kapitull më mirë”, porositi ambasadori izraelit.

Pllaka përkujtimore për viktimat hebraike të Holokaustit, është vendosur në pjesën e gjelbëruar ndërmjet dy ndërtesave në Prishtinë, të Qeverisë dhe Parlamentit.

Memoriali, ndërkaq, është vënë me qëllim në këtë hapësirë, për të lënë një shenjë, që në këtë vend para gjysmë shekulli ka qenë Sinagoga e Prishtinës, e rrënuar në vitin 1963.

Pllaka ka gjerësi prej një metri dhe është e lartë 2 metra, ajo është e punuar në mermer të bardhë, kurse në të shkruan se ajo po ngrihet në shenjë përkujtimi për hebrenjtë e Kosovës që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit.

“Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”, përfundon citati në gjuhën shqipe, i cili është i shkruar edhe në hebraishte, serbisht dhe anglisht.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG