Ndërlidhjet

Huliganizmi në arenat sportive


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Dhuna e cila po manifestohet nga tifozët brenda dhe jashtë arenave sportive në Kosovë, rrezikon që të shndërrohet në fenomenin e ashtuquajtur huliganizëm dhe një gjë e tillë, po e dëmton jo vetëm sportin në kuptimin e ngushtë të fjalës, por edhe ndërkombëtarizimin e tij, vlerësojnë përfaqësuesit e federatave sportive, si dhe përgjegjësit institucional për sportin në Kosovë.

Raste të tilla të manifestimit të dhunës kanë qenë të pranishme në mjaft takime sportive, e sidomos në ato të basketbollit, ku tifozët e klubeve të caktuara, kanë sulmuar fizikisht tifozët e klubeve rivale, lojtarët, madje edhe gazetarët, si dhe kanë thyer apo demoluar ambientet e caktuara dhe mjetet e udhëtimit.

Nazmi Paçarada, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës thotë se rastet e manifestimit të dhunës kanë qenë të pranishme në shumicën e ndeshjeve që janë zhvilluar ndërmjet klubeve që sipas tij, e përbëjnë të ashtuquajturën “katërshja e madhe”..

“Fërkime të tifozëve dhe përplasje ndërmjet tyre, rrahje, ka pasur thuajse në çdo ndeshje kur kanë luajtur ‘katërshja e madhe’, e cila i ka tifozeritë e veta, sikurse Sigal Prishtina, Peja, Trepça dhe Bashkimi. Këto i kanë tifozeritë e veta në mënyrë të organizuar, të cilat shkojnë nëpër ndeshje dhe ka ardhur deri te përplasja e tyre".

Mirëpo, ne (FBK) është dashur ta marrim një vendim që t’i anulojmë udhëtimet që janë në mënyrë të organizuar të shikuesve, në ndeshjet që luhen jashtë”.


Ndonëse gjatë viteve të fundit ishte krijuar përshtypja se në fushat e futbollit nuk ka kacafytje të dhunshme të lojtarëve apo tifozëve, kjo përshtypje tashmë është prishur, vlerëson Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sipas tij, nuk mund të thuhet se dhuna në fushat e futbollit është dukuri, por megjithatë ka raste që e prishin imazhin e dëshiruar..

“Pas tre apo katër vjetësh është hera e parë që ka pasur lojtarë që janë kacafytur, sepse kanë qenë shembull lojtarët deri më tash. Sigurisht, fajin kryesor e kanë kryesitë e klubeve me gjithë trajnerët, sepse po të jenë ata vigjilent ata, nuk do të ndodhnin këto gjëra".

"Nevojitet vetëm një shkëndijë për tu aktivizuar ajo energjia negative, sidomos te një pjesë e rinisë, për fat të keq. ne ua kemi dërguar klubeve një dokument, material, se si duhet të organizohet ndeshja. Por për fat të keq, ka edhe klube që nuk e qajnë fort kokën, por vetëm e bëjnë sa për sy e faqe”.


Fajësimin e klubeve për tifozerinë jokorrekte e bën edhe Paçarada.

Sipas tij, Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë masat adekuate sipas akteve normative për çdo rast të shfaqjes së dhunës gjatë ndeshjeve. Ai ka theksuar se klubet sportive duhet tu tregojnë tifozëve se cili është roli i tyre dhe jo t’i faktorizojnë ata, ashtu siç po ndodhë, sipas tij, madje edhe në vendim-marrje...

“Këtu, shpeshherë, ndodhë që ata edhe faktorizohen. Kjo është e meta, sepse nëse ata faktorizohen në një masë atëherë, në fakt, s’ka kush t’i ndalë më ata".

"Nëse nuk funksion edhe ligji, që thjeshtë ato raste kur janë, t’i vazhdojnë në procedura mëtutjeshme prokurorët dhe gjykatat, atëherë aty më nuk ka kuptim dhe nuk dihet se kush çka është. Nëse ai (tifozi) nuk ka frikë nga ligji, atëherë kushdo bën çfarë të dojë”.


Në anën tjetër zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se rastet e dhunës në arenat sportive trajtohen si edhe rastet tjera. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Brahim Sadriu thotë se angazhimi i policisë por të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjeve bëhet me kërkesën e klubeve..

“Kur policia ofron siguri, gjithmonë është në koordinim me organizatorin. ka pasur raste që ata kanë kërkuar që ne ta largojmë një pjesë të shikuesve dhe ne i kemi larguar ose për shembull, kur ka pasur ndonjë vandalizëm, ata na kanë kërkuar dhe ne kemi intervenuar".

"Ka pasur nga pak edhe raste kur simpatizuesit i kanë gjuajtur autobusët simpatizuesve të klubit tjetër. Këto i kemi hapur si raste për dëmtim prone ose sulm ndaj personit, varësisht prej veprës që dyshohet se është kryer”.


Sadriu ka shtuar se rastet e tilla janë dërguar në gjykata. Por, Salihu, thotë se në mjaft raste gjykatat nuk kanë treguar efekte në këtë drejtim...

“Ka pasur raste kur janë ndaluar, si të arrestuar, një grup prej 3 – 4 vetash dhe prokuroria i ka lëshuar pas 10 minutash. Kjo nuk mund të ndodhë. Duhet të kuptohet se çdo njeri, nëse bën një shkelje, kundërvajtje apo ndoshta vepër penale, duhet të më seriozisht me pasë qasjen prokuroria dhe gjykatat tona”.

Institucionet qeveritare përgjegjëse për sportin thonë se janë të vetëdijshëm për dukuritë negative që manifestohen në arenat sportive.

Malësor Gjonbalaj, këshilltar i Ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport, ka theksuar se janë të zhgënjyer me njerëzit pjesëmarrës në sport dhe me gjithë ligjet ekzistuese, ata nuk kanë marrë asnjëherë iniciativë që t’i denoncojnë rastet e dhunës që përbëjnë rrezik për zhvillimin e aktiviteteve sportive..

“Sigurisht që gjatë plotësim- ndryshimeve të ligjit ne i kemi futur dhe janë të parapara dënimet për rastet e tilla dhe po ashtu në Kodin penal të Kosovës parashihen qartë dënimet drastike për të gjithë ata që bëjnë sjellje flagrante në fushat sportive".

"Kemi pasur raste të dhunës fizike në ndeshje të futbollit, por un nuk di që dikush e ka paditur dikë. Në basketboll e në të gjitha. unë nuk dëshiroj t’i parcializoj. Unë ftoj që gjithë ata që sulmohen dhe që shohin sjellje të tilla, bazuar në ligjin në fuqi, t’i padisin”.


Ndryshe, Gjonbalaj ka shtuar se Ministria përgjegjëse për sportin, gjatë këtij viti do të bëj një ligj të veçantë lidhur me dhunën në sport, por edhe një fushatë vetëdijesimi që njerëzit ta kuptojnë qartë se dhunë është e ndaluar në sport.
XS
SM
MD
LG