Ndërlidhjet

Obama shpall kufizime për sulmet e telekomanduara

  • RFE /RL

Presidenti amerikan Barak Obama ka vendosur një kurs të ri në luftën e Amerikës kundër terrorizmit, duke i definuar më saktë kërcënimet dhe duke shpallur standarde më të larta për sulmet e telekomanduara të SHBA-së.

Në të njëjtën kohë, ai mbrojti përdorimin e avionëve pa pilotë, apo dronëve si masë ligjore, efektive dhe kryesore përballë rreziqeve të reja me të cilat përballet Amerika.

“Forcat ajrore konvencionale apo raketat janë shumë më pak të sakta sesa dronët, dhe ka të ngjarë që të shkaktojnë vdekjen e më shumë civilëve dhe zemërimin lokal. Invazioni në këto territore bën që të na shikojnë si ushtri pushtuese; lëshon një rrëke të pasojave të paqëllimshme; përmbajta është e vështirë dhe në fund të fundit fuqizon ata që duan konflikt të dhunshëm”, u shpreh Obama.

Këtë javë Obama nënshkroi kufizime të rrepta mbi përdorimin e dronëve kundër terroristëve të dyshuar.

Tani një individ që është në shënjestër duhet të paraqesë “kërcënim të vazhdueshëm dhe të pashmangshëm kundër Amerikës.” Më parë, ky standard ishte “një kërcënim i rëndësishëm.”

Në fjalimin e tij në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington, ai tha se administrata e tij ka vepruar gjithmonë e përmbajtur:

Amerika nuk ndërmerr këto sulme, kur kemi mundësinë që të arrestojmë terroristët- preferenca jonë është gjithmonë që të kapim, marrim në pyetje dhe të ndjekim penalisht ata. Amerika nuk i zgjedh sulmet kurdo. Veprimet tona janë të ndërlidhura me konsultime me partnerët dhe duke respektuar sovranitetin shtetëror".

"Amerika nuk ndërmerr sulme për të ndëshkuar individët - ne veprojmë kundër terroristëve, që paraqesin kërcënim të vazhdueshëm dhe të pashmangshëm ndaj popullit amerikan, dhe kur qeveritë tjera nuk janë të afta për të adresuar në mënyrë efektive kërcënimin
”, u shpreh Obama.

Shtëpia e Bardhë ka luftuar gjatë me dilemën morale të viktimave civile të shkaktuara nga sulmet e telekomanduara, veçanërisht në Pakistan. Obama tha se ai “përndiqet” nga këto vdekje.

Ai tha se politikat e tij të reja synojnë që të vënë Shtetet e Bashkuara në një rrugë të përfundimit të luftës kundër terrorizmit dhe që të vendosin Amerikën përsëri në pozicion paqeje.

Presidenti i ka përshtatur komentet e tij në kontekstin e identitetit kombëtar të Amerikës, duke thënë se, “historia do të hedhë një gjykim të ashpër në këtë aspekt të luftës sonë kundër terrorizmit dhe ndaj nesh që nuk arritëm ta përfundojmë atë.”

Shifrat zyrtare amerikane të numrit të sulmeve dhe të viktimave mbeten të klasifikuara, por nga vlerësime të ndryshme sugjerohet se kanë qenë rreth 400 sulme të telekomanduara, që janë kryer nga viti 2004, shumica në Pakistan, por edhe në Jemen, Somali dhe vende të Afrikës së Veriut.

Studimet flasin për rreth 3 mijë të vrarë nga sulmet e telekomanduara, përfshirë këtu edhe militantë, edhe civilë.

Obama tha se i ka kërkuar administratës së tij opsionet e rritjes së mbikëqyrjes së programit të sulmeve të telekomanduara, ose me një bord mbikëqyrës të pavarur në degën ekzekutive ose përmes një gjykate të posaçme për të vlerësuar dhe autorizuar veprimet vdekjeprurëse.

Anthony Kordesman, një ish drejtor i vlerësimit të inteligjencës për Departamentin e Mbrojtjes, tani në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se çdo komision i mbikëqyrjes do të duhet të punojë më shpejt dhe të mos marrë parasysh mendimet e zyrtarëve të cilët avokojnë sulmet e telekomanduara.

Ai gjithashtu tha se kufizimet e reja mbi përdorimin e dronëve nuk janë domosdoshmërish zhvendosje e rëndësishme e kësaj politike.

“Mendoj se ky do të jetë problem: presidenti ndoshta vendos kufizime më të mëdha në përdorimin e dronëve, por siç ka theksuar ai në fjalim, ato shpesh janë mekanizmi më i mirë për grupet terroriste. Dhe këto rregulla duhet të zbatohen lëvizje pas lëvizje dhe rast pas rasti”, u shpreh Kordesman.

Obama gjithashtu tha se ai do të përsërisë qëllimin e tij për të mbyllur objektin e paraburgimit në Guantanamo dhe se ka hequr moratoriumin mbi zhvendosjen e të burgosurve të Guantanamos në Jemen.

Një grevë e përhapur e urisë në burg e ka theksuar situatën e dëshpëruar të 166 të burgosurve, që SHBA po i mban në një kohë të pacaktuar, shumë nga ta pa aktakuzë ose që tashmë janë shfajësuar nga ndonjë keqbërje.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG