Ndërlidhjet

logo-print

A do të ketë reforma pas fuqizimit të Ligjit për shëndetësi?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Pas shumë debatesh dhe mospajtimesh mes vetë profesionistëve shëndetësorë, sindikalistëve të shëndetësisë, e anëtarëve të grupit punues, Ligji për shëndetësi ka hyrë në fuqi më 22 maj 2013.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, thotë për Radion Evropa e Lirë se hyrja në fuqi e Ligjit të shëndetësisë, shënon edhe fillimin e fazës së parë të reformës, e që do të pasojë edhe me fazën e dytë me themelimin e fondit për sigurime shëndetësore.

“Ligji i shëndetësisë nënkupton një decentralizim politik të shëndetësisë, pra një largim të politikës nga menaxhimi dhe një përqendrim të kapaciteteve profesionale të institucioneve shëndetësore në kuadër të shërbime kombëtare të linjës që do të jenë pjesë përbërëse e shërbimit spitalor dhe klinik universitar të Kosovës”, thotë Agani.

Një grup deputetësh të Parlamentit të Kosovës, patën bërë një kërkesë për pezullimin e katër neneve brenda ligjit, duke e dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese. Si rrjedhojë, tre paragrafë brenda nenit 41, janë pezulluar.

Ministri Agani mendon se pezullimi i këtyre paragrafëve brenda nenit, nuk e pengon zhvillimin e reformës shëndetësore, megjithatë e vështirëson punën e Ministrisë së Shëndetësisë në zbatimin e plotë të ligjit.

“Anulimi i tre paragrafëve të nenit 41, në një mënyrë ia ka vështirësuar punën Ministrisë së Shëndetësisë, në procesin e zbatimit të nenit 41, sepse me atë nen është paraparë ndalimi i punës së njëkohshme në sektorin publik dhe privat të shëndetësisë me një qëllim - pra të parandalimit të konfliktit të interesit, pra referimit të pacientëve nga sektori publik në atë privat”, shprehet Agani.

Ai pohon se referimi i pacientëve nga sektori publik në atë privat është një dukuri e palejueshme, e cila, sipas tij, duhet të çrrënjoset:

“Ne, si ministri, duhet të organizohemi edhe më mirë në zbatimin e plotë të tre paragrafëve të tjerë që kanë ngelur në ligj, e që ndalojnë referimin e pacientëve. Ne do ta çrrënjosim këtë dukuri që është tejet e rëndë, e që ka cenuar qytetarin e vendit, duke e shndërruar atë nga nevojtari, në një objekt të shfrytëzimit financiar”.

“Për mua, si ministër, kjo ka qenë e palejueshme dhe do të bëjmë çmos që ta çrrënjosim këtë dukuri sa më shpejt, përmes sanksioneve dhe mbledhjeve me drejtorët e spitaleve private. Kjo vlen edhe për përshkrimin e barnave nga kompanitë e caktuara farmaceutike”
.

Ndërkaq, zyrtarë nga Federata e Shëndetësisë mendojnë se me hyrjen në fuqi të Ligjit të shëndetësisë, situata aktuale në shëndetësinë kosovare, nuk do të ndryshojë.

Blerim Syla, udhëheqës i Federatës së Shëndetësisë, thekson për Radion Evropa e Lirë se pa miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, gjendja në shëndetësinë kosovare do të mbetet e njëjtë.

“Qëllimi i federatës ka qenë ndryshimi i 18 amendamenteve brenda ligjit. Tashmë kanë filluar reagimet e para se ky ligj nuk do të jetë i zbatueshëm pa Ligjin për sigurime shëndetësore”.

“Unë i respektoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Por, ky ligj pa aprovimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, do të jetë i pazbatueshëm për shkak se shumë mekanizma pretendohen të jenë në këtë ligj e që ndërlidhen me Ligjin e sigurimeve. Unë dëshiroj që të përmirësohet gjendja, por jam skeptik që do ta kemi një të ardhme të mirë”,
shprehet Syla.

Ndërkaq, Ferid Agani e ka një shpjegim të vetin lidhur me Ligjin për sigurime shëndetësore:

“Mendoj se hyrja në fuqi e Ligjit të shëndetësisë, e shënon fillimin e fazës së parë të sistemit shëndetësor e që e nënkupton fazën e dytë, fillimin e reformimit të financimit shëndetësor përmes themelimit të fondit të sigurimeve shëndetësore. Pra, fillimi i zbatimit të Ligjit të shëndetësisë mundëson edhe fillimin e punës, në miratimin e Ligjit të sigurimeve shëndetësore”.

Profesionistë shëndetësorë kanë deklaruar se Ligji i shëndetësisë, i cili ka hyrë në fuqi dhe nuk është miratuar si pako legjislative së bashku me Ligjin për sigurime shëndetësore, efektet e tij do të jenë të mangëta dhe, sipas tyre, mund të shkaktojnë zbrazëtira juridike.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG