Ndërlidhjet

Tensionet ndëretnike: Indiferentizmi çon në përshkallëzim


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, jo që nuk janë në nivelin e dëshirueshëm, por ato nga dita në ditë po përkeqësohen duke rrezikuar të ardhmen e vendit.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndëretnike, duke komentuar raportin e fundit të "Amnesty International", në të cilin po ashtu konstatohet përkeqësim i raporteve ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni.

Milaim Fejziu, ish-drejtues shumëvjeçar i Forumit demokratik për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, thotë se tendosja e raporteve ndëretnike është pasojë e, siç shprehet ai, diskriminimit të njërit komunitet ndaj tjetrit, jo vetëm nga ana e institucioneve, por edhe nga njerëzit e rëndomtë.

"Një pabarazi e madhe para ligjit është evidente, nuk ka vend qoftë në fushë sporti, kulture, media që nuk zgjidhen mjete, jo vetëm nga qytetarët e rëndomtë, por edhe nga përfaqësuesit e institucioneve, që nuk e përbuzim qytetarin shqiptar këtu në Maqedoni".

"Kjo nuk është e rastit, ka një prapavijë. Ata që e kanë hartuar këtë strategji, e dinë më së miri se edhe më parë marrëdhëniet ndëretnike nuk kanë qenë në nivelin e duhur, por nuk ka pasur një urrejtje të shprehur siç po bëhet tash, e sidomos në këtë vitin e fundit”,
thotë Fejziu.

Ndërkohë, Vllado Dimovski, nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, thotë se fajtor kryesor për prishjen e raporteve ndëretnike mbeten partitë politike apo strukturat shtetërore, të cilat, sipas Dimovskit, gjithmonë kur dështojnë në përcaktimet e tyre, i përdorin raportet ndëretnike për të larguar vëmendjen nga dështimet e tyre.

"Unë vazhdimisht përsëris se marrëdhëniet ndëretnike janë një fushë shumë e brishtë në Maqedoni dhe gjithmonë kur shtetit i del makina nga kontrolli, apo i ngushtohet rrethi, atëherë vë në funksion keqpërdorimin e raporteve ndëretnike. Shteti ka pasur mundësi të kontrollojë situatën dhe të mos lejojë incidentet që kanë ndodhur së fundit, por për fat të keq këtë nuk e ka bërë”, vlerëson Dimovski.

Edhe Milaim Fejziu pohon se sikur të donte shteti, situata nuk do të përshkallëzohej, por kjo gjendje, sipas tij, nuk do të shkojë në pafundësi nëse institucionet vazhdojnë të jenë të papërgjegjshme ndaj situatave të këtilla.

"Këto institucione unë nuk kam përshtypjen se nuk munden ta bëjnë atë, ato kanë potencial për një gjë të tillë, por unë dyshoj se ato nuk dëshirojnë ta bëjnë atë. Ky është rreziku më i madh që i kanoset Maqedonisë, pasi kjo nuk mund të zgjasë në pafundësi. Kjo një ditë do të ketë fundin e saj, por fundi do të jetë një ndarje klasike mbi baza etnike".

"Pra, një zgjidhje do të ofrohet pasi kështu nuk mund të shkohet në pafundësi”,
konsideron Fejziu, ish-drejtues shumëvjeçar i Forumit demokratik për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Përshkallëzimin e situatës nuk e përjashton as Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.

"Unë pres që periudhën e ardhshme apo deri në publikimin e raportit të BE-së, e kështu me radhë për Maqedoninë, të mos ketë ndonjë përkeqësim të madh, por për më tej nuk jam shumë optimist”, shprehet Dimovski, duke bërë si fajtor kryesor partitë politike për çdo tensionim të raporteve ndëretnike.

Në raportin e "Amnesty International" thuhet se marrëdhëniet ndëretnike janë përkeqësuar si pasojë e shumë incidenteve që e kanë përcjellë Maqedoninë gjatë vitit 2012, si vrasja e dy të rinjve shqiptarë në Gostivar nga një polic maqedonas, vrasja e pesë të rinjve maqedonas në Smillkovcë të Shkupit, draft-ligji për zhdëmtimin e pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurimit gjatë luftës së vitit 2001, e shumë incidente dhe zhvillime tjera politike.
XS
SM
MD
LG