Ndërlidhjet

Investim i paktë në cilësinë e arsimit


Ilustrim
Ilustrim

Sistemi i arsimit në Kosovë në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar. Ankesat më të mëdha fillimisht ishin bërë për mungesë të objekteve shkollore, mirëpo thuhet se kjo problematikë është zbutur deri më tani, derisa problemi, që vazhdon ta rëndojë këtë fushë është cilësia.

Investimi që bëhet për cilësinë e arsimit në Kosovë, nga ekspertë të arsimit, qytetarë e studentë konsiderohet të jetë i pamjaftueshëm.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci, konsideron se investimi më i madh që është bërë në fushën e arsimit, ka të bëjë me ngritjen e pagave të mësimdhënësve, që është realizuar para disa viteve, por më pak ka pasur rritje për shpenzimet rrjedhëse që ndikojnë në cilësinë e arsimit.

“Si përqindje e buxhetit mendoj se arsimi po financohet në kuadër të mundësive buxhetore, mirëpo në Kosovë po shihet se nuk po mjafton, pasi që shkollat dhe komunat, në përgjithësi, nuk po ia dalin që me mjetet që i kanë, t’i mbulojnë shpenzimet dhe të krijojnë parakushtet e nevojshme për cilësi në arsim”, thotë Popovci.

Në arsimin parauniversitarë, sipas Popovcit, duhet të rishqyrtohet seriozisht rrjeti i shkollave, pasi që, siç thotë ai, ka një numër të madh të shkollave ku funksionojnë paralele me numër të vogël të nxënësve, e të cilat kanë shpenzime të mëdha, por edhe në një mënyrë atakohet edhe cilësia për shkak se mungon numri kritik i nxënësve brenda klasës.

Sipas tij, në këtë rast mund të jetë shumë më racionale që ata nxënës të transportohen në një shkollë tjetër, sesa të të investohet në ato paralele të vogla.
Por, sidoqoftë situata më kritike mbetet në arsimin e lartë, shton Popovci.

“Situata akoma më e keqe është në arsimin e lartë publik, ku financimi, i cili jepet për universitet publike, është i pamjaftueshëm dhe nuk mundëson cilësi në punën e këtyre institucioneve”, vlerëson Popovci.

Në anën tjetër, qytetarë dhe studentë konsiderojnë se në fushën e arsimit ka mangësi të shuma. Investimet e bëra, sipas tyre, janë të pamjaftueshme për një sektor kaq të rëndësishëm siç është arsimi.

Durim Siçeva shprehet:

“Mendoj që ka ende nevojë për më shumë investime në arsim, si në infrastrukturë, si në kualitet të mësimdhënies, nga ky sektor varet e ardhmja jonë”.

Ngjashëm mendon edhe Adem Ilazi:

“Është investuar aq sa ka mundësi, ka nevojë për investim edhe më shumë në të gjitha fushat, e më së shumti në arsim”.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë thonë se janë bërë investime brenda mundësive buxhetore që kanë pasur dhe se investimet janë dedikuar më së shumti në ndërtimin e objekteve shkollore, pasi që, siç thonë ata, ishte konsideruar si i domosdoshëm, gjatë këtyre viteve të fundit.

“Ministria e Arsimit ka investuar në fushën e infrastrukturës në objektet shkollore, duke marrë parasysh se gjendja nuk ka qenë e mirë në ato objekte. Deri më tani janë ndërtuar 92 objekte shkollore, e që është investim i madh”, bën të ditur zëdhënësi i MASHT-it, Arbër Morina.

Sa i përket investimeve që Ministria e Arsimit i ka bërë në cilësinë në arsim, Morina thotë se për këtë kanë pasur shumë projekte, të cilat kanë ndikuar në rritjen e cilësisë në arsim. Ai e konsideron licencimin e mësimdhënësve, investim në cilësi të arsimit.

“Ministria e Arsimit ka investuar edhe në ngritjen e cilësisë së arsimit dhe po vazhdon pandërprerë për aq sa ka kapacitete financiare. Një ndër investimet që është bërë, është licencimi i mësimdhënësve, ku janë licencuar rreth 19 mijë mësimdhënës”, shton Morina.
XS
SM
MD
LG