Ndërlidhjet

logo-print

Kongresistët amerikanë në Lutjet e Mëngjesit në Kosovë


Ilustrim

Ilustrim

Me mesazhe paqeje, tolerance e pajtimi është zhvilluar të shtunën në Prishtinë takimi i dhjetë i Evropës Juglindore - Lutjet e Mëngjesit. Aty kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës, kongresistë amerikanë, si dhe mysafirë nga rajoni dhe Evropa.

Panelistët u angazhuan që të gjithë të luten për njëri-tjetrin për të mirën e përbashkët që gëzojnë popujt e shtetet.

Lutjet e Mëngjesit janë një traditë tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë me këtë rast kongresisti Bob McEwen.

“Janë tri burime të pushtetit, është fuqia ekonomike, ushtarake apo politike dhe ajo shpirtërore”, ka thënë McEwen. Qëllimi i këtyre lutjeve, vijoi ai, nuk është as ekonomik e as politik, por është një konferencë shpirtërore duke e kuptuar se fryma e Zotit sjell lirinë.

“Janë të bekuara kombet të cilat në brendinë e tyre e kanë Zotin dhe besimin”, ka thënë Bob McEwen.

Ndërkaq, kongresisti tjetër amerikan Robert Alderhort ka thënë se ishte nder për të që të kthehej sërish në Kosovë, ku, ka vlerësuar se kishte parë ndryshime të shumta. Ai i ka siguruar të gjithë të pranishmit se në Kongresin Amerikan ka shumë miq të Kosovës dhe rajonit.

Alderhort ka theksuar se në Uashington, republikanë e demokratë bashkohen çdo javë diskutojnë dhe luten së bashku, madje edhe atëherë kur nuk pajtohen për politikën.

“Ndikimi politik, ushtarak e ekonomik janë të rëndësishme por ndikimi më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm është dashuiria ndaj Zotit”, është shprehur Robert Alderhort.

Më pas, me nga një fjalim të pranishmëve në këto lutje u janë drejtuar edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike.

Atifete Jahjaga gjatë fjalimit të saj

Atifete Jahjaga gjatë fjalimit të saj

Presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se Republika e Kosovës është në një moment shumë të rëndësishëm për fuqizimin e shtetit duke pasur për prioritet interesin e secilit qytetar.

“Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Është model se si funksionon një shtet shumetnik dhe si shembull konkret se si diversiteti është vlerë e një shoqërie”, ka thënë presidentja.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar marrëveshjen e fundit të arritur në dialogun me Serbinë, si një kthesë të madhe për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit.

Pas 100- vjet konfliktesh e problemeve, më në fund, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje paqeje, ka thënë Thaçi.

“Me marrëveshjen Kosovë-Serbi nuk ka humbës. Me të fitoi paqja, fituan popujt e të dyja vendeve, fitoi Kosova, fitoi Serbia, fitoi rajoni, fitoi BE-ja, investimi i saj, i SHBA-së, i NATO-s. Fituan të gjithë”, ka thënë Thaçi.

Në Lutjet e sivjetme të mëngjesit kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e bashkësive fetare, ata të partive politike dhe personalitete të artit e kulturës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG