Ndërlidhjet

Vullnetarët kanë shpërndarë 10 mijë balona rozë për banorët në Kabul, një ditë pas shpërthimeve dhe të shtënave në kryeqytetin afgan. Balonat janë dorëzuar për kalimtarët në qendër të qytetit.

Ngjarja “Ne besojmë në balona” u organizua nga artisti nga Nju Jorku Yazmany Arboleda, i cili ka organizuar veprime të ngjashme në Keni, Indi dhe Japoni.

Arboleda tha se çdo tullumbace përmban një mesazh të shkruar nga vullnetarët e paqes në mbarë botën.

Zarlasht Sarmast, një artiste afgan dhe koordinatore e projektit të balonave ka folur për agjencinë e lajmeve Reuters, ku ka treguar qëllimin e projektit.

“Ne i treguam botës, dhe duam t’i tregojmë edhe popullit të Afganistanit se nëse japim 10 mijë balona rozë për Afganistanin, ne do të japim edhe 10 mijë mundësi që sjellin lumturinë në mëngjesin e dikujt në këtë të shtunë, që është dita e parë e javës dhe të gjithë shkojnë në punë”, u shpreh Sarmast.

Dhe, reagimet e banorëve të Kabulit kanë qenë pozitive.

“Këto balona në fakt nuk nënkuptojnë asgjë, por bartin ambicie të madhe për njerëzit, që është paqja. Kjo tregon se të gjithë afganët duan paqe. Unë personalisht kërkoj paqe, andaj edhe e mbaj këtë balonë”, u shpreh banori Aziz Jan.

Data e projektit është mbajtur sekret, në mënyrë që të mbrohej nga kërcënimet e mundshme.

Të premten, forcat afgane të sigurisë kanë luftuar me militantët talibanë për orë të tëra në Kabul, pasi që një shpërthim goditi një objekt që përdorej nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim. Së paku tetë vetë u vranë në dhunë, duke përfshirë militantë, roje dhe civilë.

Më shumë hollësi ka dhënë në një konferencë të shtunën për gazetarë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Sediq Sediqi.

Si rezultat i sulmit, tre nga shtetasit tanë kanë rënë martirë, e aty përfshihen një polic afgan dhe dy civilë. Në total janë plagosur 17 persona, ku përfshihen 10 afganë dhe shtatë të punësuar të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, përfshirë një grua italiane dhe gjashtë roje nepaleze. Të gjithë ata janë dërguar në spital”, u shpreh Sediqi.

Sulmet e talibanëve në Afganistan janë rritur, derisa forcat e huaja planifikojnë që të tërhiqen nga vendi në vitin e ardhshëm.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG