Ndërlidhjet

Irani kërkon "mosndërhyrje" në punët e brendshme


Ministri i Jashtëm iranian Ali Akbar Salehi

Ministri i Jashtëm iranian Ali Akbar Salehi

Mediat iraniane raportojnë se ministri i Jashtëm Ali Akbar Salehi ka kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe Francën për komentet e tyre rreth verifikimit të kandidatëve të mundshëm për zgjedhjet presidenciale të 14 qershorit.

Në komentet e botuara të dielën, Salehi tha se zyrtarët perëndimorë nuk duhet të bëjnë “komente të pajustifikuara” që “ndërhyjnë” në punët e brendshme të Iranit.

Më 21 maj, autoritetet iraniane miratuan vetëm tetë nga 686 kandidatët që kërkonin të merrnin pjesë në garën presidenciale për të pasuar presidentin Mahmud Ahmedinejad, i cili po përfundon mandatin e tij të dytë dhe nuk mund të kandidojë më.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ka kritikuar “mungesën e transparencës” në procesin e verifikimit, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze Phillipe Lelliot iu bëri thirrje autoriteteve iraniane që ta lejojnë popullin iranian të zgjedhë vetë liderët.
XS
SM
MD
LG