Ndërlidhjet

Të rinjtë e pakënaqur me mundësitë që ofron Kosova


Pamje në Prishtinë...
Pamje në Prishtinë...

Të rinjtë kosovarë duket të jenë të zhgënjyer me mundësitë që i ofron vendi për ta. Ata kanë adresuar një varg kritikash ndaj autoriteteve të Kosovës, e në veçanti ndaj institucioneve kompetente që mund të bënin zgjidhjen e problemeve si papunësia, liberalizimi i vizave, mundësi më të mira për shkollim etj.

Në rubrikën tonë të përjavshme, VOX, kemi marrë mendimet e disa qytetarëve rreth asaj se sa mendojnë ata se Kosova ofron mundësi për ta.

Gazmend Bytyçi thotë se shpëtimi i vetëm për të rinjtë është liberalizmi i vizave, sepse, siç thotë ai, në Kosovë nuk sheh të ardhme.

"Kosova asnjë mundësi nuk na ofron. Me padurim e presim liberalizimin e vizave, ajo është e ardhmja jonë. Unë shpresoj atëherë të dal jashtë Kosovës dhe ndoshta do ta gjej veten. Nuk ka ardhmëri për rini, këtu vetëm dita dhe nata ndërron,se asnjë lëvizje nuk ndodh", shprehet Gazmendi.

Edhe Adriatik Gacaferri, jep mendimin e tij rreth asaj se sa ofron mundësi Kosova për të rinjtë:

"Ka më shumë se 20 vjet jemi të izoluar, nuk kemi të drejtë të udhëtojmë lirshëm. Unë mendoj se e gjithë Qeveria duhet të ndërrohet. Të gjithë të rinjtë ta marrin në mbikëqyrje shtetin dhe të ecim përpara".



Ngjashëm mendon edhe Lulzim Hajdaraj:

"Unë jam shumë i zhgënjyer për vete. Isha në një trajnim jashtë vendit dhe vetëm nga autobusi ku isha unë, janë ndalur rreth 30 të rinj për të vazhduar për në Evropë. Për çdo ditë nga 20-30 të rinj e lëshojnë Kosovën. Uroj të bëhet më mirë. Me një pagë 300 euro aq sa është edhe mesatarja në Kosovë, nuk e di si jetohet".

Por, ka edhe të tillë që janë optimistë dhe mendojnë se me uljen e korrupsionit do të mund të bëhet mirë në Kosovë. Kështu shprehet edhe Agim Gashi.

"Varet pak edhe prej neve se sa punojmë. Unë jam mesatarisht i kënaqur me kushtet që i ofron Kosova. Atë çka do ta ndërroja unë, është ulja e korrupsionit", thotë Agimi.

Edhe Shndrit Cocaj, student në Fakultetin Ekonomik, konsideron se duhet kërkuar e punuar më shumë.

"Unë mendoj se ka mundësi të mëdha kush do të punojë. Ka mundësi, kush dëshiron edhe mund ta gjejë veten", pohon Shndriti.

Ndërkaq, ka edhe të tillë që mendojnë se moskujdesi institucional nis që në ciklin e ulët, që në hapat e parë të arsimimit, fëmijëve nuk u ofrohen kushte, e që vazhdon edhe në gjimnaze e fakultete.

"Ka shumë nxënës që nuk i kanë kushtet as të shkollohen. Unë mendoj se Kosova nuk ofron asgjë. Për shembull, në shkollën tonë nuk ka as kabinete që do të mund të avancoheshim", thotë Ardiana Ahmeti.

Ndër problemet që do të mund të eliminoheshin nga ana e institucioneve përgjegjëse, të rinjtë përmendin edhe hapësirat e ngushta ku ata mbajnë ligjëratat. Studentët thonë se ato salla duhet të jenë më të mëdha, pasi që numri i studentëve në disa fakultete është shumë i madh.

Studentja Medina Shallci konsideron se studentët në vend që të përqendroheshin vetëm në cilësi, ata përballen me kushte jo të mira mësimi si pasojë e sallave të vogla dhe numrit të madh të studentëve.

"Në përgjithësi, nuk është shumë keq, por për shembull, kushtet për mësim nuk janë aq të mira. Nuk ka kushte për mësim, për përqendrim. Duhet më shumë hapësirë dhe gjithashtu duhet të jetë më në nivel arsimi në mënyrë që studentët të kenë më shumë sukses, sepse vetëm atëherë Kosova mund të ecë përpara", konsideron Medina.

Edhe Sabedin Beqiri shprehet i pakënaqur në përgjithësi me situatën aktuale që po mbretëron në Kosovë.

"Duke e parë situatën ekonomike, nuk është aspak mirë. Kishim ndryshuar shumë gjëra, por nuk varet nga ne se çka do të ndryshonim. Në Kosovë ka më shumë se 30 vjet nuk janë ndërtuar fabrika, edhe ato që kanë qenë, vetëm janë shkatërruar, janë shitur dhe asnjë lëvizje pozitive nuk ka ndodhur".

Me mbi 35 për qind të moshës 15 deri 24-vjeçare dhe mbi 65 për qind nën moshën 30-vjeçare, rinia paraqet grupmoshën më të madhe të popullsisë në Kosovë. Por, e madhe nuk duket të jetë dhe përkujdesja institucionale ndaj shqetësimeve dhe problemeve, me të cilat ballafaqohet kjo pjesë e popullsisë.

E zhgënjyer nga autoritetet e Kosovës, duket të jetë edhe Besa Ymeri.

"Mjaft shumë e zhgënjyer, duke e parë edhe situatën çdo ditë e më të vështirë. Çdo ditë diplomojnë studentë, magjistrojnë dokotorojnë dhe sillen rrugëve pa punë. Gjithmonë duhet ta gjejnë një rrugë për të ikur nga Kosova. Çdo i ri kërkon një jetë më të mirë dhe po ikin nga Kosova. Nuk e di a po e shohin udhëheqësit tanë këtë situatë, sepse ne i kemi ngritur në ato pozita, por edhe ata duhet bërë për këtë popull", shprehet Besa.

Ndërkaq, Lendita Bijevci, studente në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, thotë se ka jetuar 15 vjet në shtetin gjerman dhe Kosovën e sheh si një vend me mundësi të vogla për të rinjtë.

"Shumë pak ofron mundësi. Kushtet janë shumë të vështira. 15 vjet kam jetuar në Gjermani, dhe tash jam kthyer këtu. Por, jeta shumë e vështirë. Edhe po të kërkosh punë, nuk ka sukses", tregon përvojën e saj Lendita.
XS
SM
MD
LG