Ndërlidhjet

Implikimi i OSBE-së në zgjedhje shkel Kushtetutën dhe ligjet


Zveçan, maj 2012

Zveçan, maj 2012

Implikimi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për mbajtjen e zgjedhjeve komunale në veriun e Kosovës, i cili parashihet në pikën 11 të marrëveshjes së 19 prillit në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, në çfarëdo forme tjetër, përpos në rolin e vëzhguesit, do të ishte në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese.

Në pikën 11 të kësaj marrëveshjeje, thuhet se “zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare”.

Profesori Riza Smaka, ekspert i së drejtës kushtetuese, vlerëson se implikimi në këtë rast i OSBE-së, nuk do të duhej të ishte në rolin e lehtësuesit të mbajtjes së zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Në këtë rast, për t'u realizuar zgjedhjet, së paku në mënyrën që e përcakton Ligji për zgjedhjet, do të duhej që OSBE-ja të ishte në funksion të sinqertë, kuptimplotë, të dedikuar dhe të devotshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, vlerëson Smaka.

Profesori Mazllum Baraliu, po ashtu, ekspert i së drejtës ndërkombëtare, thotë se Ligji për zgjedhjet dhe Kushtetuta e Kosovës specifikojnë qartë se kompetencat për organizimin e zgjedhjeve në vend e kanë institucionet e Kosovës dhe mbi të gjitha, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çfarëdo ndërhyrje jashtë asaj që e specifikon ligji, siç thotë ai, nuk mund të konsiderohet legale.
Ligji nuk parasheh asnjë formë të ndërhyrjes, përveç monitorimit ndërkombëtar dhe që është në bazë të standardeve ndërkombëtare.

“Ligji nuk parasheh asnjë formë të ndërhyrjes, përveç monitorimit ndërkombëtar dhe që është në bazë të standardeve ndërkombëtare. Do të thotë, të vëzhgimit të zgjedhjeve, por jo edhe ndërhyrje. Çdo lloj i lehtësimit është në fakt ndërhyrje ose depërtim në kompetencat e institucioneve tona".

"Prandaj, po të ndodhte kjo, në njërën anë është cenim dhe interferim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore dhe në anën tjetër, është mosbesim në strukturat institucionale të organeve kompetente të Republikës së Kosovës. Nuk ka të drejtë OSBE-ja dhe këtë duhet besuar organeve tona”
, thotë Baraliu.

Edhe profesori Smaka vlerëson se organizimi i zgjedhjeve lokale në veri dhe përgjithësisht në vend apo çfarëdo lloj ndërhyrje, qoftë si ndihmë apo lehtësim nga ana e OSBE-së, do të binte ndesh me Kushtetutën e vendit, por, sipas tij, specifikat aktuale në veri janë ndryshe nga pjesa tjetër e vendit.
Gjithsesi, që nuk do të ishte në konformitet, në harmoni dhe konsistencë me Kushtetutën.

“Gjithsesi, që nuk do të ishte në konformitet, në harmoni dhe konsistencë me Kushtetutën. Mirëpo, në kontekstin e forcave në terren, raportit të forcave, të kapaciteteve pushtetare të autoriteteve publike të vendit tonë, do të thotë, koncesionet e tilla do të ishin oportuniste, të pranueshme për situatën, për ta bërë një punë pak më të madhe, do të thotë, një hap më tutje, sepse unë dyshoj që autoritetet tona do të mund ta bënin këtë punë”, shprehet Smaka.

Por, profesori Baraliu vlerëson se implikimin eventual të OSBE-së në organizimin apo lehtësimin e zgjedhjeve komunale në veriun e Kosovës, do të mund ta kontestonte kushdo qoftë nga qytetarët e Kosovës.

“Mund ta kontestojë për çdo arsye që mendon se ka shkelje dhe në fakt, shkelja si e tillë mund të interpretohet dhe mund të jetë objekt i trajtimit në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg. Kjo, sepse është shkelje e të drejtave të njeriut, të qytetarëve tanë që të mos jenë të menaxhuar nga institucionet e tyre, të cilat i kanë bërë vetë, i kanë zgjedhur vetë përmes përfaqësuesve të tyre, si dhe Kushtetutën e tyre të cilën e kanë nxjerrë vetë qytetarët e Kosovës”, thekson Baraliu.

Ndryshe, profesor Baraliu shton se edhe partitë dhe strukturat partiake që janë, siç thotë ai, filial të partive amë në Serbi, do të duhej detyrimisht, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, të regjistrohen në Komisionin Qendror Zgjedhor, në Zyrën e regjistrimit dhe certifikimit të subjekteve politike, si parti politike që veprojnë në Republikën e Kosovës, sipas ligjeve të saj, si dhe në frymën dhe brenda Kushtetutës së vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG