Ndërlidhjet

logo-print
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Menderes Kuçi, vlerëson se institucionet përkatëse, gjegjësisht Ministria e Ekonomisë , ajo e Financave dhe dikasteri i Euro-integrimeve anashkalon Maqedoninë veriperëndimore sa i përket investimeve në këtë rajon.

“Kjo pjesë e Maqedonisë në sytë e drejtuesve të institucioneve përkatëse duket sikur nuk është e tyre, ndërkohë që ne, si biznese, po edhe kryetarët e komunave mendojmë se Maqedonia në tërësi duhet të funksionojë si organizëm, dhe nëse diku ka dhembje, atëherë do të jetë i sëmurë i tërë organizmi".

"Kështu që ky konstatim, nuk është vetëm yni, por edhe i kryetarëve të komunave, të cilët direkt kanë shprehur shqetësime, duke i drejtuar tek resorët e caktuar me shpresë që bashkërisht të ndërtojmë një strategji që të shtrihet përkujdesja institucionale edhe në këtë pjesë të vendit”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, Kuçi.

Ndërkohë, ministri i Pushtetit Lokal, Tahir Hani, thotë se Qeveria e Maqedonisë respekton parimin e zhvillimit të barabartë të të gjitha komunave dhe, sipas tij, po në këtë parim bëhet dhe shpërndarja e mjeteve që vijnë nga IPA fondet.

“Ministria e Pushtetit Lokal menaxhon me komponentën e dytë të IPA fondeve për bashkëpunim ndërkufitar, komponentë kjo, të cilën e menaxhojmë disa vjet dhe në këtë drejtim të gjitha subjektet në Republikën e Maqedonisë kanë qasje të barabartë. Deri më tani mund të them se në këtë drejtim janë investuar diku rreth 15 milionë euro. Të gjitha bizneset dhe të gjitha subjektet, të cilat konkurrojnë dhe përmbushin kriteret e parashtruara nga BE-ja, kanë qasje të barabartë”, shprehet Hani.

Ai thekson se konform Ligjit për zhvillim të barabartë regjional, të gjitha komunat janë të barabarta në sytë e Qeverisë:

Ekzistojnë tetë regjione të planifikimit dhe sa i përket Ministrisë së Pushtetit Lokal është një shpërndarje në bazë të një formule, e cila parasheh kriteret për shpërndarjen e mjeteve financiare”.

Por, me këtë nuk pajtohet Menderes Kuçi. Ai thotë se pengesat gjithmonë lidhen me mosbartjen e tërësishme të kompetencave nga pushteti qendror në atë lokal, ku stërkëmbëzat bëhen sidomos nga ministritë që drejtohen nga kuadro të VMRO DPMNE-së.

“Veçanërisht kuadrot e VMRO DPMNE- së shumë leje, shumë gjëra që nuk i lejojnë për bizneset tona, gjegjësisht për shumë investime, për të cilat ata nuk japin dritë jeshile, duke u thirrur në atë se nuk është toka e eksploruar ose toka nuk është e legalizuar dhe kështu me radhë".

"Këto gjëra drejtpërdrejt varen nga dikasteri i Transportit dhe Lidhjeve, që drejtohet nga ministër kuadër i VMRO DPMNE-së nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski, që paraqet një labirint, i cili është detektuar nga ana e biznesit, por edhe nga ana e kryetarëve të komunave. Prandaj presim që të merren masa konkrete për zgjidhjen e kësaj nyje që pamundëson zhvillimin ekonomik në këtë zonë me hovin dhe kapacitetet që ka",
thekson Kuçi.

Ndryshe, edhe Instituti për Politika Evropiane ka theksuar se në bazë të disa hulumtimeve që ka bërë ky institucion, është konstatuar se është evidente mungesa e kapaciteteve të komunave për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, megjithëse siç është shprehur Malinka Ristevska nga ky institucion, më problematike është mungesa e vullnetit politik nga ana e autoriteteve për bartjen e tërësishme të kompetencave nga pushteti qendror në atë lokal.
XS
SM
MD
LG