Ndërlidhjet

Ashton mirëpret miratimin e dyanshëm të planit të zbatimit


Catherine Ashton

Catherine Ashton

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton ka mirëpritur vendimin e Prishtinës dhe të Beogradit për zbatimin e planit të Marrëveshjes së Prillit.

“Mirëpres vendimin e të dyja palëve për miratimin e planit të zbatimit që përkthen në praktikë provizionet e Marrëveshjes së Prillit. Dua edhe njëherë të përgëzoj kryeministrin Daçiq dhe kryeministrin Thaçi për lidershipin dhe vendosmërinë e tyre".

"Angazhimi i tyre personal do të vazhdojë të jetë thelbësor në zbatimin e shpejtë të planit”,
është shprehur përmes një deklarate dërguar mediave, baronesha Catherine Ashton.

Qeveria e Kosovës ka bërë me dije menjëherë pas arritjes së pajtueshmërisë në parim për planin në mes të kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, javën e kaluar në Bruksel, se do ta zbatojë atë. Vendimin për miratim edhe zyrtarisht qeveria e Kosovës e morri të premten, më 24 maj.

Beogradi ndërkaq i dha bekimin këtij plani mbrëmjen e së dielës, pas një takimi të qeverisë serbe.

Shefja e diplomacisë evropiane është shprehur optimiste se plani i zbatimit të marrëveshjes për normalizim raportesh do të zgjidhë problemet në terren.

“Plani i zbatimit do të sigurojë përparim të shpejtë edhe të Serbisë edhe të Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ai paraqet një hap tjetër përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe është pa paragjykime të pozicioneve të të dy palëve karshi statusit të Kosovës”, është shprehur Ashton.

Në deklaratën e Qeverisë së Serbisë është kërkuar pikërisht garancia, që plani të mos paragjykojë statusin e Kosovës. (a.isufi).

Trego komentet

XS
SM
MD
LG