Ndërlidhjet

Qeveria procedon në Kuvend për ratifikim marrëveshjen me Serbinë


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Qeveria e Kosovës do t’i procedojë për ratifikim Kuvendit marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bekim Çollaku, këshilltar i parë politik i kryeministrit të Kosovës.

Ai ka thënë se Kuvendit do t’i procedohet kërkesa për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje e cila përbëhet nga dy anekse, atë për marrëveshjen e 19 prillit dhe planin e zbatimit të datës 22 maj.

Ndërkohë, në Kuvendin e Kosovës, te disa subjekte politike, kishte edhe një lloj konfuzioni.

Përderisa kryetari i legjislativit, Jakup Krasniqi ka thënë se procedurat janë të qarta kur është në pyetje ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve që në numra nënkupton apo 80 vota për.

Krasniqi edhe këtë herë ka shprehur dyshime nëse Serbia do ta zbatojë marrëveshjen, duke rikujtuar se ky vend asnjëherë nuk ka zbatuar ndonjë marrëveshje me Kosovën.

“Kam thënë që me Serbinë edhe kur jemi marrë vesh nuk jemi marrë vesh”, është shprehur Krasniqi.

Në anën tjetër, subjekti më i zëshëm që kundërshton marrëveshjen me Serbinë, Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin dhe qeverinë për dëmtimin e interesave të Kosovës me këtë marrëveshje.

Deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca ka thënë se bashkë me marrëveshjen, Kosova do të detyrohet të aprovojë edhe një pako ligjesh, përfshi edhe atë për amnestimin e strukturave paralele të sigurisë në veri, vetëm e vetëm që t’i përshtatet zbatimit të marrëveshjes sipas kërkesave të Serbisë.

Kjo është krejt e kundërta e asaj që në fillim na e kanë thënë qeveritarët tanë. Në fillim ata patën thënë se procesi do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga Serbia. Por, tash po na thonë që ne duhet të ndryshojmë Kushtetutën dhe ligjet në mënyrë që t’i përshtatemi Serbisë, përderisa Serbia nuk po e ndryshon kushtetutën e vet. Ju e dini që ajo që është e padrejtë në këtë rast nuk është Kushtetuta e Kosovës, por Kushtetuta e Serbisë e cila Kosovën e përmban si pjesë të saj”, ka thënë Konjufca.

Qëndrimet e Vetëvendosjes janë kundërshtuar nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.

Sipas tij, para procesit të bisedimeve shumë subjekte politike mendonin se Kosova po e humb veriun e saj, kurse tani kur është arritur marrëveshja, Grabovci ka vlerësuar se Kosova arriti të ruaj tërësinë e saj duke filluar shtrirjen e autoritetit edhe në këtë pjesë.

“Ne kemi arritur të garantojmë tërësinë territoriale, kufijtë e Kosovës dhe paprekshmërinë e tyre. Të gjithë kanë ardhur në përfundim se veriu është i humbur. E ne atëherë u patëm thënë dhe tash e përsërisim se kurrë veriu dhe asnjë pëllëmbë e tokës së Kosovës nuk do të lejojmë që të humb. Ajo është e jona dhe për këtë është derdhur lum gjaku, djersa, mundi e sakrifica”, ka thënë Grabovci.

Marrëveshja dhe plani i zbatimit kanë marrë mbështetjen edhe nga qeveria në Beograd, ndonëse atje mbetet të shihet nëse e njëjta do të procedohet në parlament si tërësi për ratifikim marrë parasysh pozicionin Serbisë e cila nuk e njeh Kosovën si shtet andaj varet se si do ta interpreton marrëveshjen e arritur.
XS
SM
MD
LG