Ndërlidhjet

Presidenca: Serbia e Bosnja kundër pranisë së Jahjagës në Ohër


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga (foto arkivi)
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga (foto arkivi)
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk ka marrë ftesë zyrtare nga organizatori i Samitit në Ohër.

Nga presidenca bëhet e ditur se pjesëmarrja e Kosovës është pamundësuar për shkak të kundërshtimeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Kjo bie në kundërshtim me parimin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si parakusht i integrimeve evropiane. Përfaqësimi i Kosovës në çdo nismë rajonale dhe ndërkombëtare bëhet mbi bazën e barabarësisë dhe është në frymën e respektimit të subjektivitetit dhe pavarësisë së secilit shtet".

"Republika e Kosovës është dëshmuar si një faktor paqeje në Ballkanin Perëndimor dhe po kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit. Ajo ka ndërtuar politika të fqinjësisë së mirë dhe të respektimit të ndërsjellë dhe përfshirja e saj në nismat rajonale do të ndihmonte në tejkalimin e dallimeve dhe pasojave të së kaluarës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të presidentes, Arbër Vllahiu, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Po sipas tij, pengesat e paraqitura nga pala e tretë për pjesëmarrjen e Kosovës në këto nisma janë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel, me të cilën asnjëra palë nuk do të pengojë dhe as inkurajojë dikë tjetër që të bllokojë përparimin në rrugën e integrimeve.

Fundjavën e ardhshme, në Ohër do të mbahet samiti i presidentëve dhe kryeministrave të Ballkanit.
XS
SM
MD
LG