Ndërlidhjet

logo-print

Kanë: “Palma e Artë” për filmin me tematikë lezbiane

  • RFE /RL

Tregimi i dashurisë lezbiane me titullin “E kaltra është ngjyra më e nxehtë”, e ka fituar çmimin më të lartë të festivalit filmik në Kanë të Francës, “Palma e Artë”.

Juria e kryesuar nga regjisori i njohur i Hollivudit, Steven Spilberg, vendosi që ta shpërblejë filmin, regjisor i të cilit është francezi, me orgjinë nga Tunizia, Abdellatif Kechiche, ndërsa rolet kryesore i interpretojnë aktoret Adele Exarchopoulos dhe Lea Seydoux.

Në komentet e tij para gazetarëve, Steven Spilberg, pranoi se filmi kishte skena të gjalla të seksit, por tha se juria ishte e kënaqur me shfaqjen e shquar të aktoreve dhe për portretizimin e asaj, që ai e cilësoi si “tregim i thellë i dashurisë”.

“Ne ishim absolutisht të magjepsur nga shfaqja brilante e këtyre dy aktoreve të reja dhe nga i tërë filmi, e veçanërisht nga mënyra se si regjisori i vëzhgoi lojtarët e vet, dhe mënyra se si ai i lejoi karakteret që të shpreheshin. Pamjet ishin aq të rëndësishme sa edhe ajo që ata e thoshin, dhe me atë që ata nuk e thoshin. Prandaj neve të gjithëve na u duk se ishte një tregim i thellë i dashurisë”, tha kryesuesi i jurisë, Steven Spilberg.

Regjisori i filmit, që e fitoi “Palmën e Artë”, Abdellatif Kechiche, i lavdëroi përpjekjet e ekipit të filmit, që çuan në arritjen e suksesit.

“Unë gjithnjë them se filmi, ose kur ju keni sukses me film, ju arrini sukses së bashku, dhe kur ju dështoni - ju dështoni së bashku”, tha Kechiche.

Filmi tri orësh e paraqet një romancë me ngritje e rënie të një vajze 15 vjeçare, me emrin Adele, dhe të dashnores së saj, Emma.

Ky është filmi i parë francez, që e ka fituar “Palmën e Artë” prej vitit 2008.

Për rolin më të mirë të femrës u shpërblye Berenice Bejo e Francës, për rolin e saj në filmin “E kaluara” të regjisorit iranian, Asghar Farhadi, ndërsa veterani 76 vjeçar i Hollivudit, Bruce Dern, u shpall aktori më i mirë për rolin e tij si një baba alkoolik në filmin nga periudha e recesionit “Nebraska”, të regjisorit Alexander Payne.

Regjisor më i mirë u shpall Amat Escalante për filmin me dhunë “Heli”, që për temë e ka luftën e grupeve të drogës në Meksikë.

Filmi i dytë më i mirë, që u nderua me Grand Prix, ishte “Inside Llewyn Davis”, i regjisorëve Joel dhe Ethan Coen, për një këngëtare të muzikës popullore në vitet e 60-ta, në Nju Jork. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG