Ndërlidhjet

logo-print

Summers: Rruga e vështirë e eurozonës dhe rritja e SHBA-së


Lawrence Summers

Lawrence Summers

Lawrence Summers është një nga ekonomistët më të famshëm të gjeneratës së tij. Në fillimvitet e 80-ta, ai u bë një nga profesorët më të rinj në historinë e Universitetit të Harvardit. Që nga atëherë ngjitja e tij ka qenë vertikale.

Ai është emëruar si krye-ekonomist i Bankës Botërore në fillim të viteve të ’90-ta para se t’i bashkohej ekipit ekonomik të presidentit Bill Clinton. Në fund të presidencës së Clintonit, Summers është bërë sekretar amerikan i Thesarit. Ai do të ecë tutje, duke u bërë presidenti i Universitetit të Harvardit, për të dhënë dorëheqje në vitin 2006, nga një post i përcjellë me kontradikta.

Nga atje, ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë. Si drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar, ai u bë një nga arkitektët kryesorë të planit stimulues të presidentit Barack Obama, që ishte përgjigje e administratës ndaj recesionit të fundviteve të dekadës së kaluar.

Summers është kthyer në Harvard si profesor në vitin 2011. Në një intervistë me korrespodentin e Radios Evropa e Lirë, Richard Solash, 58 vjeçari tërheq vërejtjen për rrugën e ashpër që ka përpara eurozona, për kurthin potencial të Unionit Euro-Aziatik dhe parasheh një të ardhme të ndritshme për ekonominë e SHBA-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të këtij muaji, agjencia e statistikave e Bashkimit Evropian, Eurostat, ka publikuar të dhëna, që tregojnë se ekonomia e bllokut u tkurr në çerekun e gjashtë radhazi në tre muajt e parë të vitit 2013. A po kthehet lëkundja në prag të recesionit e kontinentit në një “normalitet” të ri?


LAWRENCE SUMMERS
Unë mendoj se kjo është një rrugë shumë e gjatë për Evropën. Është një brishtësi e natyrshme e sistemit të vetëm monetar, që nuk lejon rregullime të kursit të këmbimit dhe nuk lejon rregullime të tjera, si ato të migrimit, tatimeve qendrore dhe shpenzimeve,siç i kemi ne brenda Shteteve të Bashkuara.

Sfida e rifitimit të konkurrencës në periferi (të eurozonës) është shumë e thellë dhe ekzistojnë çështje të mëdha strukturore, andaj unë admiroj në masë të madhe atë çfarë ka bërë Mario Draghi (presidenti i Bankës Qendrore Evropiane) dhe mendoj se rreziqet enjë aksidenti të madh financiar janë shumë më të pakta sesa ishin dikur, por perspektiva e rritjes mbetet shumë e ngadaltë apo negative qe një kohë të gjatë dhe jam i frikësuar se është ende shumë e pranishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Tani për një tjetër union. Presidenti rus Vlladimir Putin ka shtyrë përpara krijimin e një Unioni Euroaziatik, që do të bashkonte disa republika ish-sovjetike nën një çati ekonomike. Disa vende të Azisë Qendrore kanë shprehur mbështetjen paraprake për planin, edhe pse kritikët thonë se kjo është një përpjekje e Moskës të rikthejë pjesë të Bashkimit Sovjetik. Çfarë shihni si avantazh apo kurth të kësaj përpjekjeje ruse?

LAWRENCE SUMMERS
Shumë, shumë shpesh, tregtia më e hapur është një gjë e mirë. Ajo lejon më shumë shkëmbim, më shumë specializim, më shumë njerëz që i duan produktet në një kosto më të ulët. Mendoj se shumë shpesh lëvizja e kapitalit dhe teknologjisë mund të ndihmojë që t’i bëjë sidomos vendet e varfra, më të begata.

Unë gjithmonë hezitoj të bëjë parashikime politike, madje edhe për Shtetet e Bashkuara, e lëre më për vendet e tjera, por unë mendoj se ndryshimet e thella në marrëveshjet politike midis kombeve duhet të trajtohen me shumë kujdes për t’u siguruar se aty nuk është përfshirë shtrëngimi dhe se është kërkuar pëlqimi para ndonjë përpjekjeje për të shkrirë vendet e veçanta në një union.

Pra, unë mendoj se kjo është një fushë ku djalli fshihet në detaje, por derisa lëvizim nga gjërat që ishin më shumë si një zonë e tregtisë së lirë drejt gjërave që janë më shumë si qeveri e përbashkët, shqetësimi im do të rritet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në vitet e fundit, fuqitë ekonomike në zhvillim, shtetet e BRICS - Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – kanë tërhequr shumë vëmendje. Tani, disa analistë thonë se vendet nuk po e përjetojnë publicitetin, pasi ka norma të ngadalësuara të rritjes. Sashumë fuqi ekonomike shihni të sjellë BRICS në vitet e ardhshme?

LAWRENCE SUMMERS
Unë nuk mendoj se ka ndonjë dyshim se qendra e gravitetit të ekonomisë globale është duke ecur në lindje dhe duke lëvizur në jug dhe as nuk ka ndonjë dyshim se ajo, që po quhet si treg në zhvillim, do të vazhdojë të shfaqet, duke u mundësuar nga rritja e popullsisë dhe ndryshimet teknologjike. Ka shumë të ngjarë, që këto vende të gëzojnë norma më të mëdha të rritjes sesa ato të botës industriale. Në të njëjtën kohë, pritja ime është që në dekadën e ardhshme nuk do të shohim rritje të shpejtë siç pamë në dekadën e kaluar në Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë.

Në Brazil, procesi i reformës ekonomike është ngadalësuar. Rusia përballet me sfida të frikshme demografike, sfida të qeverisjes. India përballet me pengesa të konsiderueshme politike, duhet ta ruajë rritjen ekonomike. Kina ka ndërtuar zhbalancime të konsiderueshme – nivele të larta të borxhit në disa sektorë, pabarazi në mes të investimeve dhe konsumit, midis shtetit dhe ndërmarrjeve private – dhe menaxhimi i tyre në vitet e ardhshme do te jetë i ndërlikuar. Pra, po, tregjet të reja do të shfaqen, por mendoj se nuk do të ketë rritje të shpejta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju ishit një nga planifikuesit kryesorë të përgjigjes së presidentit Barack Obama ndaj krizës së fundit financiare. Si do t’i vlerësonit përpjekjet e administratës së Obamës drejt rimëkëmbjes ekonomike dhe rezultatet, që kur keni lënë Shtëpinë e Bardhë?

LAWRENCE SUMMERS
Mendoj se ka ekzistuar një pyetje kryesore për politikën ekonomike, kur ka ardhur në detyrë presidenti Obama. Nëse i keni parë statistikat e GDP-së, statistikat e prodhimit industrial, tregun e aksioneve, masat e tregtisë globale, ato janë shembur më shpejt në mes të vjeshtës së vitit 2008 dhe dimrit të vitit 2009, sesa kur u shembën pas rënies (së Wall Street-it) në vitin 1929. Dhe shtrohej pyetja: a do ketë një Depresion tjetër?

Përgjigja ishte absolutisht e qartë: nuk kishte asgjë të dukej si Depresion tjetër. Ne vështirë se mund të jemi të kënaqur me nivelin e papunësisë që e kemi tani, ekonomia ende po prodhon, jo në kapacitetin e saj më të mirë, por detyra themelore për shmangien e kolapsit ekonomik dhe depresionit u arrit.

Unë besoj se kjo reflekton faktin se presidenti Obama u përgatit për të udhëhequr me guxim, duke u mbështetur në Aktin e Rimëkëmbjes që injektoi gati një trilionë dollarë në ekonomi dhe duke lëvizur fuqishëm për ta bërë sistemin financiar më transparent dhe për të siguruar se është kapitalizuar në mënyrë adekuate. A do të më pëlqente të shihja më shumë iniciativa të presidentit Obama, që masat e tij për të rritur shpenzimet e infrastrukturës, për shembull, të kalonin përmes Kongresit?

Po, do të doja. Por, (fakti) se jo çdo gjë që presidenti Obama ka dashur të bëjë-që unë besoj se do të kishte qenë konstruktive - ka ndodhur,nuk zhvlerëson atë që mendoj ishte se arritje e konsiderueshme e lidershipit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë parashikoni ju si rrezikun më të madh për ekonominë botërore në dekadën e ardhshme?

LAWRENCE SUMMERS
Mendoj se rreziku më i madh për ekonominë botërore është se do të ketë një ngurrim të vazhdueshëm për t’u përballur me faktin se nuk ka kërkesa të mjaftueshme për mallra dhe shërbime dhe se do të ketë një dëshirë të vazhdueshme për të lëvizur për çështjet afatgjata dhe se rezultati do të jetë një lloj stagnimi laik, jo sikur ai që kemi parë në Japoni gjatë çerek shekullit të fundit.

Është një lloj stagnimi i deflacionit që mendoj se edhe është rreziku më i madh. Mendoj se me një politikë të matur kjo mund të shmanget, por duhet të ketë politikë të kujdesshme për ta shmangur atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të jetë befasia më e madhe për ekonominë botërore në dekadën e ardhshme?

LAWRENCE SUMMERS
Mendoj se është e mundur që ekonomia amerikane të kthehet shumë më shpejt sesa shumë njerëz supozojnë. Ne kemiavantazhet e çmimit të ulët të energjisë, sektori i shtëpive që po shënon kthesë dhe ulje të nivelit të borxhit.

Ekziston një shans që Shtetet e Bashkuara të befasojnë në vitet e ardhshme. Ne mund të shohim llojin e ciklit që kemi parë në vitet e ‘90ta me një ekonomi më të fortë që çon në deficite të ulëta dhe deficitet e ulëta që çojnë në një ekonomi më të fortë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si një ish-president i Harvardit dhe profesor i ti, një pyetje mbi arsimin: Përderisa shumë industri dhe fusha të jetës kanë pësuar ndryshime të thella për shkak të inovacioneve teknike në vitet e fundit, disa thonë se arsimi është relativisht i mbërthyer në të kaluarën. Si i shihni ju ndryshimet teknologjike në arsim në mbarë botën në vitet e ardhshme?

LAWRENCE SUMMERS
Mendoj se do të shohim përdorimin më të madh të softuerëve dhe teknologjisë. Ky është një tipar i shquar i MOOCs - kurse masive të hapura online- që në njërën anë do të arrijnë audiencat më të mëdha se kurrë më parë dhe, nga ana tjetër, do të sigurojnë mësim më të individualizuar se kurrë më parë. Kështu që unë mendoj se ka perspektivë reale të ndryshimeve thelbësore dhe një rënie në edukimin e lartë.

Kur i shihni industritë që po revolucionarizohen, zakonisht shihni një kombinim të një platforme të djegur dhe mundësi të reja.Interneti është mundësi e re; kombinim i kostove në rritje, perspektivat e reduktuara për të diplomuarit dhe presioni më i madh mbi buxhetet publike janë platformë e djegur.(a.isufi)
XS
SM
MD
LG