Ndërlidhjet

BE përfundon embargon e armëve për rebelët sirianë


Alepo, Siri
Alepo, Siri
Bashkimi Evropian do të përfundojë embargon e armëve për rebelët sirianë. Megjithatë, sekretari i jashtëm britanik, William Hague, ka thënë se nuk ka ende asnjë vendim për të nisur furnizimin me armë të luftëtarëve, të cilët bëjnë përpjekje të rrëzojnë regjimin e presidentit Bashar al-Assad.

Embargoja e BE-së zyrtarisht përfundon në fund të majit.

Britania dhe Franca kanë udhëhequr përpjekjet për të lehtësuar embargon. Austria dhe vende të tjera të BE-së kanë qenë kundër, duke thënë se një hap i tillë mund të çojë në më shumë gjakderdhje.

Hague u është drejtuar gazetarëve pas më shumë se 12 orë negociatash në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel:

“Bashkimi Evropian është pajtuar të përfundojë embargon e armëve për opozitën siriane dhe të vazhdojë sanksionet e tjera për Sirinë – pra, të gjitha sanksionet ekzistuese për regjimin sirian. Ky është rezultati që Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar. Ka qenë e vështirë për shumë vende dhe kjo është arsyeja përse kemi pasur diskutime kaq të gjata. Por, mendoj se është vendim i duhur”, ka thënë Hague.

Ai po ashtu ka theksuar se heqja e embargos së armëve duhet t’i dërgojë një “sinjal të fortë” regjimit të Assadit, për të filluar negociatat që do t’i jepnin fund konfliktit dyvjeçar.

Hague ka thënë se Britania “nuk ka plane të menjëhershme për të dërguar armë në Siri, por tani ka fleksibilitet për të vepruar në të ardhmen, nëse është e nevojshme”.

Disa vende evropiane janë të shqetësuara se armët mund të bien në duar të ekstremistëve në Siri, të cilët mund të kenë agjendë anti-perëndimore.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, u ka thënë gazetarëve se është i shqetësuar për “garën e armëve”, e cila mund të pengojë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, i cili tashmë ka marrë rreth 80,000 jetë njerëzish.

“Nuk duam garë armësh në Siri. Me më shumë armë, po ashtu në duart e opozitës, do të nisë gara e armëve. Ky është një qëndrim ndryshe nga ai i Britanisë dhe Francës. Unë e respektoj vendimin e tyre, por nuk e shoh se si mund të zbatohet, si mund të udhëheqë procesin e paqes”, ka thënë Spindelegger.

Në një deklaratë të Bashkimit Evropian është thënë se blloku do të shqyrtojë çështjen e armëve përsëri, para 1 gushtit. Zyrtarët kanë thënë se ka pak gjasa që armët e BE-së të arrijnë në duart e rebelëve para kësaj date.

Për Sirinë kanë diskutuar të hënën në Paris edhe kryediplomatët e Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë, John Kerry dhe Sergei Lavrov.

Uashingtoni dhe Msoska kanë bërë publike një nismë të përbashkët, për të sjellë një një tavolinë qeverinë dhe forcat opozitare të Sirisë.

Konferenca, e cila do të mbahej në muajin qershor në Gjenevë, do të bënte përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit.

Lavrov ka thënë se organizimi i saj do të jetë një sfidë e vështirë.

Qeveria e Assadit ka thënë se do të ndjekë konferencën, ndërsa disa grupe opozitare kanë përjashtuar negociatat me këtë regjim. (v.tela)
XS
SM
MD
LG