Ndërlidhjet

Krasniqi: Serbia vazhdon politikën e dy binarëve

  • RFE /RL

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

"Serbia vazhdon politikën e dy binarëve, në një anë sikur bën marrëveshjen me ndërmjetësimin e Brukselit për të ecur në rrugën e integrimeve evropiane, kurse në anën tjetër nuk e bën asnjë hap konkret për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, kanë miratuar tashmë planin për zbatimin e marrëveshjes së arritur në muajin prill, për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Cili do të jetë roli i Kuvendit në këtë rrafsh?

JAKUP KRASNIQI
Roli i Kuvendi konsideroj se ndoshta nuk është krejt i kyçur më se miri në këtë proces, pasi ky proces ka filluar me bisedime teknike dhe ka përfunduar me bisedime politike. Mënyra se si është debatuar me marrëveshjen e 19 prillit në Kuvend në 15 parimet e asaj marrëveshjeje, në një mënyrë gati nuk ka qenë krejt e nevojshme të ndodhë, për faktin se Brukseli ka kërkuar përgjigje prej qeverive, jo prej parlamenteve.

Megjithatë, parlamenti ynë i ka dhënë vizën pozitive kësaj çështjeje. Po me Kushtetutë gjerat janë shumë të qarta. Kuvendi ratifikon çdo marrëveshje që arrihet në mes të dy vendeve të pavarura ose marrëveshjeve ndërkombëtare. Kjo është e nevojshme.

Do të thotë nëse është një marrëveshje mes dy vendeve, mes dy shteteve të pavarura dhe nëse kjo marrëveshje ka karakter ndërkombëtar, ajo duhet të miratohet, ose të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, kështu e parasheh edhe Kushtetuta. Nëse nuk është e kësaj natyre, natyrisht kuvendi mund të mos e jap votën e vetë për atë çështje.

Realisht marrëveshja është bërë nën firmën për normalizimin të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Po të shikohet kjo marrëveshje nga ajo që ne kryesisht më tepër kemi dëgjuar e mësuar nga mediat, nuk flet se po arrihet një normalizim i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Dhe Serbia vazhdon politikën e dy binarëve, në një anë sikur bën marrëveshje me ndërmjetësimin e Brukselit për të ecur në rrugën e integrimeve evropiane, kurse në anën tjetër nuk e bën asnjë hap konkret për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Kur shikohet kjo, vështirësia e realizimit të kësaj marrëveshjeje edhe kështu siç është, është mjaft e madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, cilat do të jenë sfidat e vërteta, sipas jush, në zbatimin e kësaj marrëveshjeje?

JAKUP KRASNIQI
Unë, shpeshherë e kam thënë që ndoshta gjërat nuk duhet të paragjykohen, por sipas të gjitha gjasave do të ketë sfida. Sfida për të luftuar grupet kriminale në atë pjesë të Kosovës. Sfida për ta shtrirë sundimin e rendit dhe të ligjit. Dhe sfidë për të funksionuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në tërë hapësirën e Republikës së Kosovës.

Dhe natyrisht sfidë tjetër do të jenë pengesat që Serbia i vendosë për Kosovën, qoftë në raport me njohjet e vendeve të Bashkimit Evropian, qoftë pengesat që vazhdon t’i bëjë Serbia sot e kësaj dite në rrugën e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë është dëgjuar shpesh dhe është kërkuar madje që Prishtina zyrtare të insistojë në një qasje reciprociteti kur bëhet fjalë për serbët e veriut të Kosovës dhe shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës. Megjithatë, këto kërkesa kanë mbetur kaq, kërkesa. Mendoni se Prishtina zyrtare ka hapësirë për ta bërë një gjë të tillë?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, ndoshta jo vetëm Prishtina, por si përket të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të komuniteteve pakicë, konsideroj që edhe Brukseli nuk ka respektuar standarde të njëjta për komunitetet pakicë në Kosovës dhe për komunitete pakicë në Serbi.

E konkretisht e kam fjalën për Brukselin, nuk ka qenë këmbëngulës dhe shumë i interesuar që të drejtat dhe liritë që shteti i Kosovës ia ofron komunitetit serb në Kosovë, nuk e ka bërë kërkesën që po këto të drejta t'i gëzonte edhe komuniteti pakicë në Serbi.

Dhe në ketë rrafsh një e padrejtësi e madhe i është bërë komunitetit shqiptar në Serbi. Prishtina dhe Shqipëria do të duhej të ishin më këmbëngulëse që ato të drejta dhe liri, që këto dy vende ju kanë ofruar komuniteteve pakicë, t’i ofroheshin edhe vendeve të rajonit për komunitetin pakicë shqiptar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, ju nuk jeni në strukturat udhëheqëse të PDK-së, ndërkohë që po afron koha e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Ku do të jeni ju në ketë proces?

JAKUP KRASNIQI
Kemi thënë edhe me herët, ne jemi duke shikuar, por këto zgjedhje janë për pushtet lokal dhe domosdoshmërisht s’mund të më angazhojnë mua në proces. Megjithatë ka kohë, zgjedhjet ende nuk janë shpallur edhe ka kohë për vendime të mëtejshme.

Unë do të jem i angazhuar në të gjitha rrjedhat politike që kanë për qëllim zhvillimin e demokracisë dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në çdo pjesë të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, cili është kontributi juaj aktualisht në PDK?

JAKUP KRASNIQI
Realisht në PDK, nuk kam një angazhim konkret edhe pse vërejtjet e mia kanë qenë konkrete dhe të hapura dhe derisa aty nuk ekziston fusha e veprimit demokratik, derisa sa aty nuk ka një debat të brendshëm dhe një demokraci të brendshme, nuk e shoh të arsyeshme të jem këngëtar në këngët polifonike që e mbaj vetëm ison.

RADIO EVROPA ELIRË
Po e ardhmja e juaj politike; a do të jetë në PDK?

JAKUP KRASNIQI
Nuk e kam marr hapin vendimtar, meqenëse e kam bërë të qartë që nuk jam anëtar as i këshillit drejtues as i kryesisë së partisë. Nga anëtarësia nuk kam hequr dorë.

Por, zhvillimet e ardhshme do të përcaktojnë vendimin dhe qëndrimin tim në raport me politikën dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat zhvillime brenda PDK-së mund të ndryshojnë një qëndrim tuajin?

JAKUP KRASNIQ
Deri sa kam pranuar të jem në anëtarësinë e Partisë Demokratike, unë pres që njerëzit që tani e kanë një përgjegjësi të mendojnë për të ardhmen demokratike të Partisë Demokratike, të mendojnë për të ardhmen demokratike të demokracisë në Kosovë dhe të mendojnë për zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës.

Dhe nëse ata e kanë gatishmërinë për të bërë bisedimet e nevojshme mund të rishikohet e gjithë kjo, por sipas të gjitha gjasave, gjërat do të ecin në rrugën që kanë filluar dhe sigurisht që edhe unë do të eci në rrugën që do ta mendoj më së miri.

RADIO EVROPA E LIRË
Flisni për bisedime...për çfarë bisedime e keni fjalën?

JAKUP KRASNIQI
Për bisedime që e rikthejnë demokracinë në Partinë Demokratike. Me rikthimin e demokracisë dhe të funksionimit demokratik të organeve të Partisë Demokratike pushon arsyeshmëria e asaj që e kam thënë unë.

Por, përderisa nuk funksionon demokracia e brendshme, përderisa organet që kanë qenë të zgjedhur dhe që janë zgjedhur nuk funksionojnë në mënyrë demokratike, dhe përderisa njerëzit nuk vendosen në organet e partisë, por edhe në institucionet e vendit, pasi që partia është në pushtet mbi bazën e meritave dhe përgjegjësive dhe dashurisë dhe ndërgjegjes që e kanë për ketë vend, ne nuk kemi [arsye] pse të jemi pjesë e atyre parregullsive.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, a ka shumë persona që janë në poste udhëheqëse të partisë që nuk e meritojnë atë pozitë?

JAKUP KRASNIQI
Ka, jo vetëm në parti. E keqja më e vogël do të ishte që njerëzit e pamerituar të ishin vetëm në parti.

Por, e keqja më e madhe që në institucionet e shtetit, në institucionet e pavarura në institucionet që duhet ta garantojnë funksionimin e ligjit dhe të demokracisë ka njerëz që më të vërtetë nuk e meritojnë të jenë as në angazhimet e tyre politike, as në angazhimet e tyre profesionale, e as në angazhimet e tyre intelektuale. Ata njerëz nuk e meritojnë të kenë ato përgjegjësi që i kanë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG