Ndërlidhjet

Detajet e marrëveshjes, mund ta pengojnë zbatimin


Faktorë të ndryshëm, si brenda Kosovës, ashtu edhe nga Serbia, kanë potencial për të penguar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, vlerësojnë analistë të çështjeve të sigurisë.

Të mbledhur rreth një tryeze në Prishtinë, vëzhgues nga Kosova, Serbia, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian thanë se detajet, mund të shtyjnë zbatimin e marrëveshjes, apo edhe të kërcënojnë atë që palët u morën vesh në Bruksel.

Mirosllav Haxhiq, nga Qendra e për Politika të Sigurisë në Beograd (BCSP), tha të martën se aparati shtetëror i forcës në Serbi, i jep llogari pushtetit civil, por kjo nuk garanton se ata do të zbatojnë në përpikëri marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Ne nuk e dimë, dhe askush nuk mund të vlerësojë seriozisht, nëse në kuadër të aparatit shtetëror të forcës, pra brenda sektorit të sigurisë: ushtrisë, policisë, shërbimeve të sigurisë...se çfarë raporti ekziston këtu në zgjidhje të problemit”, tha ai gjatë paraqitjes së tij në konferencës rajonale për të arriturat e marrëveshjes, me fokus dimensionin e sigurisë.

Pas dhjetë raundeve të bisedimeve Kosovë-Serbi, më 19 prill, kryeministrat e dy vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, u morën vesh për 15 parime bazë, si pjesë të një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve.

Kurse të mërkurën e kaluar, dy shefat e qeverive u pajtuan edhe për afatin kohor të zbatimit, të 6 parimeve kyçe të kornizës ligjore rregullative, që kanë të bëjnë me asociacionin e komunave serbe, policinë, drejtësinë, dhe zgjedhjet lokale.

Mikpritësi i këtij forumi, Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) tha se detajet për zhbërjen e strukturave paralele, dhe përfshirjen e tyre në sistemin aktual, janë ende të panjohura.

Në kontekst të sigurisë nuk dihet qartë se si do të bashkëpunojnë dy policitë, dhe a e konsiderojnë të dy policitë, njëra-tjetrën si polici homologe? Dhe a do të ketë aktivitete të përbashkëta policore? Atëherë nuk mund të themi se kemi zbatim të marrëveshjes, së paku për një të ardhme të afërt”, tha Qehaja, duke shtuar se është e domosdoshme që procesi i zbatimit në vetvete, të ngërthej parimin e gjithëpërfshirjes.

“Që do të thotë se edhe çështja e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të vendit, të reflektojë pjesëmarrjen e të gjithë akterëve, e jo vetëm të ndërkombëtarëve. Pra edhe të qeverisë së Kosovës, por edhe të përfaqësuesve legjitim të zgjedhur në atë pjesë të vendit. Kështu që komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të bëjë ndonjë gabim, që vet ta drejtojë procesin, duke mos i përfshirë edhe akterët që janë drejtpërdrejt përfitues të këtij procesi”, porositi Florian Qehaja.

Nga këndvështrimi i analistit nga Tirana, Arian Durmishi, marrëveshja e prodhuar në Bruksel, ka edhe pika të dobëta, pasi atë e nënshkruan krerët më të lartë shtetëror, pa i bërë disa hapa të rëndësishëm paraprak.

“Pikat e dobëta të kësaj marrëveshjeje mund të jetë fakti, që kjo marrëveshje është kryesisht e udhëhequr nga elitat, dhe që i kanë munguar në vetvete një proces paqeje i mirëfilltë, dhe që mund të rrezikohej dhe mendoj që do të jetë një prej pikave të rëndësishme të zbatuesve të kësaj marrëveshjeje, rrezikon që të ketë një bashkëpunim ndërinstitucional por që mund të prodhoj një distancim në mes të komuniteteve”, tha Durmishi.

Mirëpo, pavarësisht se si shihet në sytë e analistëve rajonal, evropianët thonë se mekanizmi i zgjedhur për të arritur këtë marrëveshje, ofron siguri që ajo do të jetë e zbatueshme.

“Sa i përket substancës nga aspekti i sigurisë së kësaj marrëveshjeje, në njërën anë ajo [marrëveshja] siguron integritetin territorial, për të cilin bashkësia ndërkombëtare beson se forcon stabilitetin rajonal. Marrëveshja ka për qëllim edhe integrimin e serbëve të Kosovës, ndërsa serbët sigurohen përmes një mekanizmi të rëndësishëm për të ruajtur identitetin e tyre, në një mjedis të sigurt, të cilin ata për një kohë të gjatë e kanë konsideruar si të rrezikshëm”, tha Thomas Gnoçhi, që drejtor Divizionin Ekonomik dhe të Integrimeve Evropiane në zyrën e BE-së në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG