Ndërlidhjet

logo-print

Ngecje në ekonomi, nga moszbatimi i ligjeve


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në vlerësimet e raporteve ndërkombëtare për Kosovën shumë herë ishte theksuar se në Kosovë vazhdon të ketë mungesë të zbatimit të mirëfilltë të ligjeve. Një mungesë e madhe e zbatimit të ligjeve ishte parë tek ato ligje që i përkasin fushës së ekonomisë.

Ky moszbatim i ligjeve që tani kanë bërë vite që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës, ka ngritur shqetësim te njohësit e çështjeve ekonomike.

Sipas tyre, moszbatimi i ligjeve ekonomike, përveç tjerash, vonon integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe pengon ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Lekë Musa ish drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, tregon se një nga problemet kryesore në mosfunksionimin ekonomik në vend ka të bëjë pikërisht me mos zbatueshmërinë e ligjeve që i përkasin fushës së ekonomisë.

Moszbatimi i ligjeve në ekonomi është njëri ndër problemet kryesore të mos funksionimit ekonomik. Ka një shkallë të lartë të informalitet dhe e dyta është hapja e nxjerrjes së ligjeve sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe në anën tjetër procesi i zbatimit nuk është duke lëvizur me shpejtësi të njëjtë”, thotë Musa.

Edhe Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, gjatë monitorimeve që iu kanë bërë ligjeve në fushën e ekonomisë kanë evidentuar se zbatueshmëria e tyre është nën nivelin e dëshiruar.

Shumë ligje të miratuar në Kuvendin e Kosovës për vite ishin përshtatur nga vendet e rajonit dhe më gjerë, dhe ishte konsideruar se ato ligje të cilët mund të kishin gjetur zbatim në ato vende, në Kosovë mund të ishte e kundërta, pasi që nuk përkojnë më ambientin ekonomik në vend.

Myzejene Selmanaj, anëtare e këtij komisioni, thotë për Radion Evropa e Lirë se në mungesë të një Departamenti në Kosovë ku duheshin të hartoheshin ligjet, Kosova është dashur t’i marrë ligjet nga vendet e rajonit dhe pastaj në praktikë është parë se janë të pa zbatueshme.

Çështja e zbatueshmërisë së ligjeve në ekonomi mund të themi se nuk jemi të kënaqur. Ne kemi pasur në monitorim shumë ligje brenda komisionit tonë dhe komisionit për buxhet dhe financa dhe është para se duhet akoma ndryshim plotësim i këtyre ligjeve, kjo për arsyeje se Kosova është një vend i cili ka dalë 10 vjet pas kohës së UNMIK-ut dhe 5 vjet pas pavarësisë dhe tash ekonomia e lirë e tregut duhet të përballet me ndryshime shumë të mëdha brenda ligjeve”, vlerëson Selmanaj.

Sidoqoftë, edhe mosfunksionimi i gjykatave është një problematikë tjetër, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti i çështjeve ekonomike Lekë Musa.

Sipas tij, në shumë raste kur është marrë një vendim që është në mospërputhje me ligjin gjykatat në Kosovë janë treguar shumë të ngadalshme në zbatimin e ligjit apo kthimin e vendimeve që janë përcaktuar me ligjin përkatës.

“Një problem tjetër është se një pjesë e madhe e legjislacionit është draftuar prej donatorëve të ndryshëm dhe problemi është se shoqëria nuk është e gatshme apo nuk e kupton çka nënkupton apo çka duhet rregulluar më atë ligj dhe këtu e kemi në mos përputhje të madhe mes gjendjes faktike në terren dhe atë se çfarë nënkupton ai ligj përkatës”, thekson Musa.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG