Ndërlidhjet

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë mundur ta definojnë qartë nëse Serbia ka shkelur apo jo marrëveshjen e arritur me Kosovën në rastin e samitit të Ohrit, ku si pasojë e kundërshtimeve të Beogradit, autoritetet e Maqedonisë nuk kishin ftuar për pjesëmarrje presidenten Atifete Jahjaga.

Samiti i Ohrit nuk është nën ombrellën e Bashkimit Evropian, por Brukseli kishte parashtruar bashkëpunimin ndër fqinjësor si një nga parakushtet e vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.

Maja Kociançiq, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se BE-ja mbështet bashkëpunimin dhe nismat rajonale.

Por, marrë parasysh që samiti i Ohrit nuk bën pjesë në nismat që janë nën ombrellën e BE-së, Kociançiq nuk ka mundur të definojë nëse me veprimet e fundit, Serbia ka shkelur marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ju e dini qëndrimin tonë në lidhje me bashkëpunimin rajonal i cili është i rëndësishëm dhe se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës”, ka thënë Kociançiq.

Ndërkohë, zëdhënësi i presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu ka thënë se bashkëpunimi ndër fqinjësor është një nga parakushtet për shtetet që aspirojnë integrimet evropiane.

Ai ka thënë se Serbia me kundërshtimin e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në samit ka ndikuar te autoritetet e Maqedonisë që presidentja Jahjaga të mos ftohet dhe me këtë veprim ka shkelur marrëveshjen.

“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë samit është pamundësuar për shkak të kundërshtimeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina dhe kjo bie në kundërshtim me parimin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore, si parakusht i integrimeve evropiane".

"Pengesat e paraqitura nga pala e tretë për pjesëmarrjen e saj në këto nisma janë në kundërshtim me marrëveshjen në Bruksel me të cilën asnjëra palë nuk do të pengoj dhe as inkurajoj dikë tjetër që të bllokojë përparimin në rrugën e integrimeve”, ka thënë Vllahiu.

Jo vetëm presidenca, por edhe analistët në Prishtinë mendojnë se Serbia me ndikimin e saj tek autoritetet maqedonase ka shkelur marrëveshjen e arritur me Kosovën.

Analisti politik i proceseve integruese evropiane, Shenoll Muharremi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk po respekton marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja, por njëkohësisht ai ka kritikuar edhe qasjen e Bashkimit Evropian dhe të Maqedonisë në këtë rast.

“BE po tregohet e pafuqishme si garantues i zbatimit të marrëveshjeve. Ndërsa bashkëpunimi rajonal, është bashkëpunim rajonal pavarësisht nëse është nën ombrellën e BE-së apo jo. Prandaj, BE-ja nuk duhet të rri duarkryq ngase jo vetëm që po dëmton Kosovën në këtë rast por edhe kredibilitetin e saj në rajon. Kurse Maqedonia në këtë rast po bën një zgjidhje të gabuar për shkak se si nikoqir ajo duhet t'ju dërgoj ftesat të gjitha vendeve fqinje”, ka thënë Muharremi.

Samiti i Ohrit bën pjesë në kuadër të nismave rajonale të Evropës Juglindore ku marrin pjesë 11 shtete.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG