Ndërlidhjet

Shqipëri: Presidenti Nishani nuk merr pjesë në samitin e Ohrit


Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që mbahet në Ohër, në fillim të muajit Qershor.

Në faqen në Internet të presidencës së Shqipërisë, theksohet se “në kushtet e thyerjes së atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok, me keqardhje njoftoj vendimin për të mos marrë pjesë në samitet e Ohrit”.

Ky vendim u bë pasi vendi organizues, Maqedonia, nuk e ka ftuar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që të marrë pjesë në këtë samit.

Më herët, presidenca e Kosovës ka njoftuar se nuk është ftuar në samit për shkak të kundërshtimit nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina.

Presidenti Nishani në deklaratën e tij ka theksuar se këtë vendim e ka marrë duke pasur parasysh “Marrëveshjen e 23 Shkurtit 2012, për Përfaqësim dhe Bashkëpunim Rajonal, dhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të datës 19 Prill 2013, të nënshkruar mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sipas të cilave asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajoj një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit evropian”.
XS
SM
MD
LG