Ndërlidhjet

logo-print

Margjinalizimi i problemeve sociale nga politika


Ilustrim

Ilustrim

Proceset dhe problemet politike me të cilat po ballafaqohet Kosova, po i hedhin në margjina problemet ekonomike dhe sociale, me të cilat ballafaqohen qytetarët e këtij vendi, vlerësojnë ekspertët e çështjeve sociologjike në vend.

Ata thonë se elitat politike në vend, ashtu sikurse edhe në shumicën e vendeve në tranzicion, e zhvendosin vëmendjen e publikut nga problemet akute sociale te problemet dhe situatat e pakëndshme politike, të cilat, sipas tyre, në mjaft raste edhe inskenohen.

Sociologu Fadil Maloku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se elita politike në Kosovë tashmë me mjeshtri e manipulon vëmendjen e publikut, gjë që më pas ka rezultuar me fenomene paradoksale.

“Kosovarët, për mendimin tim, e kanë si shoqëri një absurd të llojit të vet, ku me politikë merren qytetarët, publiku, ndërsa me biznese, me projekte, do me thënë, të korrupsionit dhe krimit, merren politikanët. Elitat politike dinë t’i manipulojnë masat".

"E kanë mësuar mjeshtrinë e manipulimit dhe zhvendosjes së vëmendjes së qytetarëve nga problemet aktuale ekonomike dhe lakmia e qytetarëve apo grykësia e tyre për të pasur një shtet të vetin, i ka lënë në harresë apo i ka margjinalizuar në njëfarë mënyre, projektet dhe problemet e tyre ekzistenciale”, shprehet Maloku.

Edhe sociologu Shemsi Krasniqi, po ashtu profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se për shkak të politikës janë margjinalizuar pothuajse të gjitha problemet tjera.

Por, megjithatë, sipas tij, e gjithë kjo situatë e cila po vazhdon tash e sa vite, në mënyrë të heshtur i shtreson pakënaqësitë e qytetarëve dhe kjo mund të prodhojë pasoja të rrezikshme.

“Këto, tash është e mundshme që edhe akumulohen, sepse njëfarë presioni, do të thotë, prej problemeve sociale ekziston, prej varfërisë, prej papunësisë, prej mungesës së perspektivës, etj. Këto më pas shtresohen dhe akumulohen si probleme dhe bëjnë presion mbi individin dhe mbi familjen".

"Nuk është e papritur ose çudi e madhe në qoftë se një ditë edhe mund të shpërthejnë ne mënyrë që mund të duket sikurse e pa pritshme ose si pa kontroll”, bën të ditur Krasniqi.

Megjithatë, të dy këta ekspertë të sociologjisë vlerësojnë se situata çfarë ka mbretëruar deri më tash, nuk do të zgjasë përgjithmonë.

Por, sipas tyre, është e rëndësishme që elita politike dhe institucionet e Kosovës ta kenë parasysh një fakt të tillë dhe të jenë më të vëmendshëm ndaj ndonjë, siç e quajnë ata rebelimi, sidomos nga ata që u është cenuar ekzistenca.

Sociologu Maloku e vlerëson si rrethanë fatlume që një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tash.

“Shpjegimi im është ky që, meqë Kosova është nën një monitorim të rreptë ndërkombëtarë, do të thosha kështu, në njëfarë mënyre ekziston një lloj vetëkënaqësie e faktorit ndërkombëtarë dhe elitave politike".

"Sikur të mos ishin këta prezent, unë do të kisha frikën që, me siguri, do të mund të ndodhte një ‘katarsis’, një rebelim i rrëmbyeshëm, që do të shpërthente dhe do të mund të rrezikonte edhe krejt atë që është bërë deri më tani”, thotë Maloku.

Ndërkaq, sociologu Krasniqi, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë më e vëmendshme ndaj problemeve sociale me të cilat ballafaqohen qytetarët e vendit, në mënyrë që të mos arrihet në ndonjë situatë eventuale të humbjes së kontrollit dhe krijimit të kaosit.

Megjithatë, siç vlerëson ai, qytetarët deri më tash nuk kanë treguar prirje destruktive.

“Qytetari nuk është i prirë që ta shkatërroj atë që është ndërtuar me dekada dhe me mund shumë të madh. Nuk është frika se do të jenë aq destruktivë dhe se do ta shkatërrojnë. Por, gjithsesi, do të ishte mirë që prej anës së qeverisë dhe institucioneve të ketë një kujdes më të madh, në mënyrë që të mos vijë deri te ndonjë ballafaqim brutal ose të ashpër ndërmjet kërkesave të qytetarit dhe shtetit”, thekson Krasniqi.

Ndryshe, sociologët kanë vlerësuar se qytetarët vazhdojnë të jenë të durueshëm në pritje të zgjidhjes së problemeve politike të vendit, por sipas tyre, kërkesat për zgjidhjen e problemeve sociale, do të jenë të pashmangshme dhe është vetëm çështje kohe kur ato kërkesa do të bëhen parësore për qytetarët.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG