Ndërlidhjet

SHBA: Liberty Reserve akuzohet për pastrim të parave


Prokurorët e Shteteve të Bashkuara i kanë paditur operatorët e një firme të transferit të parave në Internet, duke i akuzuar se i kanë ndihmuar kriminelët në gjithë botën, me pastrimin e më tepër se 6 miliardë dollarëve në fonde të paligjshme.

Sipas padisë së shpallur të martën vonë, thuhet se kompania Liberty Reserve, i kishte më tepër se një milion shfrytëzues, përfshirë 200 mijë në Shtetet e Bashkuara.

Ka dyshime se i gjithë biznesi i kësaj kompaine me seli në Kosta-Rikë, ishte i ndërlidhur me aktivitete të dyshuara kriminale, përfshirë pornografi të fëmijëve, vjedhje të kartelave kreditore dhe trafikim të narkotikëve.

Skema e dyshuar u kishte mundësuar kriminelëve që parat t’i lëviznin në mënyrë anonime, nga një xhirollogari në tjetrën, nëpërmes Internetit dhe jashtë mbikëqyrjes se qeverive kombëtare.

Prej shtatë personave të akuzuar, deri tash janë arrestuar pesë prej tyre.

Disa prej të akuzuarve raportohet se janë nga ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, përfshirë edhe themeluesin e kompanisë, Arthur Budovsky, i përshkruar si ish-shtetas amerikan i lindur në Ukrainë, i cili aktualisht ka shtetësi të Kosta-Rikës.

Hetuesit amerikanë, po ashtu, kanë ndërmarrë një varg të bastisjeve në zyrat, i kanë konfiskuar xhirollogaritë bankare, dhe i kanë mbyllur faqet e Internetit të ndërlidhura me kompaninë Liberty Reserve.

Preet Bharara, prokuror i Shteteve të Bashkuara për Qarkun Jugor të Nju Jorkut, këtë zhvillim e ka përshkruar me gjasë si “rastin më të madh ndërkombëtar të pastrimit të parave, që ndonjëherë është paraqitur nga Shtetet e Bashkuara”.

“Siç dyshohet, Liberty Reserve me qëllim ka operuar në mënyrë që të jetë atraktive për kriminelët dhe tu ndihmoj atyre, për përdorim të monedhës digjitale për ta shkelur ligjin dhe për t’i pastruar të ardhurat. Këto janë krime serioze përfshirë vjedhje të kartelave kreditore, vjedhje të identitetit, mashtrime investive, ndërhyrje kompjuterike, pornografi të fëmijëve dhe bile edhe trafikim të narkotikëve”, tha Bharara.

Ai theksoi se hetuesit kanë gjetur prova se firma ka ndihmuar në kryerjen e 55 milionë transaksioneve.

“Në tërësi, dyshohet se Liberty Reserve i ka kryer 55 milionë transaksione të ndara financiare dhe i ka pastruar 6 miliardë dollarë të ardhura”, tha Bharara.

Kompania Liberty Reserveka përdorë monedhë digjitale ose “para elektronike”, që nuk ishin prodhuar nga bankat qendrore të mbështetura nga qeveritë.

Përdorimi i parave të këtilla është zgjeruar gjatë dekadës së fundit.

Liberty Reserve nuk ishte e regjistruar tek autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe kompania nuk kishte kërkuar dëshmi të identitetit nga shfrytëzuesit e vet.

Në aktakuzën e Shteteve të Bashkuara thuhet se Liberty Reserve u kishte mundësuar përdoruesve që t’i hapin xhirollogaritë me emra të falsifikuar si “hakeri rus” dhe “xhirollogaria e hakerit”.

Me anë të një xhirollogarie në Liberty Reserve, përdoruesi mund t’i konvertoj parat reale në fonde virtuale, nëpërmjet këmbyesit të tretë, e më vonë i konverton fondet virtuale përsëri në para të gatshme.

Zyrtarët thonë se Arthur Budovsky ishte arrestuar të premten e kaluar në Spanjë, së bashku me zëvendësin e tij, Azzedine El Amine.

Dy të dyshuar të tjerë, Vladimir Kats dhe Mark Marmilev, ishin arrestuar në Nju Jork.

I dyshuari tjetër, Maxim Chukarev, i përshkruar si shtetas rus, ishte arrestuar në Kosta-Rikë.

Zyrtarët thonë se dy punëtorë të tjerë të kompanisë ende gjenden në ikjenë Kosta-Rikë.

Një shkresë zyrtare e publikuar në faqen në Internet të kompanisë Liberty Reserve thotë se faqja “ishte konfiskuar nga Ekipi Financiar Global Joligjor i Shteteve të Bashkuara”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG