Ndërlidhjet

WP: Nëna - si shtyllë e shtëpisë


Ilustrim

Ilustrim


Një raport i “Pew Research”, shpalos trendin si pasojë e recesionit, i cili tregon për rritje të lindjeve nga nënat beqare, ndërsa katër në 10 familje me fëmijët nën moshën 18-vjeçare, tani drejtohen nga gratë që janë shtyllat kryesore për familjet e tyre.

Raporti, siç transmeton “Washington Post”, zbulon një ndryshim të madh në rolet gjinore në familje në disa dekada: numri i nënave të martuara që fitojnë më shumë se burrat e tyre është katërfishuar nga 4 për qind sa ka qenë në vitin 1960 në 15 për qind në vitin 2011. Nënat beqare, që janë mbajtëse të familjes, janë trefishuar në numër nga 7 në 25 për qind në të njëjtën periudhë.

“Dekada e 2000-s ka dëshmuar një ndryshim rapid në përqindjen e nënave të martuara që fitojnë më shumë sesa burrat e tyre sesa secila dekadë që nga vitit 1960”, thotë Philip Cohen, një sociolog nga Universiteti i Marylandit, që ka studiuar trendët gjinorë familjarë.

“Kjo reflekton në masë të madhe humbjen e punëve të burrave me eksperiencë në fillim të Recesionit të Madh. Gjithashtu, gratë kanë vendosur që të punojnë më shumë orë si përgjigje ndaj humbjes së punës të burrave të tyre, humbjes potenciale, ose zvogëlimit të pagave”, u shpreh Cohen.

Por, raporti i “Pew Research” tregon se amerikanët janë ambivalentë në lidhje me nënat që punojnë jashtë shtëpisë. Tri të katërtat e të anketuarve thanë se këto nëna vështirësojnë rritjen e fëmijëve, ndërsa gjysma brengosen se kjo është gjë e keqe për martesat.

Gjysma e të anketuarve thonë se është më mirë që nënat të rrinë në shtëpi me fëmijët e vegjël. Në të kundërtën, 8 për qind mendojnë se do të ishte më mire, po qe se rrinë etërit.

Por, në të njëjtën kohë, raporti tregon se sondazhet tjera kanë gjetur se afër 80 për qind e amerikanëve nuk mendojnë se nënat duhet të kthehen në rolin e amvisës që e kishin në vitet ‘50.

“Publiku është me dy mendje”, thotë Kim Parker, një nga autorët e raportit.
Rolet tradicionale të gjinive “janë të rrënjosura thellë në besime. Do të marrë kohë derisa që këto pikëpamje të kapen me realitetin dhe me mënyrën se si jetojnë sot njerëzit”.

Derisa nuk është e përkryer, mënyra e jetesës që Lisa Rohrer, e cila punon në Qendrën Juridike të Universitetit Georgetown ka zgjedhur me të shoqin dhe fëmijët.

Ajo u bë shtylla e familjes, kur burri i saj, JJ, nisi biznes personal. Ai nisi të marrë fëmijët nga shkolla, t’i dërgojë në shtëpi kur janë të sëmurë dhe të kryejë obligimet e shtëpisë.

“Për ne, ka qenë ideale në shumë mënyra, sepse i lejoi JJ që të ndjekë ëndrrën e tij në nisjen e biznesit privat, ndërsa më lejoi mua që të kem punën, e cila kërkon shumë kohë dhe udhëtim. Gjithashtu, jam e gëzuar që fëmijët tanë po shohin një mënyrë alternative të bërjes së karrierave, të martesës dhe fëmijëve”, u shpreh ajo duke shtuar:

“Në anën tjetër, unë kam shumë më shumë simpati për baballarët në familje, ku gratë e tyre rrinë në shtëpi. Është një presion shumë i madh kur je shtylla e shtëpisë”.

Edhe pse është rritur trendi i nënave që marrin pjesë me më shumë të ardhura në familje, derisa më shumë gra po arsimohen dhe hyjnë në forcën punëtore, recesioni e ka përshpejtuar këtë trend, thotë Sarah Jane Glynn, analiste e Qendrës për Përparimin Amerikan.

Gratë kanë nisur të diplomohen nga kolegji në numër më të madh sesa burrat në vitin 1985 dhe kanë fituar diploma.

Ndërkohë, sipas raportit, nënat beqare që mbajnë shtëpinë janë në disavantazh.
Krahasuar me koleget e tyre të martuara, ato fitojnë një mesatare prej 23 mijë dollarëve, dhe duket se janë më të reja, të zeza ose hispanike, dhe janë më pak të arsimuara sesa me një diplomë kolegji.

“Përbërja e nënave beqare ka ndryshuar në mënyrë dramatike”, thotë Wendy Wang, njëra nga autoret e raportit. Në vitet 1960, shumica e nënave beqare kanë qenë të shkurorëzuar, të ndara ose të veja. Vetëm katër për qind nuk ishin martuar kurrë. Por, tash ky numër është 44 për qind. Tash 40 për qind e lindjeve bëhen nga nënat beqare”, thekson ajo.
Përgatit: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG