Ndërlidhjet

logo-print

Vetëvendosje me demonstrata kundër ratifikimit të marrëveshjes


Protestë e Lëvizjes Vetëvendosje - foto nga arkivi

Protestë e Lëvizjes Vetëvendosje - foto nga arkivi

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron organizimin e demonstratave në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Duke e parë këtë marrëveshje si të dëmshme për Kosovën, Vetëvendosje paralajmëron se ditën kur Kuvendi do ta vë në ratifikim marrëveshjen do të ftojë popullatën në demonstrata para ndërtesës së Kuvendit.

Njëherësh, i ka ftuar edhe të gjithë deputetët opozitarë si edhe ata të pozitës që nuk mbështesin marrëveshjen, të votojnë kundër ratifikimit.

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka thënë gjatë një konference për gazetarë se marrëveshja nuk do të mund të kalonte nëse kundër ratifikimit të saj votojnë subjektet opozitare, sidomos Lidhja Demokratike e Kosovës marrë parasysh se ratifikimi kërkon 80 vota të deputetëve.

“Kemi ardhur në përfundim që për ta parandaluar këtë marrëveshje Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë një demonstratë para Kuvendit të Kosovës në ditën kur parashihet të ratifikohet kjo marrëveshje, për arsye se për neve është e papranueshme dhe mbi të gjithat është shumë e rrezikshme për ardhmërinë e shtetit tonë dhe shoqërisë sonë që kjo marrëveshje të ratifikohet”, është shprehur Molliqaj.

Në arsyetimin e vet, Vetëvendosje konsideron se marrëveshja Thaçi – Daçiq e datës 19 prill dhe ajo për zbatimin e saj e datës 22 maj, do të defunkosionalizojnë shtetin e Kosovës dhe do të krijojnë një entitet serb në veri, ku autoritetet shtetërore nuk do të kenë fare qasje.

Njëherësh, Vetëvendosje ka konsideruar se mbi bazën e zbatimit të marrëveshjes, qeveria dhe kreu i saj janë pajtuar që Kosova t’i ndryshojë ligjet e saj vetëm e vetëm që t’i përfillin kërkesat e Serbisë për kompetencat e asociacionit të komunave serbe, si trup që do të formohet në të ardhmen.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës të martën ka miratuar marrëveshjen dhe në formën e projektligjit i ka proceduar Kuvendit për ratifikim.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se me këtë projektligj do të kërkohet nga Kuvendi që të ratifikojë marrëveshjen e arritur në dialogun me Serbinë, bashkë me planin e zbatimit.

Ky ligj obligon se do të zbatohet nga të dy republikat, ajo e Kosovës dhe Serbisë, me ndihmën e Bashkimit Evropian, me forcat e KFOR-it, EULEX-it, si dhe nga OSBE-ja. Unë jam i bindur që me miratimin e këtij projektligji dhe ratifikimin në Kuvend, hapet mënyra e qartë e zbatimit të marrëveshjes së nënshkruar më parë, por njëkohësisht besojmë edhe për implementimin në praktikë me obligimet respektove të të gjithë akterëve”, ka thënë Kuçi.

Duke iu referuar ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, kryeparlamentari, Jakup Krasniqi nuk ka saktësuar se kur ajo mund të vihet në rend dite.

Por ka theksuar se marrëveshja do të duhet të kalojë nëpër të gjitha procedurat e Kuvendit të Kosovës.

“Projektligji nuk e di nëse ka ardhur endë në Kuvend, nuk jam i njoftuar, por kur të vjen do t’i kalojë të gjitha procedurat dhe natyrisht që do t’i shkojë seancës dhe më pas seanca do të merr vendimin”, ka thënë Krasniqi.

Sipas legjislacionit në fuqi, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG