Ndërlidhjet

Varfëria (s’) është rritur


Prishtinë
Prishtinë

Varfëria vazhdon të mbetet problem shqetësues për shoqërinë kosovare.

Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, thuhet se 29.2 për qind është varfëria e përgjithshme, ndërkaq varfëria ekstreme është 8.2 për qind.

Burimi kryesor i të ardhurave të ekonomive familjare janë pagat. Por, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe humanitare, konsiderojnë se niveli i varfërisë është më i lartë, se sa që paraqitet me shifra zyrtare.

Feride Hyseni, sekretare e përgjithshme në Kryqin e Kuq të Kosovës, thotë se gjendja në terren është tejet shqetësuese, sa i përket varfërisë në vend, sepse sipas saj, varfëria është duke u rritur dhe jo duke u zvogëluar.

Megjithatë, ajo thekson se kjo shoqatë kohë pas kohe, ndihmon familjet me gjëra ushqimore dhe higjienike, por kërkesat e tyre janë më të mëdha se sa mundësitë ekzistuese.

Kryqi i Kuq i Kosovës ka të evidentuara mbi 17 mijë familje që ndihmon herë pas here, e që 80 për qind e prej tyre nuk gëzojnë as asistencë sociale.

“Ne bazohemi në familje që kanë numër më të madh të anëtarëve, kanë fëmijë, pleq, ku kanë telashe të tjera. Mund të them se 80 për qind të familjeve që ndihmojmë ne, nuk gëzojnë asnjë të ardhur, do të thotë se as nuk punojnë dhe as nuk kanë ndonjë ndihmë tjetër”, bën të ditur Hyseni.

Përveç familjeve që ndihmon Kryqi i Kuq, janë edhe 31 mijë familje të tjera, të cilat marrin asistencë sociale nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Shuma që marrin këto familje është nga 40 deri në 80 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes.

Edhe Time Kadriaj, zëvendëskryetare në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Kosovës, konsideron se niveli i varfërisë arrin rreth 40 për qind dhe jo afër 30 për qind, ashtu siç paraqet Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ky fenomen, thotë ajo, është shqetësues, pasi në Kosovë janë krijuar dy shtresa të shoqërisë, shtresa e varfër dhe ajo shumë e pasur.

Kadriaj shprehet se ky problem disa herë është ngritur në Kuvendin e Kosovës, por është obligim i ekzekutivit që të krijojë politika dhe zhvillim ekonomik, në mënyrë që të mundësojë hapjen e vendeve të reja të punës, rrjedhimisht uljen e shkallës së varfërisë.

“Reforma më e mirë e kalimit të kësaj gjendjeje është mundësia e punësimit të kësaj kategorie, në çfarëdo lloji pune, në mënyrë që të kenë mundësi të krijojnë kushte për mbijetesë të familjes së tyre”, thotë Kadriaj.

Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë, theksojnë se niveli i ulët i punësimit në vend, ka rritur dukshëm nivelin e varfërisë.

Jeton Mehmeti, drejtor i hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, thotë se për të zvogëluar numrin e të varfërve në Kosovë, autoritetet kompetente duhet të mbështesin sektorin privat, në mënyrë që të rrisin shkallën e punësimit.

“Niveli i varfërisë është shumë i lidhur me nivelin e punësimit në vend. Dhe, po të shohim statistikat, Kosova ka nivelin më të ulët të punësimit në Evropë, me rreth 25 për qind të punësimit. Nëse i krahasojmë me vitet e paraprake, në vitin 2006 shkalla e punësimit ka qenë 29 për qind”, shprehet Mehmeti.

Sidoqoftë, sipas Deklaratës së Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, Republika e Kosovës deri në vitin 2015, duhet t’i përmbushë tetë objektivat e kësaj deklarate, përfshirë këtu edhe uljen e varfërisë.
XS
SM
MD
LG