Ndërlidhjet

Maqedoni: Anulohet Samiti i Ohrit


Është anuluar Samiti i vendeve të përfshira në procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Njoftimin e ka bërë presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov pas vendimit të disa shteteve si Shqipëria, Greqia, Bullgaria dhe Kroacia për të bojkotuar këtë Samit rajonal.

Ai tha se Republika e Maqedonisë ka vepruar në përputhje të plotë me dokumentet dhe rregullat si kryesuese e përgjegjshme me këtë proces.

“Për fat të keq paragjykimet e vjetra ballkanike sërish erdhën në shprehje para mbajtjes së Samitit. Nuk do të lejoj që pas shpinës së Maqedonisë të thyhen këto paragjykime ballkanike. Sfidat duhet të zgjidhen me dialog jo me bojkot”, deklaroi presidenti Ivanov.

Ai theksoi se vendimi për anulimin e Samitit ka të bëjë edhe me shmangien e manipulimeve të mundshme.

"Këtë vendim e solla që të mos manipulohen qytetarët e Maqedonisë si dhe qytetarët e shteteve të rajonit. Përfundimisht erdhi dita kur dikush duhet haptazi të pranojë se bashkëpunimi rajonal ndodhet para një sfide serioze”, deklaroi Ivanov.

Samiti i shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve të përfshira në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, ishte planifikuar të mbahet të shtunën, më 1 qershor në Ohër.

Kosova, nuk kishte qenë e ftuar të marrë pjesë në këtë Samit, me arsyetimin se ajo nuk është anëtare formale e kësaj nisme.

Në njoftimin e mëhershëm të lëshuar nga kabineti i presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, thuhej:

“Në formatin e vërtetuar deri më tani, në të gjitha Samitet e proceseve për bashkëpunim në Evropës Juglindore, Kosova nuk figuron si anëtare formale. Republika e Maqedonisë po përcjell zhvillimin dhe implementimin e marrëveshjes së arritur kohë më parë mes Prishtinës dhe Beogradit dhe pas konsultimeve do të ketë një qëndrim përfundimtar rreth kësaj çështjeje”.

Presidenca: Serbia e Bosnja kundër pranisë së Jahjagës në Ohër

Presidenca e Kosovës bëri të ditur se pjesëmarrja e Kosovës është pamundësuar për shkak të kundërshtimeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Kjo bie në kundërshtim me parimin e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, si parakusht i integrimeve evropiane. Përfaqësimi i Kosovës në çdo nismë rajonale dhe ndërkombëtare bëhet mbi bazën e barabarësisë dhe është në frymën e respektimit të subjektivitetit dhe pavarësisë së secilit shtet", thuhej në reagimin e zëdhënësit të presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Po sipas tij, pengesat e paraqitura nga pala e tretë për pjesëmarrjen e Kosovës në këto nisma janë në kundërshtim me marrëveshjen e arritur në Bruksel, me të cilën asnjëra palë nuk do të pengojë dhe as inkurajojë dikë tjetër që të bllokojë përparimin në rrugën e integrimeve

Analistët në Kosovë dhe Maqedoni

Anashkalimi i Kosovës nga ky Samit, ka shkaktuar reagime të ndryshme nga njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni.

Ata thanë se refuzimi i Kosovës nga ky Samit, është në kundërshtim me frymën e re që po mundohen të krijojnë Prishtina dhe Beogradi, të cilat tashmë kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Analistët maqedonas po ashtu thanë se Samiti i Ohrit paraqet një tubim të rëndësishëm rajonal, por, pesha e tij do të ishte edhe më e madhe, sikur të merrte pjesë edhe delegacioni nga Kosova.

Edhe analistët në Prishtinë thanë se Serbia me ndikimin e saj tek autoritetet maqedonase ka shkelur marrëveshjen e arritur me Kosovën.

Analisti politik i proceseve integruese evropiane, Shenoll Muharremi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk po respekton marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja, por njëkohësisht ai ka kritikuar edhe qasjen e Bashkimit Evropian dhe të Maqedonisë në këtë rast.

“BE po tregohet e pafuqishme si garantues i zbatimit të marrëveshjeve. Ndërsa bashkëpunimi rajonal, është bashkëpunim rajonal pavarësisht nëse është nën ombrellën e BE-së apo jo. Prandaj, BE-ja nuk duhet të rri duarkryq ngase jo vetëm që po dëmton Kosovën në këtë rast por edhe kredibilitetin e saj në rajon. Kurse Maqedonia në këtë rast po bën një zgjidhje të gabuar për shkak se si nikoqir ajo duhet t'ju dërgoj ftesat të gjitha vendeve fqinje”, ka thënë Muharremi.

Por, zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë mundur ta definojnë qartë nëse Serbia ka shkelur apo jo marrëveshjen e arritur me Kosovën në rastin e Samitit të Ohrit, me që ky Samit nuk bën pjesë në nismat që janë nën ombrellën e BE-së.

Presidenti Nishani nuk merr pjesë në Samitin e Ohrit

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që mbahet në Ohër, në fillim të muajit Qershor.

Në faqen në Internet të presidencës së Shqipërisë, theksohet se “në kushtet e thyerjes së atmosferës së mirëbesimit dhe të respektit reciprok, me keqardhje njoftoj vendimin për të mos marrë pjesë në Samitet e Ohrit”.

Ky vendim u bë pasi vendi organizues, Maqedonia, nuk e ka ftuar presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që të marrë pjesë në këtë Samit.

Ivo Josipoviq, anulon pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit

Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, ka anuluar pjesëmarrjen e tij në Samitin e Ohrit, që do të mbahet këtë fundjavë.

Në arsyetimin me shkrim, që i është dhënë Radios Evropa e Lirë, përmes zëdhënëses, Danja Shilloviq Kariq, presidenca kroate shpjegon se “presidenti Josipoviq është i mendimit se synimi i tubimeve rajonale është bashkëpunimi dhe përfshirja e të gjithëve nga rajoni në këtë bashkëpunim”.

“Kroacia mbetet e përkushtuar ndaj politikës së bashkëpunimit rajonal, solidarizimit dhe mbështetjen e plotë për t gjitha vendet e rajonit dhe proceseve të tyre për të përparuar drejt anëtarësimit në BE", thuhet në shpjegimin e dhënë me shkrim të presidencës kroate.
XS
SM
MD
LG