Ndërlidhjet

Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian (RAE), ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga arsimi i fëmijëve e deri te punësimi.

Këtë e thonë edhe vetë qytetarët romë, sipas të cilëve sfidat me të cilat ky komunitet ballafaqohet janë të mëdha.

Agim Berisha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se papunësia është brenga më e madhe për ta.

"Komuniteti rom është njëri nga komunitetet më të margjinalizuara në Kosovë. Papunësia është njëra nga brengat. Shumë pak është punuar në këtë drejtim, që të përmirësohet pozita jonë. Por edhe arsimi, shëndetësia , strehimi janë çështje me të cilat në vazhdimësi ballafaqohet komuniteti rom", shprehet Berisha.

Komuniteti rom, njihet zyrtarisht si komunitet i veçantë në Kosovë, dhe sipas Kushtetutës, gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.

Për këtë komunitet ekzistojnë edhe strategji të cilat janë hartuar nga Qeveria e Kosovës, strategji këto të cilat iu mundësojnë romëve edukim, përfaqësim dhe riatdhesim.

Por Bekim Syla, nga organizata joqeveritare e komuniteteve RAE, thotë se kjo kategori e shoqërisë është e lënë pas dore.

Sipas tij, edhe pse numri i nxënësve që kanë filluar ta vijojnë mësimin është rritur, prapë arsimimi ngelet problematikë mjaft shqetësuese.

"Pozita e RAE pak ka ndryshuar sa i përket aspekteve edukative. Numri i nxënësve çdo ditë është në rritje, por sa i përket aspektit ekonomik nuk ka përmirësime. Arsimi mendoj se është një prej problemeve kryesore. Prej viteve 80, këto tri komunitete janë mbetur shumë mbrapa. Edhe pse një përparësi është se numri i nxënësve është në rritje, por nuk i kanë aftësitë që tregu i punës i kërkon", bën të ditur Syla për Radion Evropa e Lirë.

Nga 15 mijë romë, thuhet se 85 për qind e tyre nuk e kanë të kryer shkollën fillore, ndërkaq 90 për qind nuk janë të punësuar dhe rrjedhimisht jetojnë në varfëri të skajshme.

Por zyrtarët qeveritarë e thonë të kundërtën.

Sipas tyre, pozita e komuniteteve RAE është përmirësuar dukshëm. Ata thonë se qeveria ka hartuar politika adekuate për përmirësimin e jetës së tyre dhe integrimin në përgjithësi.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë në vazhdimësi është marrë me projekte të ndryshme për përmirësimin e gjendjes së komunitetit rom.

Skender Syla, udhëheqës i kësaj organizate, thotë se së bashku me agjenci të tjera të Kombeve të Bashkuara që veprojnë në Kosovë, është hartuar një plan i veprimit, ku temë boshte është përfshirja sociale e grupeve të margjinalizuara.

“Ne duhet sa më tepër t’i përfshijmë këto grupe që të kenë avancim të vazhdueshëm edhe shëndetësor. Unë mendoj se në përgjithësi kanë pasur avancim për shkak se ata janë të përfaqësuar edhe në nivele politike. Edhe përmes shoqërisë civile apo organizatave joqeveritare ekzistojnë edhe dokumentet strategjike të hartuara nga Qeveria e Kosovës. Por mendoj se duhet kohë që ata të ndjehen si pjesë e integruar dhe e barabartë e shoqërisë kosovare", shpjegon Syla.

Sidoqoftë, në Kosovë jetojnë gjithsej 18 mijë romë, ndërsa 32 mijë janë egjiptas dhe ashkalinj.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG