Ndërlidhjet

Presidenca e Maqedonisë në "shënjestër"


Pamje nga Shkupi...
Pamje nga Shkupi...
Samiti i Ohrit ka dështuar për shkak të papërgjegjshmërisë së institucionit të presidentit të shtetit.

Kështu vlerësojnë drejtues të partive politike dhe ish-diplomatë duke komentuar arsyetimet e presidentit Gjorgje Ivanov, i cili tha se ka anuluar samitin pasi nuk dëshiron që Maqedonia të bëhet pjesë e proceseve ku vijnë në shprehje bojkotet apo paragjykimet nga e kaluara ballkanike.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti deklaroi se Samiti nuk do të dështonte sikur Kosova të ftohej të paktën si shtet vëzhgues i nismës së vendeve të përfshira në procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Ahmeti thotë se pjesëmarrja e Kosovës do të kishte ndikim pozitiv edhe ndaj marrëveshjes së arritur mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Pavarësisht që Kosova nuk është anëtare e kësaj konference, ka pasur mundësi që ajo të thirret si vëzhguese sepse në një të ardhme jo të largët Kosova do të jetë anëtarë e të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Kjo është fryma e vet marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, mes kryeministrit Thaçi dhe Daçi. Mendoj se do të ishte një mesazh shumë i mirë për përforcimin e vetë marrëveshjes”, ka deklaruar kryetar i BDI-së, Ali Ahmeti.

Këtë deklaratë ai e bëri pas një takimi që zhvilloi në ambasadën amerikane në Shkup me zvëvendëskomandantin e forcave amerikane për Evropë, Lorenc Batler dhe ambasadorin, Poll Uollers.

Partitë tjera politike nuk janë prononcuar lidhur me këtë çështje, ndërsa në reagimet e tyre njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare, veprimet e presidentit Ivanov i kanë quajtur katastrofale.

Ish ministri i punëve të jashtme, Denko Maleski thotë se arsyetimet e presidentit Ivanov për anulimin e Samitit të Ohrit janë absolutisht të paqëndrueshme.

Sipas tij, përgjegjës për këtë dështim të madh është kreu shtetëror, i cili nuk mund të arsyetohet me të kaluarën, paragjykimet e kështu me radhë, por, duhet të veprojë në bazë të gjendjes aktuale e cila çon drejt pajtimit të Kosovës dhe Serbisë.

“Përgjegjësia kryesore për Samitin bie mbi politikanët maqedonas. Unë mendoj se ata bënë një vlerësim të gabuar pasi në rastin konkret u përcaktuan për palën e gabuar, pasi edhe sikur të kishte presione nga Serbia, autoritetet maqedonase duhej ti nisnin ftesë edhe Kosovës dhe ta linin Serbinë që vetë të vendosë se çfarë do të bëjë. Vetëm në këtë mënyrë mendoj se ne do të dilnin nga kjo situatë".

"Kjo tani që ka ndodhur flet se shumica e shteteve së bashku me Bashkimin Evropian solidarizohen apo janë në anën e Kosovës ndërsa ne jemi në anën e gabuar. Me deklaratën e Vuçiqit se Serbia nuk ka kërkuar që Maqedonia të mos i bëjë ftesë Kosovës, del se në njëfarë mënyrë ne bëhemi serbë më të mëdhenj se vetë serbët”, thotë Maleski.

Ish-diplomati Alajdin Demiri thotë se me veprimin e fundit presidenti Ivanov vetëm sa ka dëshmuar mungesën e kapacitetit të tij politik, por edhe mungesën së egos së Maqedonisë e cila në vend që të kontribuojë për zhvillimin e proceseve pozitive në rajon, vazhdon të punojë për ndarje të reja.

“Presidenti Ivanov nuk pati guxim të sqarojë se pse nuk thirri presidenten e Kosovës? Sa ka qenë nën ndikimin e Serbisë? Çfarë telashesh krijon me Greqinë? Si i hap problemet e reja me Shqipërinë? Në të vërtetë, ai dje u duk se nuk dinë kujt i shërben".

"Roli i këtillë i presidentit Ivanov në të vërtetë dëshmon se ai i shërben politikës izoluese të VMRO-DPMNE-së, dhe në këtë rast ka pasur për detyrë që të nxisë dhe të ngjallë gjithë armiqësitë e mundshme në Ballkan”, deklaroi ish diplomati, Alajdin Demiri.

Samiti i Ohrit i presidentëve të shteteve të përfshira në procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore dështoi pasi për shkak të mos ftesës së Kosovës, pjesëmarrjen e kishin anuluar presidentët e Shqipërisë dhe Kroacisë, ndërsa Greqia për shkak të çështjes, së emrit kurse Bullgaria kishte paralajmëruar pjesëmarrje, por të nivelit shumë të ulët.
XS
SM
MD
LG