Ndërlidhjet

logo-print

MPJ ul nivelin e përfaqësimit në takimin e Ohrit


Flamuri i Kosovës

Flamuri i Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës njofton se pas anulimit zyrtar të Samitit të 16-të të SEECP me vendim të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Serbia ka tërhequr kundërshtimin për pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme, si pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

"Pas këtij zhvillimi, Republika e Kosovës ka ulur nivelin e përfaqësimit ku ministri Hoxhaj nuk do të marrë pjesë, dhe në këtë takim të ministrave do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme, z. Petrit Selimi", thuhet në një komunikatë për media të MPJ-së.

Aty theksohet se që nga fillimi, ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka insistuar që "Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë me shtetet tjera në këtë samit, dhe çdo tendencë për të ulur apo bllokuar këtë format të përfaqësimit është kundër frymës së bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë".

Ai ka theksuar se një gjë e tillë është edhe kundër "marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të iniciuar më 19 prill 2013, dhe marrëveshjes paraprake për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal, në kuadër të dialogut teknik të datës 23 shkurt 2012, implementimi i të cilës është siguruar sërish me nënshkrimin e Planit të Implementimit të datës 22 maj 2013".
XS
SM
MD
LG