Ndërlidhjet

Jahjaga: Anashkalimi i Kosovës nuk i shërben paqes e stabilitetit


Presidentja e Kosovcës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovcës, Atifete Jahjaga
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, shpreh keqardhjen e saj për anulimin e Samitit në Ohër, të nismës për bashkëpunim rajonal, (SEECP), për shkak të mos respektimit të parimit të gjithëpërfshirjes dhe zgjerimit, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i saj, Arbër Vllahiu.

"Mosftesa për Republikën e Kosovës në një Samit rajonal, nuk shihet si kontribut i të arriturave të deritashme në rajon dhe bashkëpunimit të ndërtuar me përkushtim për më shumë se një dekadë. Anashkalimi i Republikës së Kosovës nga nismat rajonale nuk i kontribuon marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit si dhe procesit të integrimeve evropiane", ka cituar Jahjagën Vllahiu.

Komentet vijnë një ditë pasi që presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, anuloi mbajtjen e samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i paraparë të mbahej në Ohër, këtë fundjavë.

Ai theksoi se ky anulim u bë për shkak të mospjesëmarrjes së konfirmuar të disa presidentëve në samit.

Kosova nuk ka qenë e ftuar të marrë pjesë në samit, dhe presidnetët që kanë refuzuar pjesëmarrjne kanë dhënë indikacione se Kosova është shkak.

Ndërkohë, në deklaratën e Vllahiut, thuhet se "marrëdhëniet ndërmjet shteteve ndërtohen në mirëbesim dhe respektim të ndërsjellë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën në proceset e integrimeve duke shtrirë dorën e bashkëpunimit".

"Republika e Kosovës është e përkushtuar që të vazhdojë ndërtimin e marrëdhënieve me secilin shtet veç e veç në rajonin e Ballkanit dhe të promovojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë si shtet sovran dhe i pavarur", ka thënë Vllahiu, duke shtuar:

"E përshëndesim qëndrimin parimor të vendeve që refuzuan të marrin pjesë në Samit, në të cilin nuk është e ftuar Kosova, sepse përjashtimi i saj nuk mund të konceptohet se është në frymën e zgjerimit dhe të bashkëpunimit. Përfshirja e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare ndihmon në ruajtjen e vlerave të përgjithshme të bashkëpunimit dhe siguron edhe të ardhmen e rajonit në BE".

Në deklaratë thuhet se Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie të mira me Republikën e Maqedonisë, si dy shtete fqinje që kanë treguar shembull të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

"Gjithsesi se Republika e Kosovës do të përkushtohet për të qenë promotor i fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit dhe të jap kontributin e saj në proceset nëpër të cilat po kalon ky rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në integrimet evropiane dhe këtë të ardhme duhet ta ndërtojmë të gjithë së bashku, në mënyrë të barabartë dhe me respektim të ndërsjellë", ka thënë Vllahiu.
XS
SM
MD
LG