Ndërlidhjet

Leksionet e Samitit të anuluar të Ohrit


Pamje nga Ohri

Pamje nga Ohri

Samiti i Ohrit u ka dhënë leksione palëve të përfshira në dialogun Prishtinë – Beograd, se marrëveshjet e arritura do të duhet të zbatohen, thonë përfaqësues të institucioneve si dhe analistë politikë.

Marrëveshja Prishtinë - Beograd si pikësynim të përgjithshëm kishte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që përbën një parakusht për avancimin në proceset integruese evropiane.

Andaj, politika përjashtuese ndaj Kosovës, që thuhet se ishte aplikuar në rastin e Samitit të Ohrit dhe reagimet e mëpastajme të vendeve, si Shqipëria e Kroacia, besohet se u kanë dhënë një leksion të gjithëve se nuk mund të ketë më kthim në mentalitetin e vjetër ballkanik të përjashtimeve dhe mosrespektimit të marrëveshjeve.

Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes së Kosovës mendon se në Shkup, por edhe në disa nivele politike në Bruksel, fillimisht ishte menduar se marrëveshja Prishtinë – Beograd, ka efekte vetëm pasi të ratifikohet. Sidoqoftë, ai beson se Bashkimi Evropian mund të jetë një garantues i denjë i zbatimit të marrëveshjes.

“Gjithsesi që ka garanci të BE-së që marrëveshja do të zbatohet, sepse marrëveshja i ka edhe afatet konkrete të zbatimit, si dhe jemi në fillim të zbatimit të saj. Sa u përket institucioneve të BE-së, duket që atje në nivele më të ulëta politike, ishte konsideruar se marrëveshja hyn në fuqi vetëm pasi të ratifikohet dhe nuk i obligon palët. Ky ka qenë shpjegimi, por marrëveshja zbatohet nga fillimi sepse është fryma e zbatimit të saj”, thotë Tahiri.

Në rastin e Samitit të Ohrit, Prishtina zyrtare pati reaguar duke e denoncuar Serbinë si shkelëse të marrëveshjes për faktin se kishte ndikuar tek autoritetet e Maqedonisë që të mos e ftonte Kosovën.

Me marrëveshjen e 19 prillit, Serbia dhe Kosovë në pikën 14 ishin zotuar se nuk do ta pengojnë dhe as bllokojnë njëra-tjetrën në rrugën evropiane, e madje as nuk do t’i inkurajonin vendet tjera që ta bëjnë këtë.

Analisti dhe publicisti Belul Beqaj mendon se reagimi publik i BE-së si garantues i marrëveshjes, ka mundur të duket i butë, por veprimet e disa vendeve të BE-së, sipas tij, kanë qenë vendimtare që t’i bëjnë me dije Serbisë se marrëveshja duhet të zbatohet.

BE-ja ndoshta në reagime formale ka qenë e zbehtë, por në veprime praktike mendoj se ka qenë efektive dhe besoj që mënyra se si ka reaguar do t’i eliminoj të gjitha pengesat në të ardhmen që Serbia ta përsëris një skenar të cilin e bëri ditë më parë”, thekson Beqaj.

Një efekt tjetër që kishte prodhuar Samiti i anuluar tashmë i Ohrit në nivel presidentësh ka të bëj edhe me pozicionimin e qartë të disa vendeve tjera të rajonit se nuk mund të vazhdohet më me tolerimin e politikave përjashtuese të Serbisë, ka thënë Beqaj.

“Është me rëndësi që është ngritur ndërgjegjja e disa shteteve të rajonit, para së gjithash e Kroacisë dhe shteteve tjera të cilat nuk duan të bëhen bashkëfajtore në vazhdimin e kontaminimit të politikës së Serbisë”, është shprehur Beqaj.

Duke u ndërlidhur me efektet e Samitit të Ohrit dhe anulimin e pjesëmarrjes nga ana e Shqipërisë dhe Kroacisë, pasi që Shkupi nuk kishte ftuar aty edhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, thotë se kjo ka treguar se Kosova dhe shqiptarët po bëhen faktor i paanashkalueshëm në Ballkan dhe këtë tashmë po e pranojnë të gjithë.

“Përfundimisht, solidarizimi i Shqipërisë, por edhe i disa shteteve tjera treguan se shqiptarët janë faktor i vendimmarrjes politike, jo vetëm në nivel ballkanik, por edhe evropian dhe ky është një sinjal pozitiv që të kuptohet që tani në politikat rajonale nuk mund të merren vendime pa praninë e përfaqësuesve politikë shqiptarë. Ky është një sukses në njohjen e fuqisë politike të shqiptarëve në rajon”, vlerëson Bajrami.

Pas arritjes së marrëveshjes së 19 prillit dhe dakordimit të planit të zbatimit më 22 maj, Prishtina dhe Beogradi, me lehtësimin e Brukselit, po i vazhdojnë diskutimet në nivele teknike për zbatimin në terren të marrëveshjes. Gjatë të gjitha fazave, BE-ja pritet të jetë garantuese e zbatimit të saj.
XS
SM
MD
LG