Ndërlidhjet

Hagë: U liruan Stanishiq dhe Simatoviq


Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq (majtas) në Gjykatën e Hagës
Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq (majtas) në Gjykatën e Hagës
Gjykata për Krime të Luftës për ish-Jugosllavi e Kombeve të Bashkuara, e ka liruar sot ish-shefin e inteligjencës së Serbisë, Jovica Stanishiq dhe ish-zëvendësin e tij, Franko Simatoviq, që ishin të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës në Bosnjë dhe Kroaci në vitet e 90-ta.

Gjyqtari Alphons Orie sot urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Stanishiqit dhe Simatoviqit. Ai tha se gjykata ka gjetur se prokuroria nuk ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se të dy personat, që ishin aleatë të ish-presidentit të ndjerë të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, kishin “planifikuar ose urdhëruar” krimet për të cilat ishin akuzuar.

Gjyqtarët, poashtu, thanë se ekziston dëshmi e pamjaftueshme për të treguar se ata i kishin ndihmuar ushtarët në kryerjen e krimeve të luftës.

Vendimi i sotëm u bë tre muaj pasi gjyqtarët e apelit në Tribunalin e Hagës e liruan ish shefin e shtamadhorisë së ushtrisë jugosllave, Momçillo Perishiq, i cili ishte i akuzuar për ndihmë dhe bashkëpjesëmarrje të rebelëve serbë në Bosnjë, gjatë kryerjes së mizorive.
XS
SM
MD
LG