Ndërlidhjet

logo-print

Aksidentet rrugore, në rritje


Policia e Kosovës - foto nga arkivi

Policia e Kosovës - foto nga arkivi

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se numri i aksidenteve në komunikacion gjatë periudhës katër mujore, janar - prill 2013, është mjaft i madh dhe shqetësues.

Sipas zyrtarëve të kësaj policie, pavarësisht se gjatë tre muajve të parë të këtij viti dukej se do të shënohej rënie e numrit të aksidenteve në komunikacion, në krahasim me vitet paraprake, megjithatë, gjatë muajit prill ky numër është shtuar, duke e ngritur mesataren në rreth 1 mijë e 400 aksidente për çdo muaj.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se një numër i këtyre aksidenteve kanë përfunduar edhe me fatalitet.

“Nëse i referohemi periudhës kohore janar – prill 2013, në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 5 mijë e 662 aksidente. Prej tyre, numri më i madh janë aksidente me dëme materiale. Pastaj kemi aksidente që kategorizohen si aksidente me persona të lënduar. Gjithashtu, kemi të raportuar gjithsej 28 aksidente që kanë përfunduar me fatalitet dhe në këto aksidente e kanë humbur jetën 32 persona”, bëri të ditur Sadriu.

Zëdhënësi i policisë, Sadriu ka theksuar se me dëme materiale kanë qenë 3 mijë e 921 aksidente, ndërkaq 1 mijë e 415 aksidente janë cilësuar me lëndime. Në 298 aksidente, sipas Sadriut, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Ai ka shtuar se numri i aksidenteve është shqetësues dhe Policia e Kosovës është angazhuar maksimalisht që të ndërmerren të gjitha masat parandaluese, si dhe krijimin e një ambienti sa më të sigurt në komunikacionin rrugor.

Sipas tij, gjatë katër muajve të parë të vitit 2013, Policia e Kosovës i ka shqiptuar gjithsej 90 mijë e 636 tiketa të gjobës ndaj atyre që kanë kryer kundërvajtje në komunikacion.

Ndonëse nuk është tendencë e policisë që gjithmonë të gjobiten personat, mirëpo, nëse i referohemi vetëm tre muajve të parë, ne kemi diku rreth 30 për qind ngritje të shqiptimit të gjobave në komunikacion. Do të thotë, kjo është në kuadër të punës së përditshme, por edhe në kuadër të planeve operative të policisë, gjithmonë me qëllim të ndëshkimit të personave, të cilët bëjnë kundërvajtje në komunikacion”, u shpreh ai.

Numrin e aksidenteve në komunikacion dhe të lënduarve në këto aksidente e vlerësojnë si të madh edhe zyrtarët e Qendrës së Klinikës Universitare të Kosovës.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani thotë se krahasuar me numrin e përgjithshëm të lënduarve në aksidente gjatë dy viteve të kaluara, numri i të lënduarve të tillë vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, konsiderohet të jetë tejet i madh dhe i tejkalon edhe numrin e pacientëve që vizitohen për shkak të sëmundjeve tjera.

Pacientë të aksidentuar, në tre mujorin e parë, i kemi 1 mijë e 91. Kjo shifër është e madhe ne krahasim me dy vitet e fundit. Deri sa në dy vite më parë i kemi pasur 1 mijë e 700 të aksidentuar, në vitin e kaluar kemi pasur 3 mijë e 50. Kjo tregon se kemi rritje, në krahasim me sëmundjet, 2 deri në 3 për qind”.

I gjithë ky numër i të aksidentuarve, sipas Lenjanit, është tepër i madh në krahasim me kapacitetet që mund t’i ofrojë Qendra Emergjente.

Është ngarkesë për vetë klinikën tonë, për vet stafin, prandaj, për ti menaxhuar kërkojmë mbështetje sub-specialistike. Shpeshherë këto raste të cilat ne nuk mund t’i mbështesim, atëherë kërkojmë mbështetje nga institucionet tjera në regjion. Është ngarkesë, sepse ne nuk kemi shërbim të traumatologjisë, i cili do t’i mbulonte të gjitha rastet nga aksidentet në komunikacion”, tha Lenjani.

Ai ka shtuar se Qendra Emergjente është duke pretenduar që ta sigurojë shërbimin e traumatologjisë në mënyrë që t’ju sigurohet qasje të gjithë atyre që pësojnë aksidente.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG