Ndërlidhjet

logo-print

OKB kërkon moratorium për "robotët vrasës"

  • RFE /RL

"Robotët vrasës"

"Robotët vrasës"

Eksperti kryesor për të drejtat e njeriut në OKB, ka bërë thirrje për pauzë globale në zhvillimin dhe vendosjen e robotëve vrasës, të njohur si “robotë autonomë vdekjeprurës” ose LARs.

Në një paraqitje para Këshillit për të drejtat e Njeriut të OKB-së, Christof Heyns, raportues special i OKB-së për vendimet jashtëgjyqësore ose ekzekutimet arbitrare, ka vënë në pikëpyetje kapacitetin e robotëve për të vepruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar, sidomos aftësinë për të dalluar luftëtarët dhe civilët e pafajshëm për të shmangur kështu dëmin kolateral.

“Lufta pa reflektim është vrasje mekanike”, ka thënë Heyns.

Heyns tha se nuk mund të krijohet sistem për llogaridhënie ligjore për të rregulluar veprimet e makinave autonome vrasëse.

Aktualisht, sipas tij, asnjë vend nuk është duke përdorur robotët vrasës, por disa prej tyre, përfshirë Shtetet e Bashkuara, janë duke i zhvilluar ata.

Heyns tha se një moratorium kombëtar duhet të vendoset derisa të krijohet një kornizë globale për teknologjinë.

Në muajin nëntor të 2012, Human Rights Watch dhe Universiteti i Harvardit ka publikuar një raport, ku citon vlerësimet ushtarake të SHBA-së se “në vitin 2030 aftësitë mekanike do të rritën në atë pike, sa që njerëzit do të bëhen komponenta më e dobët në një rrjet të gjerë të sistemeve dhe proceseve.”

Steve Gross, drejtor i divizionit të armëve në Human Rights Watch, i tha Radios Evropa e Lirë se ai ishte raporti i parë i madh mbi këtë çështje, ndërsa vetëm tash po merr vëmendje të gjerë.

Ai tha se armët vdekjeprurëse autonome paraqesin “rrezik serioz për civilët” dhe pasojat e zhvillimit të tyre duhet të mendohen mirë:

“Këto janë armë që shkojnë përtej avionëve të telekomanduar, janë armë që mund të funksionojnë pa ndërhyrjen njerëzore sa i përket caqeve që duhet goditur dhe kur duhet të qëllohen caqet në terren”, shprehet Gross.

Ai tha se HRW e mbështet thirrjen e OKB-së për moratorium në kërkimin dhe zhvillimin e robotëve dhe se do të dëshironte të shihte këtë si ndalim të përparimit të të gjitha armëve vrasëse autonome.

Ata janë ende larg nga zhvillimi i këtyre armëve plotësisht autonome, të cilat nuk ekzistojnë ende në arsenalet e tyre. Ne kemi ardhur në përfundim se këto janë armë, që duhet të ndalohen. Ne mendojmë se e kalojnë vijën morale dhe etike dhe gjithashtu kapërcejnë kufijtë ligjorë”, u shpreh Gross.

Ai tha se disa shtete anëtare në Këshillin e të Drejtave të Njeriut janë pajtuar se ekziston një nevojë urgjente për të studiuar çështjen, dhe disa kanë mbështetur moratoriumin e menjëhershëm për zhvillimin e armëve.

Ai tha se edhe pse e pranojnë se armët ende nuk ekzistojnë, “në qoftë se nuk ndalohen ato tani, do të jetë shumë e vështirë për ta bërë këtë më vonë.”

Fituesja e çmimit Nobel, Jody Williams dhe aktivistë të tjerë, gjithashtu kanë bërë thirrje për të ndaluar robotët, që sulmojnë në mënyrë të pavarur nga kontrolluesit njerëzorë objektivat e caktuar.
XS
SM
MD
LG