Ndërlidhjet

Dita Botërore Kundër Duhanit, pa tym duhani


Video e OBSH-së për Dita Botërore Kundër Duhanit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:30 0:00

Video e OBSH-së për Dita Botërore Kundër Duhanit

Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Studimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flasin për atë, se nga 5 infarkte, 4 shkaktohen nga pirja e duhanit.

Në Kosovë, rreth 40 për qind e të rinjve në shkollë, tymosin duhan. Kjo shifër vjen sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare që merren me vetëdijesimin e të rinjve për pasojat e duhanit.

Por, Dita Botërore Kundër Duhanit, Kosovën e gjen pa tym duhani në ambiente të mbyllura publike.

Që nga 22 maji, kur edhe ka hyrë në fuqi Ligji për kontrollin e duhanit, që ndalon 100 për qind tymosjen në hapësira të mbyllura publike, qytetarët po marrin frymë lirshëm.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, flet për Ditën Botërore Kundër Duhanit dhe gjendjen në Kosovë:

"Para një viti është shënuar kjo ditë, Kosova ka qenë një shtet që ka shënuar rëndësinë e kësaj dite, duke premtuar se do të punohet në drejtim të përmirësimit të gjendjes sa i përket kontrollit të duhanit. Në të njëjtën ditë, sot, pas një viti, mund të krenohemi me një arritje të madhe për shëndetin publik të qytetarëve, për nivelin qytetërues, pra për një provim të dhënë të pjekurisë si shoqëri".

Për respektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit, flet edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari - Lila, duke e quajtur hyrjen në fuqi të këtij ligji, si datë historike.

"Ky ligj shënon një datë historike për Kosovën, një përkushtim të kosovarëve për një shtet dhe shoqëri të civilizuar, dhe një shoqëri që nuk mendon vetëm për vete, por edhe për fëmijët tanë".

"Ky është një ndër ligjet që të gjithë në politikë-bërje do të donin ta kenë, për shkak se efektet e tij vërehen menjëherë. Dhe, në Kosovë është vërejtur menjëherë, më 22 maj kur edhe ka hyrë në fuqi",
shprehet Kusari - Lila.

Ndërkaq, inspektorët sanitarë thonë se për një javë, kanë inspektuar 120 vende afariste, ku në asnjërin prej tyre nuk ka pasur shkelje të ligjit.

"Kemi filluar me një plan strategjik, ku kemi pasur takime me kryeinspektorët dhe përfaqësuesit e koalicionit anti-duhan. Që nga 22 maji kemi bërë 120 inspektime, dhe çka është më e rëndësishmja, nuk kemi pasur deri më tani shkelje që ta shkruajmë asnjë dënim, pasi që Ligji për kontrollin e duhanit është duke u zbatuar me përpikëri", thotë kryeinspektorja Iliriana Zymberaj.

Edhe qytetarët japin mendimet e tyre rreth Ligjit për kontrollin e duhanit. Flora Mala thotë se edhe pse e konsumon duhanin, e respekton ligjin dhe asnjëherë nuk do ta shkelte atë, duke ndezur duhan në ambiente të mbyllura, aty ku edhe ndalohet me ligj.

"Ligji, sa e kam vërejtur unë, është duke u respektuar shumë. Kur po hyn në kafeteri, po është ajri i pastër, pa tym, shumë mirë. Unë personalisht e pi cigaren, por prapë se prapë jam dakord që të ndalohet duhani në ambiente të mbyllura", thotë Flora Mala.

E, zyrtarë nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC),deklarojnë se në Ditën Botërore Kundër Duhanit, edhe Kosova merr frymë lirshëm, falë gatishmërisë së qytetarëve për ta respektuar ligjin.

"Sot ne mund të marrim frymë lirshëm. Dhe, këtë të drejtë themelore, njerëzore që nga 22 maji, ne e kemi të garantuar edhe me ligj. Unë i falënderoj të gjithë qytetarët që kanë kontribuar dhe kanë treguar përkrahje për realizimin që mjedisi ynë të jetë pa tym duhani. Por, kanë treguar edhe një kulturë nga duhanpirësi në atë të joduhanpirësit, si dhe një kulturë respektuese të ligjit", thekson Shkumbin Spahija, zyrtar në KADC.
XS
SM
MD
LG