Ndërlidhjet

Maqedoni: Bashkëpunimi rajonal të jetë përfshirës


Takimi në Ohër
Takimi në Ohër
Takimi formal i ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL), paraqet një zë të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit, është shprehur komisioneri për zgjerim Stefan Fuele në Ohër para ministrave të Punëve të Jashtme të rajonit.

“Ky bashkëpunim duhet të jetë përfshirës dhe të arrihet konsensus për pranimin e Kosovës, akt ky që do të përshëndetej dhe nga Bashkimi Evropian”, ka theksuar Fuele.

Ai nënvizoi se normalizimi i raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës paraqet një proces të gjatë.

Ndryshe në Ohër marrin pjesë dhe ministri Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivan Mërkiq dhe zëvendësministri kosovar i punëve të jashtme, Petrit Selimi.

Ky i fundit, për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se takimi në Ohër, pas dështimit të krerëve të shtetit për shkak të mospjesëmarrjes së Kosovës në mënyrë të barabartë, është me shumë rëndësi që tensionet e krijuara mos të mos nxisin shkapërderdhjen totale të bashkëpunimit rajonal.

“Zoti Fuele sot ka theksuar një kusht esencial që rajoni të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë e ai është përfshirja mes shteteve, do të thotë kjo dhe është fjala kyçe e cila përkthehet në përfshirjen e Kosovës në mënyrë të barabartë në të gjitha iniciativat rajonale. Unë besoj se takimi i sotëm në Ohër ka konfirmuar se pa Kosovën nuk mund të imagjinohet çfardo bashkëpunimi i mirëfilltë në nivel rajonal”, theksoi Selimi.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i KRB-së, Goran Svilanoviq, duke folur për anulimin e Samitit të Ohrit të presidentëve të shteteve të përfshira në procesin e bashkëpunimit në Evropën Juglindore, nga ana e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, tha se kjo do të sjellë rezultate në planet afatgjate të ardhmes së vendeve të rajonit.

“Në suaza afatgjata mendoj se është mirë, se presidenti Ivanov deklaroi hapur se duhet sinqerisht të bisedohet cilat janë problemet në rajon, cilat janë dhe zgjidhjet e mundshme që mund të gjenden dhe njëherësh ato zgjidhje të respektohen nga ana e të gjitha palëve”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (KRB), Svilanoviq.

Ndërkohë zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës vlerëson se nuk bëhet fjalë vetëm për krijimin e një klime të mirë por edhe për respektimin e tërësishëm të marrëveshjes së Brukselit.

“Kosova si shtet është e pranuar nga një shumësi e madhe e vendeve të BE-së, njëkohësisht edhe anëtare e shumë organizmave rajonalë dhe tek e fundit edhe Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit ku sekretar i përgjithshëm është ish ministri i punëve të jashtme i Serbisë, Goran Svillanoviq, dhe ne nuk kërkojmë as më pak e as më shumë që ky realitet të njihet në të gjitha forumet. Mos të krijomë institucione parciale, gjysmake, ku në disa forume mund të jemi bashkë dhe në disa tjera jo”, është shprehur Selimi.

Edhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikolla Popovski ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal gjatë aspiratave të të gjitha vendeve të rajonit për anëtarësim në strukturat euroatlantike.

“Mendoj se në nivel rajonal është dialogu mes vendeve ai i cili mund të na ndihmojë. Vizioni ynë për të ardhmen do të realizohet nëse bashkërish angazhohemi për bashkëpunim dhe bëhemi fqinjë të mirë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Popovski, duke folur për zhvillimet aktuale në Evropën Juglindore, si dhe perspektivat për integrimin evropian të vendeve të rajonit.

“Duhet mësuar nga e kaluara përderisa ndërtojmë të ardhmen. Presim që përmes këtyre takimeve që të kontribuohet në bashkëpunim rajonal”, është shprehur Popovski.

Në takimin e Ohrit marrin pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zanieri dhe përfaqësues të tjerë të organizatave ndërkombëtare.

Para fillimit të sesionit plenar, është shtruar drekë punë për shefat e delegacioneve të Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë dhe Kosovës.

Në këtë takim janë këmbyer mendime në lidhje me zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe gjendjet aktuale në rajonin e EJL-së, dhe njëherësh është paraparë edhe prezantimi dhe miratimi i raportit vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm të KRB-së për periudhën prej 15 majit të vitit 2012 deri më 25 prill të vitit 2013.

Në kuadër të takimit do të prezantohet edhe strategjia trevjeçare dhe programi punues i KRB-së për periudhën e vitit 2014-2017.

Qëllimet më të rëndësishme të strategjisë, të cilat duhet të arrijnë deri në vitin 2020, përfshijnë rritje të punësimit prej 40 deri në 45 për qind, rritje të tregtisë së ndërsjellë për 230 për qind dhe rritje e BPV-së në rajon nga 38 për qind e deritanishme të 46 për qind nga mesatarja e BE-së.

Takimi vjetor është bashkë-organizim i PBEJL kryesimit dhe KRB sekretariatit, dhe ishte paraparë të mbahet në mënyrë paralele me Samitin e PBEJL-së
XS
SM
MD
LG