Ndërlidhjet

Remitencave t'u ndërrohet fokusi


Ilustrim
Ilustrim
Kosova është një ndër shtetet me më se shumti dërgesa të emigrantëve të pranuara. Konsiderohet se 18 për qind e bruto-produktit të brendshëm, e përbëjnë remitencat.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, më shumë se 605 milionë euro kanë arritur dërgesat e emigrantëve në Kosovë gjatë vitit të kaluar, apo rreth 20 milionë euro më shumë se në vitin 2011.

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë vlerësojnë se dërgesat e emigrantëve, të cilët për vite me radhë janë përdorur për konsum, duhet ta ndërrojnë fokusin e investimeve në Kosovë.

Naim Gashi, eksperti i ekonomisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se dërgesat emigrantëve janë investime jo vetëm në familjet e tyre, por në gjithë Kosovën.

“Unë sugjeroj që ata të fillojnë të investojnë në ndërmarrje të vogla, në ferma prodhuese kooperativa bujqësore, iniciativa të vogla, dyqane zejtare të ndryshme dhe të fillojnë dalëngadalë që dërgesat për konsum që i kanë dërguar nëpër familjet e tyre, t’i orientojnë në investime”, konsideron Gashi.

Diaspora kosovare së fundi ka shprehur interesim për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore, por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete. Sidoqoftë, eksperti ekonomisë, Naim Gashi, thekson se investimi i diasporës në ndonjë ndërmarrje të vogël apo të mesme, do të ndikonte në zhvillim më të hovshëm ekonomik.

“Përmes kësaj do të gjenerojmë vende pune për familjarët e tyre, do të përmirësonim bilancin tregtar të pagesës me vendet e jashtme, do të forconim kapacitetet e prodhimit vendor dhe njëkohësisht do të gjeneronin një fitim simbolik për ata që investojnë në Kosovë”, thekson Gashi.

Thuhet se afër 25 për qind e popullatës, ose mbi 500 mijë emigrantë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të Evropës. Sipas një sondazhi të Institutit të Hulumtimeve Gallup, të bërë kohë më parë, pas anketimeve të zhvilluara në 135 vende të botës, del se Kosova radhitet lart në listën e vendeve që marrin remitenca, me 23 për qind apo me më së shumti në rajon.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, konsideron se faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit janë mjetet që dërgohen nga diaspora kosovare. Zhvillimi ekonomik i deritashëm i Kosovës, sipas tij, është si rezultat i remitencave që ata i kanë dërguar në Kosovë.

Ibrahim Makolli
Ibrahim Makolli
Makolli konsideron se ka interesim të diasporës për të investuar në Kosovë.

“Ka një interesim më të madh në fusha të ndryshme, ne po përpiqmi t’i përkrahim. Në kuadër të kësaj, ne po veprojmë edhe me institucionet tjera, të cilat janë të thirrura për hartimin e politikave të investimeve dhe në këtë kuadër tashmë në Kosovë do të ketë një pako ligjore që do të parashohë lehtësime për investime nga ana e mërgatës sonë”, thotë Makolli.

Këtë interesim të mërgatës, thekson Makolli, ka përpjekje për ta konkretizuar në veprim. Ai tregon se për investimet që mund t’i bëjë mërgata, janë bërë lehtësira gati në të gjitha komunat e Kosovës.

“Një pjesë mjaft e madhe e komunave kanë ndarë edhe zona të veçanta për investime të mërgatës dhe gradualisht po krijohet një infrastrukturë, edhe ligjore, edhe fizike më e mirë e investimeve në vend. Kjo ka ngjallur interesim të mërgimtarëve për të investuar në fusha të ndryshme ku ata shohin leverdi edhe për vete, edhe për vendin”, shpjegon Makolli.
XS
SM
MD
LG