Ndërlidhjet

Stilet dhe zhanret muzikore, të cilat aktualisht konsiderohen se janë në trend në botë, pashmangshëm të tilla janë edhe në Kosovë, vlerësojnë disa të rinj kosovarë.

Në rubrikën e përjavshme të Radios Evropa e Lirë për të rinjtë, VOX, ata thonë se muzika është pjesë e pandashme e përditshmërisë së tyre, ndërkohë që zhanret muzikore të ndryshme, në shumë raste ndikojnë edhe në sjelljet dhe imazhin e tyre.

Shumica e tyre thonë se dëgjojnë muzikë moderne, ndërkohë që zhanret Hip- Hop, R & B dhe Rock, sipas tyre janë ato që tërheqin më së shumti të rinjtë.

Granit Baca thotë se i dëgjon stilet muzikore, të cilat janë trend edhe në perëndim dhe që, siç thotë ai, i dëgjojnë shumica e të rinjve. Sipas tij, muzika e tillë ka tendencë të bëhet edhe pjesë e kulturës së të rinjve në Kosovë dhe e mënyrës së veshjes.






“Zakonisht, më shumë më fle në vesh Rep-i, R& B, Hip-Hopi... Kjo është që e dëgjoj më shumë dhe me pëlqen. Kjo rrymë e muzikës ka lindur në Amerikë. Te ne, nuk mendoj se është pjesë e kulturës, por ka filluar të bëhet pjesë e kulturës sonë. Ne mund t'i shohim, si për shembull, djemtë duke i lëshuar pantallonat ose me kapela... Kjo nuk ka qenë mënyra e veshjes e stilit tonë, por do të thotë, këtë lloj muzike që e kemi dësgjuar dhe që i kemi parë video-klipet e tyre, ata kanë qenë kështu dhe ata e kanë transmetuar te ne. Prandaj, disa i imitojnë këto stile të veshjes”, thotë Graniti.

Mendim të ngjashëm ka edhe i riu tjetër, Drilon Rexhepi:

“Si ma merr mendja mua, është muzika Hip-Hop dhe R&B që dëgjohet më së shumti kohët e fundit prej të rinjve, do të thotë, prej gjeneratave si unë. Është fakt i gjallë se edhe pjesë e sjelljes është ajo. Nuk di, por të shtyn muzika... i sheh dikush një palë syze në klip dhe të nesërmen, ata që e dëgjojnë atë muzikë, i sheh me syze të njëjta, me veshje të njëjta. Krejt njëjtë. Ma merr mendja që është kulturë e të rinjve të Prishtinës. Nuk është edhe e keqe”.

Por, Selvie Gashi, studente në Fakultetin e Arteve, shpreh mendimin se muzika elektronike është në trend te të rinjtë, edhe pse nuk e sheh si pjesë të kulturës një gjë të tillë.

“Zakonisht, tash po dëgjojnë ‘techno’, dika që është pak më në trend për momentin, ‘electro’ që janë... E kamë vërejtur që te meshkujt më së shumti është Hip-Hopi. Unë, për vete, nuk e kisha numëruar si pjesë të kulturës Hip-Hop-in. Një pjesë që janë pak më të rinj, në moshën e adoleshencës, e dëgjojnë Hip-Hop-in, por kur e bëjnë një moshë, nuk e dëgjojnë”, shprehet Selvia.

Hysni Zeqiri, student, thotë se dëgjimi i muzikës është pjesë e jetës së tij dhe se i dëgjon të gjitha zhanret dhe stilet muzikore.

“Edhe pse jam i ri, unë i dëgjoj të gjitha llojet. Nuk ka muzikë që nuk e dëgjoj. I dua të gjitha dhe nuk e veçoj asnjë, të themi rap , Hip-Hop ose edhe me çiftelia. I dëgjoj të gjitha. E dua muzikën shumë dhe pa të nuk jetoj. I dëgjoj edhe ato të vjetrat dhe nuk më pengojnë fare, por ma kënaqin veshin", tregon Hysniu.

Se sa të rinjtë dëgjojnë muzikë, këtë e tregon numri i madh i tyre, të cilët në vazhdimësi i mbajnë kufjet me vete, pothuajse në secilin ambient. Njëra prej tyre është edhe nxënësja Malsore Jasharaj:

“Muzikën e dëgjoi 24 orë... Edhe fle me të, sepse e dua shumë. Më pëlqen, më qetëson shumë. Dëgjoj Hip-Hop, Rock e zhanre të ndryshme. Popullore nuk dëgjoj fort, tjerat po”.

Ndonëse në mjaft raste, këngët Rep kanë brenda teksteve edhe mjaft shprehje eksplicite dhe vulgare, një gjë e tillë, sipas të rinjve, nuk ka ndikuar tek ata në kulturën e komunikimit. Por, ata pranojnë se ndikimet vërehen te mënyra e veshjes.
Këtë e pohon edhe Basri Shaqiri, student.

“Në veshje, kur kam qenë më i ri, po, ka ndikuar. Por, tash jo. As në fjalor nuk ka ndikuar, as në sjellje. Krejt çka ndodh, atë e gjen edhe në këngën Rep, jetën e të rinjve, madje edhe të politikanëve, në disa”, pohon Basriu.

Por, Blendi Gashi vlerëson se në disa raste, stile të caktuara muzikore ndikojnë negativisht te të rinjtë, e sidomos te të miturit.

“Te të rinjtë ndikon shumë. Sidomos tek ata të shkollës fillore ose te këta që janë në fillim të shkollës së mesme, muzika Rep e ka njëfarë ndikimi, më shumë negativ. Kjo është duke u bazuar në tekste, si të them, ku përmendet përdorimi i thikës, armës, drogës. Kjo, normalisht që është njëfarë mënyre negative e të shprehurit dhe besoj se ajo ka ndikim. Ndërsa, te studentët, shumë pak, sepse edhe vetëdijesimi është më i madh”, konsideron Blendi.

Ndërkaq, Diturie Beka thotë se sa i përket muzikës, gjithçka është trend në Kosovë dhe secili dëgjon atë që pëlqen:

“Gjithçka, vetëm të jetë muzikë e mirë, unë e dëgjoj. Por, rok... pse jo? Nëse është muzikë e mirë dhe më pëlqen, unë e dëgjoj, qoftë kur jam në shtëpi, qoftë rrugës... Në përgjithësi, madje edhe në punë, atje kemi muzikë. Babin e kam folklorist, ai këndon vetë dhe thjesht, rritesh me këtë. Nëse është muzikë e mirë, ta kënaq veshin, atëherë t’i e dëgjon. Rep-i është për më të rinjtë, pop, R&B... thuajse gjithçka është trend në Kosovë”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG