Ndërlidhjet

S-300 rrezikon të çojë në konfrontim të superfuqive


Mbrojtës S-300

Mbrojtës S-300


Sistemi raketor S-300 i Rusisë mund të ndryshojë në mënyrë dramatike kahun e konfliktit në Siri, nëse dërgohet në Damask. Dy vendet kanë nënshkruar kontratë për shit-blerje para shpërthimit të luftës civile në Siri.

S-300 është i projektuar për të hedhur poshtë aeroplanë dhe raketa në një gamë prej 5 deri në 150 kilometra. Kjo i mundëson ushtrisë siriane që të shkatërrojë sulmuesit jo vetëm në hapësirën ajrore të Sirisë, por edhe ata brenda Izraelit.

Raketat S-300 mund të arrijnë objektiva të shumta në të njëjtën kohë, në lartësi që varirojnë nga 10 metra në 27,000 metra.

Eksperti Robert Hewson, me seli në Londër, jep hollësi të tjera:

S-300 është sistemi i rangut më të lartë të mbrojtjes ajrore në Rusi. Është një sistem raktor tokë-ajër, i cili është i aftë të hedhë poshtë çdo avion modern luftarak, përfshirë edhe raketat. Në një mënyrë, është ekuivalent me sistemin Patriot të Shteteve të Bashkuara. Në Siri do të shtonte një nivel të ri të mbrojtjes ajrore. Siria ka tashmë disa raketa ruse ajër-tokë, por S-300 do të jetë më i avancuari”.

Vendosja e sistemit S-300 thuhet se do të komplikonte në masë të madhe përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të krijuar zonë të ndalim-fluturimit mbi Siri.

Do të komplikonte ngjashëm edhe politikat e Izraelit për të sulmuar caqet në Siri, me qëllim parandalimin e transferimit të armëve të sofistikuara nga Damasku për Hezbollahun libanez – armikun e përbetuar të Izraelit.

NATO-ja ka përdorur zonën e ndalim-fluturimit në vitin 2011 për t’i dhënë fund konfliktit në Libi. Zonat kanë mbrojtur civilët dhe u kanë mundësuar aeroplanëve të aleancës të shkatërrojnë njësitet qeveritare të Libisë, të cilat kanë përdorur forcën kundër zonave të populluara.

Se kur do të dërgojë Rusia sistemin S-300 në Siri, është ende e paqartë. Moska dhe Damasku kanë nënshkruar marrëveshjen një vit para se ka shpërthyer kryengritja kundër regjimit sirian, në mars të vitit 2011.

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka thënë më 30 maj se sistemet janë në rrugë e sipër, por kjo deklaratë ka qenë në kundërshtim me raportet e mediave ruse.
Një burim i mbrojtjes i ka thënë gazetës “Kommersant” se kontrata e armëve parasheh që Moska të dërgojë sistemin S-300 në pranverë të vitit 2014.

Zyrtarët rusë kanë refuzuar të flasin publikisht për harkun kohor. “Unë mund të them vetëm atë se nuk do të anulojmë kontratën”, ka deklaruar këtë javë zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov.

Por, ekspertët thonë se dërgimi i këtij sistemi në Siri mund të sjellë rreziqe të mëdha edhe për Moskën. Kjo, sepse bateritë duhet të operohen nga ekipet ruse, para se ekipet siriane të trajnohen për përdorimin e tyre.

Është praktikë standarde e Rusisë për të dërguar këshilltarët e vet ushtarakë te klienti ri. Dhe, ka rrezik që sulmi ndaj S-300-shit të godasë personelin rus brenda tij”, thotë Hewson.

Izraeli, aleat i Shteteve të Bashkuara, ka kërcënuar se do të shkatërrojë raketat e tilla nëse ato vendosen. Nëse bën një gjë të tillë dhe shkakton viktima ruse, ka rrezik të madh që konflikti të përshkallëzohet në një konfrontim të superfuqive.

Michael Elleman, ekspert për raketat në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike të Lindjes së Mesme, zyra në Bahrejn, thotë se premtimi për dërgesën e raketave u shërben qëllimeve të Moskës më shumë sesa dërgimi i vërtetë i tyre.

“Në fund të fundit, mendoj se kërcënimi për transferimin e S-300-shit është skenari më i mirë i saj. Por, nëse e transferon vërtet, mund të ndodhin gjëra të këqija dhe përshkallëzimi është diçka që nuk mendoj se do ta dëshironte dikush”, thotë Elleman.

Ekspertët po ashtu thonë se një mënyrë për të mposhtur sistemet e mbrojtjes ajrore është përpjekja për të ndërprerë operacionet e tyre përmes teknikave elektronike, në vend se të sulmohen direkt. Por, Elleman thotë se mbetet pyetje e hapur nëse S-300 mund të bllokohet në këtë mënyrë.

“Duhet kujtuar se S-300 është një pjesë shumë e sofistikuar e armatimit. Nuk jam i bindur se Perëndimi, Izraeli apo Turqia mund të neutralizojnë sistemin, pa ndërmarrë ndonjë veprim kinetik – me fjalë të tjera, pa shkuar pas disa radarëve ose interceptorëve me forcë. Pra, në aspektin e mposhtjes, mendoj se do të jetë shumë e vështirë dhe e rrezikshme”, thotë Elleman.(v.tela)
XS
SM
MD
LG