Ndërlidhjet

Kundër burokracisë, me veprime e jo me deklarata


Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë ekziston burokracia si në nivelin qendror po ashtu edhe atë lokal, dhe kushdo që thotë se nuk ka, nuk është e vërtetë.

Kështu ka thënë në "Intervistën e Fundjavës", për programin tonë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila.

Ajo ka thënë se ka raste, kur edhe në agjenci të ndryshme që i raportojnë Kuvendit, duhet të intervenohet në përshpejtimin e procedurave, pasi sipas saj, ka raste kur ato bllokohen për interesa personale dhe kokëfortësisë.

Pranimi i kësaj dukurie nga vetë zyrtarë të lartë të qeverise, tregon më së miri se diçka nuk është në rregull në aparaturën shtetërore, thonë ekspertë për çështje ekonomike, të cilët edhe më herët kanë paraqitur shqetësimet për prezencën e burokracisë në institucionet qeveritare.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale "STRAS” thotë se nëse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka identifikuar këtë burokraci, atëherë është e pandershme, siç thotë ai, që ky problem të kalojë vetëm me një deklaratë.

“Fakti se ka burokraci, që ajo është pengesë kryesore, pikërisht sipas deklaratave të ministres, e imponon dhe e detyron atë që të marrë vendime dhe veprime shumë konkrete, shumë të drejtpërdrejta dhe radikale".

"Mirëpo, prapë problem do të jetë a do të mund të zbatohen për shkak të interesave të ngushta që ndërlidhen pikërisht te këto mekanizma burokratik brenda institucioneve qeveritare”, shprehet Rexhepi.

Burokraci do të thotë një sistem administrativ ose shoqëror që mbështetet në një sërë rregullash dhe procedurash, ndarje funksionesh dhe në një strukturë hierarkike në implementimin e kontrolleve mbi një sistem, organizatë qeveritare ose sociale.

Drejtori i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Bardhyl Metaj, konsideron se mungesa e profesionistëve në agjenci të ndryshme qeveritare, zbrazësitë ligjore dhe prezenca e korrupsionit tek administrata institucionale, kanë ndikuar që ambienti i të bërit biznes të ballafaqohet më burokraci.

Ai ndërkaq, pohon se pikërisht burokracia ka larguar disa investitorë të huaj nga Kosova.

“Te ne është krijuar një traditë e keqe, që për rehabilitimin e kuadrove partiake, që shërbejnë pikërisht këto agjenci, komisione të ndryshme, agjenci të kadastrës dhe krejt kjo po krijon këtë (burokraci) atmosferë, që do të thotë ne nuk kemi një aparat shtetëror. Por, menjëherë pas zgjedhjeve, partitë politike e instalojnë partiokracinë e vetë në këto institucione".

"Pastaj, aty natyrisht fillojnë interesat e ndryshme grupore, klanore etj. Dhe kjo punë nuk zgjidhet vetëm më ndërrimin e një qeverie, sa zgjidhet më ndërrimin e legjislacionit dhe një kulture politike dhe të menduarit”, thotë Metaj për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Ibrahim Rexhepi shprehet se mos reformimi i punëtorëve në institucionet shtetërore dhe përplasja për pozita më të larta, po ndikon në rritjen e shkallës së burokracisë, sepse thotë ai, nëse merren parasysh ligjet, atëherë problemi i burokracisë duket shumë i thjeshtë dhe i tejkaluar.

Ndodh që edhe brenda koalicionit qeveritar të ketë përplasje, të ketë luftë, se kush po pozicionohet më mirë, dhe kush është më afër tenderëve apo kush është më afër mundësisë për menaxhimit e shumës më të madhe të parasë të buxhetit".

"Për këtë arsye kemi pasur edhe lufta për poste të ndryshme ministrore, pajtime dhe mospajtime, dhe realisht krejt koalicioni po funksionon mbi bazën e interesave të ngushta dhe ndarjes së hises, ndarjes së parasë dhe mundësisë për përfitim”, thekson Rexhepi.

Sidoqoftë, edhe pse ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari- Lila, pranon se ka burokraci në vend, ajo thotë se ka pasur reforma në të bërit biznes, në mënyrë që të zvogëlohet burokracia.
XS
SM
MD
LG